“Post-tërmeti, sfidë përmirësimi i mazhit të vendit, masat që duhen marrë”

20/12/2019 10:04 PM 0 komente

Flet Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit

 

Shqipërisë i duhet që të përmirësoje imazhin e saj dhe qeveria duhet të angazhohet seriozisht si në kategorizimin e strukturave akomodeuese, që ka nisur, ashtu edhe në standartizimin e tyre. Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit nënvizon në një intervistë për “Monitor” se viti 2020 paraqet një sfidë reale për sektorin. Ai thekson se do të ishte me vend të konsideroheshin edhe politika të tjera stimuluese, që vende të tjera të rajonit dhe konkurrente kanë kohë që i zbatojnë. Lidhur me efektin e tërmetit të 26 nëntorit ai vlerëson se fakti që mbi 80 për qind e turistëve janë nga rajoni, do të kemi një rikthim të tyre sërish për të pushuar në vend.

 

Si ishte viti 2019 sa i takon turizmit në këndvështrimin tuaj?

Një vit i rëndësishëm për industrinë. Mundëm të kishim një sezon të zgjatur me një rritje të moderuar të numrit të turisteve, 7-8%, që solli dhe rritjen e ndikimit në PPB deri në 10%. Një zonë pilot në Durrës, që funksionoi si një e tërë me disa hotele zinxhir, duke dhënë impulsin që dhe Shqipëria mund të shesë paketa “full board” dhe të presë turistë me kërkesa specifike, siç janë ata nordikë apo gjermanë.

 

Po vitin 2020 si e prisni në këtë sektor duke pasur parasysh zhvillimet e fundit?

E konsideroj si vit sfide. Vendit i duhet të përmirësojë imazhin, standardet dhe të jetë me këmbë në tokë për të mos përsëritur gabimet e viteve të kaluara. Përpjekjet e para filluan me procesin e kategorizimit të njësive akomoduese, proces që duhet të përfundojë në dhjetor 2019 dhe për të filluar fazën e klasifikimit me yje, proces që ka hyrë në fazë emergjente dhe domosdoshmërie, sot në një treg rajonal me standarde elitare. Përfundimi i autostradës Prishtinë –Shkup dhe sinjali i heqjes së vizave në Kosovë, do të sjellë për 2020 një rikompozim të tregut turistik rajonal duke rrezikuar seriozisht të largojë, turistët e target grupit me të ardhura mbi mesataren nga tregu shqiptar.

 

Cilat janë efektet e pritshme të situatës post-tërmet për turizmin në vend dhe kryesisht në Durrës, ku ka qenë i përqendruar vitet e fundit turizmi i organizuar?

Duke analizuar strukturën e turistëve që vijnë në Shqipëri, rreth 80% e tyre janë rajonalë, si Kosovë, Maqedoni, Greqi e Itali, por dhe ata me pasaportë gjermane apo zviceriane, janë në dominancë po me origjinë shqiptare, mendoj se do të rikthehen përsëri pasi nga natyra mesdhetare kanë kujtesë të shkurtër dhe nuk do ndikohen nga imazhi që lanë pasojat e tërmetit. Turistët nga vendet e ulëta apo Europa Perëndimore, janë në numër të vogël (rreth 200-300.000 maksimumi) dhe shpresojmë që ulja e numrit të tyre, thjesht mund ta çojë numrin e turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë për 2020 në një ulje të lehte apo rritje të papërfillshme.

 

A mund të ketë ndikim situata edhe në zona që nuk janë prekur direkt nga tërmeti si Vlora, Saranda etj?

Shqipëria shitet si një destinacion, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Ndikimi kryesor është cenuar në imazh, si vend i pa sigurt dhe me ndërtime të pa certifikuara. Këtu ndikon dukshëm mungesa e klasifikimit me yje i njësive akomoduse, si i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka nisur akoma procesi. Fakti pozitiv është se nuk pati dëmtime konstruktive dhe viktima në njësitë akomoduese. Ato i rezistuan efektit shkatërrues dhe dhanë një garanci për të ardhmen. Mos harrojmë që tërmete të tillë (me magnitudë dhe më të ulët) në Itali apo Turqi, kanë shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme. Tërmeti goditi territorin nga Durrësi deri në Lezhë, aty ku është potenciali kryesor turistik i vendit. Kthimi i hoteleve dhe resorteve me 4-5 yje të këtyre zonave në strehuesit e te prekurve nga tërmeti (rreth 7000 vetë) indirekt, iu konsolidoi sigurinë dhe dha një imazh pozitiv.

 

 A kanë shprehur shqetësim operatorët e huaj mbi situatën, duke qenë se ka kontrata paraprake të nënshkruara?

Shqetësimi i partnerëve ndërkombëtarë ishte i menjëhershëm. Flasim për kontrata të mbyllura që vihen në diskutim për sezonin 2020. Kërkesa e menjëhershme e tyre ka qenë zyrtare, një certifikim nga institucionet përgjegjëse shqiptare për qëndrueshmerinë e hoteleve të kontraktuar.

Gjatë këtyre ditëve , ATA, kryesisht me iniciativë të sektorit Hotelier, ka bërë disa takime me ministrin z. Klosi ku janë kërkuar:

1- Një certifikim nga institucionet përgjegjëse shqiptare për qëndrueshmerinë e hoteleve brenda vitit pasi grupet e inspektimit të operatoreve kontraktues kanë shprehur kërkesën për të verifikuar gjendjen në vend.

2- Pas kalimit të gjendjes emergjente, spostimin e personave të dëmtuar nga tërmeti në vijën e dytë të bregut për t’i dhënë kohë strukturave hotelierë me 4 dhe 5 yje, të përgatiten për sezonin e ardhshëm.

3- Lehtësira fiskale për operatorët e huaj e njësitë akomoduese në zonat e prekura por dhe me gjerë

4- Bërja e një Konferencë Ndërkombetare Turizmi në Shqipëri brenda 15 janarit 2020 për të dhënë një mesazh sigurie partnereve tanë, me pjesëmarrjen e drejtuseve të lartë të OBT, partnerët kryesore rajonalë, ministrat e rajonit dhe më gjerë.

Patëm mirëkuptimin dhe mbështetjen e z. Klosi. Vetë ministri Z. Klosi është angazhuar potencialisht për të realizuar në kohë këtë event dhe në rolin si Zv. President i OBT.

 

A keni ndonjë të dhënë sesa është numri i operatorëve të sektorit të prekur nga tërmeti apo sa është dëmi në këtë sektor?

Në përgjithësi, strukturat hoteliere i rezistuan tërmetit që për nga fuqia kategorizohet, shkatërrues. Në një numër të pakët hotelesh, dëmet kanë qenë jo strukturore por plasaritje të mureve ndarës dhe të riparueshme,  me përjashtim të tre rasteve sporadike (trajtuar gjatë dhe në media) ku ka patur ndërhyrje të gabuara në strukturë apo shtesa kati mbi llogaritjet konstruktive.

Një mesazh i rëndësishëm për qeverinë është domosdoshmëria e rishikimit të politikave stimuluese në turizëm ,jo vetëm në zonat e prekura nga tërmeti. Nuk është ndonjë lëvizje e re apo qe kërkon modele zhvillimi. Rajoni, në bllok ka kohë që i zbaton, që nga subvencionimi i agjencive 15-45euro/ turist e deri tek subvencionet e aeroporteve.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of