Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka u rrit me 13.6% vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë së korporatave të tjera financiare, (klasifikim që përjashton bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit), në fund të vitit 2021 arriti në 43.4 miliardë lekë ose pothuajse 360 milionë euro.
Portofoli i kredisë i institucioneve financiare jobanka është rritur me ritme lehtësisht më të larta krahasuar me portofolin e kredisë bankare në të njëjtën periudhë. Zgjerimi edhe në këtë segment dëshmon përmirësimin e dukshëm të kreditimit të ekonomisë gjatë vitit të kaluar, i nxitur nga rimëkëmbja e shpejtë nga efektet e pandemisë dhe nga fakti se institucionet financiare dolën pa pasoja serioze nga pandemia, faktor që e mbajti të lartë ofertën për hua në tregun financiar.
Në pjesën më të madhe, portofoli kredisë së korporatave të tjera financiare i takon institucioneve të kredidhënies dhe mikrofinancës. Huaja e dhënë nga këto institucione përbën rreth 6% të portofolit të total të kredisë për ekonominë. Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, sidomos në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar. Ky është një grup më i brishtë, me nivel më të lartë të informalitetit dhe riskut, e rrjedhimisht më i ekspozuar ndaj krizave të papritura, siç ishte pandemia. Kjo goditje bëri që vitin e kaluar kredia e këtyre institucioneve të pësonte rënie për herë të parë që prej vitit 2015, ndërsa gjatë vitit 2021 i është kthyer rritjes.
Megjithatë, rreziqet e reja që po sjell vala inflacioniste kanë filluar të ndihen në këtë treg. Të dhënat zyrtare për raportin e kredive me probleme nuk janë të përditësuara që prej pjesës së parë të vitit të kaluar, por drejtuesit e institucioneve shprehen se në muajt e fundit vërehet një përkeqësim i ndjeshëm i pagesave të klientëve, sidomos për mikrokreditë konsumatore.
Duke filluar nga mesi i muajit janar, mikrofinanca po përballet me një ndryshim të rëndësishëm rregullator, vendosjen e një norme tavan të interesit mbi kreditë konsumatore. Kjo masë prek veçanërisht kompanitë që kanë në themel të aktivitetit të tyre kreditë e vogla konsumatore. Vendosja e një norme tavan interesi mund të prekë përfitueshmërinë, por edhe strukturën e produkteve të këtyre institucioneve, duke i zhvendosur nga kreditë me vlera shumë të vogla dhe me afat minimal maturimi, që zakonisht kanë edhe një normë efektive interesi më të lartë. Nga ana tjetër, detyrimi për të përshtatur strukturën e produkteve me normat tavan të interesit mund të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes së huadhënies nga këto institucione.
Deri në fund të muajit qershor, norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për shumat deri në 200 mijë lekë është 171.41% për kreditë me këste, 19.55% për overdraftet dhe 27.28% për kartat e kreditit. Për shumat në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, NEI maksimal për kreditë për kreditë me këste është 38.79% dhe për overdraftet 16.75%.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.