Portreti i famshëm në serigrafi i Marilyn Monroe, i vitit 1964, nga artisti amerikan Andy Warhol, u shit të hënën në ankand për 195 milionë dollarë.
Kjo është një shifër rekord për një vepër të një artisti amerikan të shitur në ankand.
“Shot Sage Blue Marilyn” është një seri portretesh që Warhol i bëri aktores pas vdekjes në vitin 1962 dhe që atëherë është një nga veprat më të njohura të pop art.
I ruajtur në koleksionin e tregtarëve të artit zviceran Thomas dhe Doris Ammann, portreti u shit nga shtëpia e ankandeve Christie’s në një ankand në Nju Jork. Vlerësimet para shitjes arritën në 200 milionë dollarë. Portreti u shit për 170 milionë dollarë, dhe duke i shtuar dhe taksat, çmimi final arrin në 195 milionë dollarë.
Shitja theu rekordin e mëparshëm në vitin 2017, për një vepër të artit amerikan, e vitit 1982, të Jean-Michel Basquiat, prej 110,5 milionë dollarësh.
“Shot Sage Blue Marilyn” është kulmi absolut i Pop-it amerikan” – tha Alex Rotter, president i artit të shekullit XX dhe XXI, të shtëpisë së ankandeve Christie’s në një deklaratë. – Piktura kapërcen zhanrin e portretit, duke zëvendësuar artin dhe kulturën e shekullit XX”.
Monroe ishte një nga yjet më të njohur të Hollivudit përpara vdekjes së saj nga një mbidozë në shtëpinë e saj në Los Anxhelos më 4 gusht 1962.
/ Reuters