Potenciali bio

19/06/2019 12:36 PM 0 komente

Mes diskutimeve për sigurinë ushqimore dhe ekzistencës apo jo të produkteve bio, ekspertët e fushës së bujqësisë thonë se në Shqipëri ka potenciale të larta për zhvillimin e sektorit. Mungon edukimi i duhur i fermerëve për të përmbushur kushtet e certifikimeve bio, si dhe orientimi i politikave drejt bujqësisë bio, gjë e cila do të zhvillonte më tej ekonominë rurale…

 

Nga Deada Hyka

 

Raffaelle Tonon nuk e pengon mosha rreth të 70-ave për të lëvizur në Tiranë me biçikletë dhe që në fjalinë e parë, të flasë për rëndësinë e produkteve natyrale për shëndetin. Si mësues i sigurisë ushqimore prej një jete, diçka di.
“Shqiptarët ushqehen keq”, – thotë z. Tonon, i cili është edhe kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Investimeve Italiane. Prej 30 vitesh jeton në Shqipëri dhe thotë me bindje se, nga Vermoshi në Konispol, tokat kanë potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar produktet më të mira natyrale dhe brenda standardeve të sigurisë ushqimore.

Z. Tonon thekson nevojën emergjente për të edukuar dhe për të sjellë në treg breza të rinj teknicienësh, të cilët do të jenë të përgatitur për t’i sjellë sektorit të bujqësisë organike njohuritë e duhura.

“Prej vitesh kam dëgjuar në Shqipëri mbi orientimin e arsimit dhe dhënien prioritet të shkollave profesionale. Kjo duhet të ndodhë edhe me hapjen e kurseve profesionale mbi produktet ushqimore, sigurinë ushqimore, mësimin e teknikave të zhvillimit të organikes, e cila ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u zhvilluar në vend. Nëpërmjet edukimit, do të dalin në treg teknicienë të rinj, të cilët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë mundësitë që jep ky sektor. Kjo do të ishte një shtysë e mirë për të gjithë të rinjtë që zgjedhin të largohen nga Shqipëria.

Ky vend po mbetet pa të rinj, të cilët do të mund të bënin shumë ndryshime. Sa mundësi ka një fermer i vjetër që të marrë njohuri të reja, që të jetë i hapur ndaj ndryshimeve teknologjike? Shumë pak. Atëherë duhet punuar më shumë në krijimin e shkollave profesionale në këtë drejtim, i cili premton të zhvillohet më tej në Shqipëri”, – thotë profesor Tonon. Prof. Endrit Kulla, drejtues i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë nga përvoja, se shpeshherë, ndonëse të certifikuar bio, produkti nuk rezulton i tillë.

“Kjo do të thotë që procesi i certifikimit nuk mund të garantojë siguri të plotë. Sigurinë e plotë e jep fermeri, i cili ka zgjedhur të prodhojë bio sipas bindjes së tij dhe jo thjesht si mundësi tregu. Këta fermerë bëjnë çdo përpjekje për t’u qëndruar besnikë parimeve dhe praktikës së prodhimit biologjik. Sot, fermerë të tillë janë të rrallë”, – thotë z. Kulla.
Ai shton se, konsumatorët shqiptarë po bëhen më të ndjeshëm ndaj çështjes së ushqimit. Sipas tij, skandalet në lidhje me ushqimin apo me praktika bujqësore të palejuara, nxisin gjithnjë e më shumë konsumatorë që të kërkojnë për produkte bio. Prof. Kulla këshillon që prodhuesit duhet t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të qenë të pranishëm në treg me produkte bio që zëvendësojnë produktet konvencionale me ndotje kimike.

 

Problematikat

Nga pikëpamja e ofertës, thotë eksperti Endrit Kulla, problematikat e sektorit biologjik janë ato të prodhimit konvencional, por më të mprehta. Midis elementeve që po zvogëlojnë zhvillimin e sektorit janë sipërfaqet e vogla të fermave, që kanë vështirësi të orientohen në treg.

“Shumica e fermerëve kanë kosto të larta prodhimi, gjë që i dekurajon të angazhohen në prodhimin bujqësor. Prodhuesit biologjikë marrin rendimente më të ulëta për shkak se inputet që ata përdorin nuk janë po aq efikase sa plehrat kimike dhe pesticidet që përdorin prodhuesit konvencional. Nëse pjesa më e madhe e fermerëve konvencionalë mund ta shesin prodhim në grup te një pikë grumbulluese, për fermerin organik nuk ka pikë grumbulluese, ndaj duhet ta përgatisë dhe tregtojë produktin për pikën e shitjes me pakicë, duke i rritur kostot”, -thotë z. Kulla.

Këtyre faktorëve strukturalë u shtohet edhe përvoja e kufizuar e fermerëve si në teknologjitë e kultivimit të prodhimit biologjik, ashtu edhe njohuri menaxheriale dhe komerciale, shton z. Kulla. Këtë arsye e thekson edhe z. Raffaelle Tonon. Ai thotë për “Monitor” se në Shqipëri mungon formimi profesional i të rinjve në këtë sektor, si dhe njohuritë e përgjithshme jo vetëm për sigurinë ushqimore, por edhe të biznesit që të jetë i përgatitur për treg.

Z. Tonon shton se, sheh te sektori bujqësor potencial të madh të zhvillimit ekonomik, por mbi të gjitha, vlen të theksohet që duhen orientuar më mirë fermerët që ‘të prodhojnë autoktonë’, me cilësi të lartë, për të përmirësuar sigurinë ushqimorë, që sipas tij, Shqipëria e ka shumë të ulët.
Ekspertët theksojnë se prodhuesit biologjikë kanë edhe një kosto shtesë të konsiderueshme, atë të certifikimit.
“Për disa vite, forma e vetme e mbështetjes për prodhimin biologjik ishte një pagesë për mbulimin e pjesshëm të kostove të certifikimit, por edhe kjo është ndërprerë. Aktualisht, mungon një sistem i përshtatshëm lehtësish nga ana e qeverisë për të mbështetur prodhimin organik”, – thotë prof. Kulla. Përkundrejt kostove më të larta të produkteve bio, mungon një konsumator i gatshëm të paguajë më shumë pikërisht për të mbuluar kostot shtesë të prodhuesve biologjikë.

Prof. Kulla thotë se blerësit potencialë të produkteve bio, që kanë fuqinë blerëse për t’u ushqyer rregullisht me ushqime bio, janë një segment i vogël i shoqërisë. Sipas tij, brenda këtij segmenti, vetëm një pjesë e vogël kanë ndërgjegjësimin apo edukimin si konsumatorë që të vlerësojnë produktet bio, kryesisht emigrantë të kthyer në Shqipëri apo të diplomuar jashtë vendit, që kanë konsumuar këto produkte në vendin ku kanë jetuar apo studiuar. Një tjetër kategori konsumatorësh potencialë janë edhe turistët.
Edhe prof. Tonon shton se, duke pasur një zhvillim turizmi vitet e fundit, edhe turistët janë shumë të interesuar që të ushqehen me bio dhe të provojnë ushqime vendase, ndaj dhe agroturizmi në Shqipëri po zhvillohet. Ky sektor ka ende shumë për të dhënë, në rast se plotësohen tre kushte themelore: origjinë e kontrolluar, produkte të certifikuar dhe fermerë të përgatitur.

 

Prodhimi bio në Shqipëri

Moti i ngrohtë dhe klima e favorshme e bëjnë Shqipërinë një burim ideal të prodhimit organik, duke i shtuar kësaj edhe një tokë pjellore. Për të konkurruar denjësisht në një treg ndërkombëtar, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, fermerëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat, duke certifikuar produktet e tyre.

Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Bujqësisë, kulturat që vijojnë të dominojnë në prodhimet bio në Shqipëri janë bimët aromatike dhe mjekësore, të cilat sipas ekspertëve, përmbushin thuajse natyralisht kriteret për të qenë bio. Në vitin 2018, sipërfaqja e mbjellë me kultura të tilla arriti mbi 600 mijë hektarë, me një rënie të lehtë nga 2017.
Kultura të tjera janë gështenjat, të cilat prej shumë vitesh eksportohen në tregje të huaja, kryesisht europiane. Sipërfaqja e mbjellë me gështenja bio arriti 2770 hektarë në 2018, me një ulje të ndjeshme nga 2017, ku sipërfaqja ishte 2854 hektarë.

Tkurrjen më të madhe të sipërfaqes së mbjellë organike në 2018 e ka luleshtrydhja, 14.4 hektarë në vitin 2018, me një rënie 3-fish nga 2017, kur ishin certifikuar 43 hektarë sipërfaqe e mbjellë. Sipërfaqja e mbjellë me shafran ka mbetur e pandryshuar vitet e fundit, përkatësisht 0.4 hektar. Kultura të tjera, të certifikuara si bio janë: vreshta, perime, erëza dhe fruta pylli.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë për vitin e shkuar, janë në rishikim për t’u aprovuar si prodhim bio rreth 3.2 hektarë të mbjellë me dardhë, 13.3 hektarë ullinj (36 hektarë janë të certifikuara si bio), dhe 207 hektarë luleshtrydhe, që janë ende në proces verifikimi.
Sa i përket totalit të sipërfaqes së mbjellë, ka një rritje prej 62% të sipërfaqes në 2018, kryesisht vjen nga shtimi i sipërfaqes së frutave të pyllit.

 

Bio, si alternativë në bujqësi

A ka bio në Shqipëri? Është një pyetje që po bëhet nga të gjithë, në mesin e amullisë së krijuar edhe për sigurinë ushqimore.

Endrit Kulla, ekspert i fushës dhe përgjegjës i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se në botë, rritja e sektorit organik është kryesisht e udhëhequr nga kërkesa e konsumatorëve në vendet me të ardhura të larta që favorizojnë prodhimin organik për një sërë arsyesh, përfshirë përfitimet e perceptuara për shëndetin dhe mjedisin, përmirësimin e perceptuar të cilësisë dhe shijes së ushqimit, qasjen në prodhime të freskëta dhe duke ndihmuar prodhuesit, komunitetet dhe tregjet lokale në shkallë të vogël.

Sipas tij, edhe siguria e kohëve të fundit e sigurisë ushqimore në disa vende – dhe shqetësimet e disa konsumatorëve rreth modifikimit gjenetik në bujqësi, gjithashtu kanë ndikuar në rritjen e kërkesës për prodhime organike. Sipas tij, bujqësia organike mund të shihet si shqetësim i një lëvizjeje shoqërore që përfaqëson një alternativë për bujqësinë kryesore.

“Kushtet për zhvillimin e bujqësisë organike ndryshojnë shumë midis BE-së dhe Shqipërisë. Për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë organike janë të nevojshme rekomandime të politikave mbi atë se si mund të nxitet një zhvillim plotësues dhe i qëndrueshëm i bujqësisë organike. Duke parë zhvillimin e bujqësisë organike në Shqipëri, ne mund të shohim në një pamje të historisë së zhvillimit të politikave bujqësore organike në BE. Ashtu si në Europë, kishte dhe shpesh ende ka kontakte të ngushta me organizatat jashtë sektorit bujqësor, duke theksuar karakterin e saj si një lëvizje shoqërore në kundërshtim me institucionet tradicionale bujqësore.

Si pasojë, me ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë, lëvizja organike në Shqipëri ka zhvilluar shërbimet e saj private (zgjerimi, mbështetja për zhvillimin e tregut, informimi, trajnimi, inspektimi dhe certifikimi) dhe sistemet e sigurimit të cilësisë me standarde private që përcaktojnë bujqësinë organike. Duke ndjekur shembullin e BE-së në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, situata në Shqipëri ndryshoi në vitet e fundit me futjen e një ligji mbi bujqësinë organike dhe rritjen e përfshirjes së autoriteteve shtetërore në çështjet e bujqësisë organike (p.sh. trajnimi, këshilla, informacione, si dhe themelimi i Komisionit Shtetëror për Prodhimin Organik).

Si rezultat, përsëri si në Europë, pas disa vitesh që janë në kundërshtim me bujqësinë e zakonshme, bujqësia organike ka filluar të bëhet (ose të paktën ka në gatishmëri) një instrument i politikës bujqësore. Për më tepër, si në rastin e BE-së, situata tani kërkon që lëvizja organike të krijojë strukturat e veta politike për bashkëveprimin e të dyjave me autoritetet publike dhe me komunitetin kryesor bujqësor”, – thotë z. Kulla.

Ai shton se në Shqipëri, qeveria po përpiqet të formulojë politika për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë organike.
“Bujqësia organike në Shqipëri ka përjetuar një rritje të kufizuar në dekadën e fundit, me një regjistër të kufizuar të fermerëve organikë dhe një treg minutësh për prodhimet organike. Interesi në sektorin organik, megjithatë, shtrihet përtej një rritje të tillë të kufizuar dhe të tregut. Bujqësia organike promovohet në bazë të përfitimeve të shumëfishta që ofron; ushqim më të shëndetshëm, përmirësim të mjedisit bujqësor dhe një kontribut në ekonominë rurale.

Po rritet konsensusi se ajo sigurisht ofron disa përfitime mjedisore dhe mbi ato të bujqësisë konvencionale. Për shembull, në terma ushqyes, ndërkohë që ekzistojnë disa dëshmi se “dieta organike kryesisht zvogëlon sasinë e kimikatit toksik që prek, shmang gjithnjë OMGJ-të, redukton sasinë e aditivëve dhe ngjyrave ushqimore”, si dhe rrit sasinë e vitaminave, antioksidantëve dhe acidet yndyrore të dobishme, të tjerë kanë argumentuar se “sipas pikëpamjes sonë, dëshmitë e tanishme shkencore nuk tregojnë se ushqimi organik është më i sigurt ose më ushqyes se ushqimi i prodhuar konvencional”, – shton prof. Kulla.

Duke përmendur zhvillimin që mund të ketë kjo bujqësi në ekonominë lokale, prof. Kulla thotë se, vetëm kohët e fundit, hulumtuesit e kanë kthyer vëmendjen në rolin e bujqësisë organike në ekonominë rurale dhe në mënyrë të veçantë, potencialin për bujqësinë organike për të kontribuar në zhvillimin rural. Sipas tij, çdo masë e politikës që synon të promovojë zhvillimin e bujqësisë organike, do të nxisë edhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë rurale.

“Argumentohet shpesh se bujqësia organike mund të nxisë punësimin në zonat rurale dhe që mund të kontribuojë në zhvillimin rural, për shembull, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve mjedisore që mbështesin turizmin rural. Duke pasur parasysh implikimet e gjera të këtyre pretendimeve, nuk është për t’u habitur që ndonjëherë bujqësia organike paraqitet si një ilaç për problemet që ndesh sektori i ushqimit dhe bujqësisë. Po ashtu, nuk është për t’u çuditur që ajo të stimulojë po aq ndjenjë ‘anti-organike’ të zhurmshme që sheh në organikë një refuzim të shkencës bujqësore, që ka çuar në rritje të tilla të dukshme në rendimentet dhe produktivitetin gjatë pesëdhjetë viteve të fundit. Paralel me rritjen dhe interesin në sektorin organik, ‘ushqimi lokal’ ka marrë rëndësi më të madhe ekonomike, mjedisore dhe simbolike. Pjesa më e madhe e kësaj ka të bëjë me zvogëlimin e kostove mjedisore, por edhe dëshirën për të rritur multiplikatorët ekonomikë lokalë dhe për të kontribuar në (ri)lidhjen e fermerëve dhe konsumatorëve.

Megjithëse prodhimi organik nuk është domosdoshmërisht ‘lokal’, ekziston një lidhje e ngushtë midis ushqimit lokal dhe ushqimit organik. Kombinimi i një niveli më të madh të konsumit të produkteve vendase organike do të çonte në kursime të konsiderueshme, që shoqërojnë reduktimin e eksternaliteteve mjedisore. Në kundërshtim me situatën në Europë, deri më tani në Shqipëri, nuk ka hulumtime mbi politikat bujqësore organike dhe mbi implikimet e zhvillimit më të fundit në zonat rurale. Duke marrë parasysh përvojën në BE, mund të argumentohet se masat e politikave do të nxisin zhvillimin e bujqësisë organike. Megjithatë, deri më tani, qeveria nuk e ka analizuar këtë sektor dhe nuk ka ide të saktë se çfarë lloj masash të politikës duhet të përdorin për ta mbështetur atë”, – përfundon ai.

 

Bio

Një produkt nuk është organik, vetëm se atë e keni blerë tek një fermer që përpiqet t’ju sigurojë se është kultivuar në oborrin e shtëpisë së tij dhe se është “i freskët”. Specifikat mbi vendndodhjen e fermës apo kopshtit, toka ku këto produkte janë rritur, çfarë është përdorur për të plehëruar tokën, a është kjo tokë e ndotur me mbetje apo të ngjashme dhe në çfarë “mënyre këto produkte janë transportuar deri në vendin e shitjes” janë tejet të rëndësishme për të përcaktuar se çfarë është vërtet organike.

 

 

Nga produktet ushqimore, te kozmetika dhe trajtimet dermatologjike, produktet bio gjejnë zbatim në shumë fusha

Juri Kadiu, drejtuesi i një supermarketi që tregton vetëm produkte bio, thotë për “Monitor” se duke marrë shkas nga përvoja jashtë vendit dhe duke parë trendin në rritje të konsumit të produkteve organike, vendosi që të hapë edhe në Shqipëri një supermarket me produkte bio. Duke qenë se u bë një vit që operon në Shqipëri, z. Kadiu thotë se, produktet janë pritur mirë, pasi ofrojnë garanci.

“Ne importojmë nga Holanda, Italia, Franca, Gjermania, etj. Janë produkte që kanë zgjuar interes te klientët dhe kemi pasur xhiro që muajin e parë. Vërtet janë më të shtrenjta se sa produktet në supermarkete të tjera, megjithatë ka edhe oferta të mira. Kostoja për prodhimin e këtyre produkteve është dukshëm më e lartë, por duhet marrë në konsideratë se sa të shëndetshme janë. Për momentin është e rëndësishme që po krijohet një kulturë e re, e konsumimit të këtyre produkteve. Mendoj, se ky trend do të zgjerohet në të ardhmen”, – tha Juri, i cili shton se nuk tregton asnjë produkt shqiptar të certifikuar si bio.

Një tjetër biznes që funksionon në fushën e produkteve natyrale, është ai i kozmetikës bio. Anta Haxhiraj nuk e mendonte se linja e saj e produkteve bio kozmetike do të kishte sukses, kur nisi të prodhonte kremrat e parë, bazuar në njohuritë e saj si dermatologe. Por, pas 3 vitesh aktivitet dhe hapjes së dyqanit fizik në Bllok, ajo thotë se interesi i shqiptarëve për produkte kozmetike bio është në rritje.
“Femrat shqiptare janë ndërgjegjësuar, e njohin më mirë bio-n, përveç produkteve të prodhuara vetë, në dyqan kam sjellë dy marka të njohura organike, PuroBIO Cosmetics dhe Biofficina Toscana, të dyja nga Italia. Produktet e certifikuara 100% natyrale, tregtohen në disa dyqane e farmaci të Tiranës dhe qyteteve të tjera”,- thotë Anta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of