A duhet të publikojë Facebook reklama politike që përmbajnë gënjeshtra? As rrjeti social dhe as kritikët e tij nuk po mendojnë qartë
Sipas një prej miteve më të famshme të politikës amerikane , George Washington nuk mund të thoshte asnjë gënjeshtër, shkruan The Economist. Që prej asaj kohe, kjo gjë nuk është thënë më për asnjë nga politikanët që e ndoqën atë.
Kundërshtarët e ashpër dhe fare të patakt kanë qenë pjesë e skenës politike që prej vitit 1800, kur lobuesit për fushatën e John Adams akuzuan Thomas Jefferson se ishte djali i një nëne indiane nga Amerika e Veriut dhe i një babai mulat nga Virxhinia. Duke marrë në konsideratë këtë, polemika e muajit të kaluar për refuzimin e Facebook për të hequr një reklamë të Donald Trump ku ky i fundit “shpifte” mbi Joe Biden mund të duket e çuditshme.
Si përgjigje ndaj një situate të tillë, Elizabeth Warren publikoi një reklamë (të pavërtetë) në Facebook ku citohej se z. Zuckerberg, CEO-ja i Facebook, e kishte deklaruar mbështetjen e tij ndaj z. Trump. Alexandria Ocasio-Cortez, një përfaqësuese demokratike nga Nju Jorku, u bë pjesë e një grupimi të tillë, duke e pyetur z. Zuckerberg nëse edhe asaj do t’i lejohej të publikonte reklama të pavërteta duke thënë se kandidatët republikanë kishin votuar për Marrëveshjen e Re të Gjelbër.
Z. Zuckerberg vazhdoi mbrojtjen e tij, duke e prezantuar Facebook si një platformë të lirisë së fjalës. Por ky është një problem shumë i rëndë, duke marrë parasysh rëndësinë e reklamimit dixhital në politikën moderne. Advertising Analytics, një firmë kërkimore për reklamat politike, thotë se reklamat dixhitale përbëjnë 57.5 % të reklamave të përdorura nga kandidatët presidencialë, me mbi gjysmën e tyre të publikuara në rrjetin social të Facebook.
Asnjë platforme reklamimi nuk i kërkohet që të vlerësojë vërtetësinë e reklamave politike. Disave, përfshirë disa televizione lokale, madje u kërkohet që të transmetojnë reklama të pacensuruara nga Akti Federal i Komunikimeve të vitit 1934. Politifact, një uebsait i pavarur për kontrollimin e publikimeve që përmbajnë fakte të vërteta, e vlerësoi pretendimin e znj. Warren se “shumica e rrjeteve” do të refuzonin të publikonin/ transmetonin një reklamë nga z. Trump që do të përmbante një gënjeshtër “plotësisht të pavërtetë”. Gënjeshtrat e thëna gjatë fjalimeve publike nuk përbëjnë krim. Ndërsa gënjeshtrat e thëna në reklamat tregtare, po. Një gjë është të mendosh se “fasulet që ti shet janë magjike dhe një gjë tërësisht tjetër është që të përpiqesh t’i shesësh ato për të tilla dhe të mos mendosh se kjo nuk do të tërheqë vëmendjen e Komisionit Federal të Tregtisë (FTC).
Komisioni Federal i Tregtisë nuk merret me rregulloret e reklamave politike. Disa shtete kanë ligje që ndalojnë gënjeshtrat në reklamimin politik, por disa prej tyre janë hedhur poshtë nga gjykatat. Për shkak të arsyeve të mësipërme, një entiteti të ngjashëm me atë të Komisionit Federal të Tregtisë, nuk mund t’i jepet fuqia për të censuruar reklamat politike që përmbajnë gënjeshtra. Por, ai mund të veprojë si kontrollues i fakteve, duke etiketuar reklamat “false” dhe duke theksuar pretendimet që janë të dyshimta ose të vështira për t’u vlerësuar.
Prezantimi i Facebook-ut si një platformë për lirinë e fjalës është larg nga e vërteta absolute, sepse ai ka censuruar fjalime në emër të qeverive të huaja. Dhe mospublikimi i përmbajtjeve problematike vetëm sepse ato nuk janë thënë nga një President, nuk është në përputhje me traditën amerikane të lirisë së shprehjes, pasi ajo u jep disa personave të drejtën për të gënjyer dhe disa të tjerëve jo. Pozicioni i kompanisë së Facebook mund të përballet me vështirësi në drejtim të rregullimit të reklamave politike sesa kundrejt gjithçkaje tjetër, shprehet Michael Franz, bashkëdrejtori i projektit Wesleyan Media, i cili gjurmon reklamat politike.
Facebook publikon një numër të madh reklamash, veçanërisht duke pasur parasysh tendencën për të parë se cilat janë ato reklama të cilat tërheqin më shumë vëmendje dhe rrjedhimisht edhe klikime. Të vendosësh nëse një reklamë përmban fakte jo të vërteta është shumë e vështirë.
Edhe politika më e re e Twitter për të ndaluar të gjitha reklamat politike nuk është diçka e lehtë për t’u arritur plotësisht, sepse është e vështirë të përcaktohet se çfarë cilësohet si “politike” dhe çfarë jo.
Por Facebook-u gjithashtu krijon mundësinë që fushatat politike, të cilat zhvillohen nëpërmjet reklamave politike në këtë rrjet, të mos shihen nga grupet kundërshtare, duke mos u dhënë atyre mundësinë për t’u mbrojtur kundër gënjeshtrave. Sa u takon reklamave politike, legjislacioni nuk ia ka dalë që të ecë me të njëjtin hap me teknologjinë.
Akti i Reklamave të Vërteta, është hapi i parë i duhur në këtë drejtim. I sponsorizuar nga rivalja demokratike e znj. Warren, Amy Klobuchar, ajo do të detyrojë reklamat dixhitale politike të zbulojnë se si janë financuar, edhe reklamat në televizione. Gjithsesi kjo masë nuk do t’u japë fund shqetësimeve në lidhje me reklamat politike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.