Më pak se katër dekada që kur diktatori i atëhershëm rumun, Nicolae Causescu, i detyroi nënshtetasit e tij të vuanin, duke provokuar mungesa të rënda të ushqimit në një përpjekje të çmendur për të shlyer shpejt borxhin e jashtëm të vendit, tashmë vendi mund të ndihmojë që të shmanget uria globale, duke u kthyer në një qendër kryesore për eksportin e produkteve bujqësore nga Ukraina.
Por ndërsa Rumania e ka përqafuar këtë qëllim ambicioz, ekspertët ekonomikë dhe operatorët e portit, paralajmërojnë se vendimi ishte shumë më i lehtë për t’u marrë, sesa për t’u arritur.
“Nëse duam të vazhdojmë të ndihmojmë fermerët ukrainas, ne kemi nevojë për pajisje që të rrisim kapacitetet tona të përpunimit”, tha Dan Dolghin, drejtori i operacionit të drithërave në Comvex, operatori i portit kryesor rumun, Konstancës.
Dolghin tha se asnjë operator i vetëm nuk mund të angazhohet për të investuar në infrastrukturë shtesë, e cila do të bëhej e tepërt sapo të përfundonte lufta në Ukrainë.
Për shkak të sulmit brutal të Rusisë në Ukrainë dhe bllokadës në bregun e Detit të Zi, porti i Konstancës është bërë një nga kanalet kryesore për eksportet e grurit të vendit të shkatërruar nga lufta, por ruajtja, dhe aq më tepër, rritja e vëllimit që mund të përballojë porti, mund të bëhen shpejt të paqëndrueshme, pa mbështetjen dhe investimet e përbashkëta europiane.
Në fund të shkurtit, vetëm disa javë pas pushtimit nga Rusia, Comvex investoi në një strukturë të re shkarkimi në portin e Konstancës, duke parashikuar se vendi fqinj do të detyrohet të ridrejtojë eksportet e tij bujqësore.
Kjo i ka mundësuar portit që në katër muajt e fundit, të organizojë dërgesat e rreth një milion tonë drithërave ukrainase, shumica e të cilave mbërrijnë me maune përtej lumit Danub.
Por ndërkohë që rreth 20 milionë tonë drithëra janë ende të bllokuara në Ukrainë dhe sezoni i vjeljes në Rumani po afron, Dolghin tha se nuk priste që shpejtësia e tranzitit të drithërave të rritet, por përkundrazi, të ngadalësohej ndjeshëm, sepse pa investime të mëtejshme, operatori nuk mund ta përballojë dot ngarkesën i vetëm.
Në një fjalim në Parlamentin Europian në qershor, zëvendësministri i Bujqësisë i Ukrainës, Markian Dmytrasevych, shprehu të njëjtin shqetësim, duke thënë se priste që operatorët në Konstancë, t’u drejtoheshin për ndihmë furnizuesve europianë të drithërave, sapo të fillonte sezoni i korrjes verore, duke paralajmëruar se “kjo do të ndërlikojë më tej eksportin e produkteve të Ukrainës”.
Problemi i kapacitetit të kufizuar të përpunimit dhe vëllimet e mëdha të drithërave ukrainase që kanë nevojë për eksport përmes portit të Konstancës dhe porteve të tjera rumune, ka tërhequr vëmendjen e udhëheqësve rumunë dhe botërorë, të cilët, javët e fundit, premtuan mbështetje për ta zgjidhur atë.
Aktualisht, vetëm Comvex mund të përpunojë deri në 72,000 tonë drithëra në ditë, duke e bërë atë terminalin më të shpejtë të drithërave në Europë.
Kjo dhe afërsia e portit me Ukrainën nga toka, dhe me Kanalin e Suezit nga deti, e bëjnë atë rrugën më të mirë alternative për eksportet bujqësore ukrainase.
Rrugë të tjera alternative të transportit për Ukrainën, përfshijnë transportimin e drithërave me rrugë dhe hekurudha përgjatë kufirit perëndimor të vendit në Poloni dhe më pas, përmes Detit Baltik.
Në një vizitë të fundit në Kiev, së bashku me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, presidenti rumun Klaus Iohannis, tha se vendi i tij po kërkonte në mënyrë aktive, mënyra të mundshme për të kapërcyer pengesat që ka vënë Rusia ndaj eksporteve të grurit.
“Si një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes për pasigurinë ushqimore të krijuar nga Rusia, Rumania është e përfshirë në mënyrë aktive në lehtësimin e tranzitit të eksporteve të Ukrainës dhe në përpunimin e drithërave”, tha Iohannis në Kiev, javën e kaluar.
“Autoritetet tona po punojnë për të gjetur zgjidhjet më të mira për të lehtësuar tranzitin e drithërave ukrainase nga tregjet e tyre tradicionale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe pjesë të Azisë”, shtoi ai.
Një analist i shquar ekonomist rumun, u shpreh se gjetja e rrugëve alternative për eksportet e grurit të Ukrainës, nuk është një detyrë për kompanitë private të logjistikës dhe as për ndonjë vend individual, duke bërë thirrje për të mbledhur një “koalicion ndërkombëtar vendesh” për ta përmbushur atë.
George Vulcanescu theksoi se kapaciteti i porteve rumune për të përpunuar grurin nga Ukraina, duhej të vlerësohej shpejt për të bërë rregullimet e nevojshme që synonin rritjen e vëllimit me “investime minimale”.