Turbinat moderne të erës – disa me lartësi mbi 160 metra – janë një pamje e zakonshme në shumë vende të botës, duke siguruar energji elektrike për dhjetëra miliona familje dhe vende pune për miliona njerëz. Megjithatë, turbinat me erë janë një pamje e rrallë në Afrikë, një kontinent me nevoja të mëdha energjetike dhe potencial të konsiderueshëm në energjinë e erës.
Ndërsa COVID-19 ka shkaktuar ndikime të mëdha negative në ekonomitë afrikane, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike prej 2.3-3.4% në të gjithë Afrikën Nënsahariane këtë vit. Për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike, rajoni do të ketë nevojë për energji të pastër, të përballueshme dhe të besueshme, që do të thotë se energjia diellore dhe e erës duhet të luajnë një rol të madh.
Energjia e erës po tregon potencialin e saj. Sipas Këshillit Global të Energjisë së Erës (GWEC), në vitin 2020, në mbarë botën u shtua një rekord prej 93 GW në kapacitetin e energjisë së erës. GWEC gjithashtu parashikon se gjatë 5 viteve të ardhshme, do të instalohen edhe 469 GW në kapacitetin e energjisë së erës, në nivel global.
Pavarësisht nga kjo rritje globale, Afrika përbën më pak se 1% të kapacitetit global të energjisë së erës. Sidoqoftë, ka arsye për të qenë optimistë në lidhje me mundësinë për zhvillimin e energjisë së erës në Afrikë, pasi studimet e fundit tregojnë se kontinenti zotëron më shumë burime për gjenerimin e energjisë së erës, sesa mendohej më parë.
Vitin e kaluar, IFC kreu një studim për të vlerësuar potencialin e Afrikës për energjinë e erës dhe zbuloi se ajo zotëron një potencial të jashtëzakonshëm prej gati 180,000 terravat orë (TWh) në vit – mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e kontinentit për energji, 250 herë më shumë.
Potenciali komercial ose praktik i erës do të ishte shumë më pak se kaq, sepse u nënshtrohet kufizimeve teknike, financiare, mjedisore dhe sociale. Gjithashtu, studimi zbuloi se dy të tretat e potencialit të përgjithshëm të energjisë së erës në Afrikë, ndodhet në vende me shpejtësi mesatare të erës mbi 7.5 metra në sekondë. Kjo është një shifër e mirë që përmbush kushtet optimale për operimin e turbinave të erës.
Pse po e kuptojmë vetëm tani potencialin e jashtëzakonshëm të energjisë së erës në Afrikë? Një arsye janë turbinat e erës. Përparimet në teknologji, të kombinuara me ekonominë e prodhimit në shkallë, kanë çuar në prodhimin e turbinave që janë në gjendje të kapin erën, në mënyrë shumë më produktive në vendet ku shpejtësia e erës do të ishte konsideruar tepër e ulët pesë vjet më parë.
Një arsye tjetër është përmirësimi i aftësisë për të zbuluar zonat me potencial të lartë në energjinë e erës, duke përdorur modele me rezolucion të lartë. Një surprizë e madhe e studimit ishte ajo që zbuluan rezultatet në lidhje me shpërndarjen e gjerë gjeografike të potencialit të energjisë së erës. Studimi zbuloi zona me potencial të lartë në disa vende, të cilat më parë nuk ishin parë me interes në këtë fushë të energjisë.
Të tilla vende përfshijnë zona në Namibi, Botsvana, Bregun e Fildishtë, Kamerun, Mauritaninë, Madagaskar dhe Tunizi. Në shumë raste, burimet më të mira të energjisë së erës ndodhen në zonat me kërkesë të lartë për energji, si qytetet. Për më tepër, në shumë prej këtyre zonave, era fryn më fort në fillim të mbrëmjes dhe herët në mëngjes, kur kërkesa për energji elektrike është më e larta. Kjo e bën energjinë e erës plotësuese të përsosur të energjisë së diellit, ku pjesa më e madhe gjenerohet gjatë ditës.
Pavarësisht këtij potenciali, ka edhe sfida të rëndësishme, siç ka mësuar IFC gjatë dhjetë viteve të fundit përmes investimeve në 67 projekte të energjisë së erës në të gjithë botën, që përfaqësojnë mbi 4.500 MW kapacitet të ri. Këto sfida përfshijnë mungesën e familjaritetit me teknologjinë e erës në nivel kombëtar, kushtet makroekonomike dhe sektoriale që e bëjnë të vështirë aksesin në financime për zhvillimin e nismave të energjisë së erës dhe logjistikën e lidhshmërisë, që lidh energjinë e erës me linjat e transmetimit.
Gjithashtu e dimë se ndërtimi i potencialit të energjisë së erës në Afrikë, kërkon instalimin e turbinave të erës në vendet e duhura, ku ato mund të jenë më përfituese për komunitetet dhe njëkohësisht të mos ndikojnë negativisht në biodiversitetin rajonal.
Kjo është arsyeja pse IFC kërkoi ndihmën e kompanive Everoze dhe The Biodiversity Consultancy, për të identifikuar zonat që mund të jenë veçanërisht të rrezikuara nga ndikime të tilla negative, si zonat e mbrojtura dhe të njohura ndërkombëtarisht për biodiversitetin, korridoret e rëndësishme migratore të shpendëve dhe zonat e njohura ku ndërtojnë fole shpendët grabitqarë, për t’i përjashtuar ato si zona ndërtimi.
Kjo është gjithashtu arsyeja pse po kërkojmë të angazhohemi me komunitetet lokale për të krijuar mundësi për ndarjen e përfitimeve nga projektet e energjisë së erës. IFC ka punuar ngushtësisht me zhvilluesit për të lehtësuar ndarjen e përfitimeve në komunitetin lokal, nga projektet e energjisë së erës dhe të diellit.
Potenciali i energjisë së erës në Afrikë paraqet një mundësi dhe një sfidë domethënëse për përfshirjen e sektorit privat, dhe për IFC-në, ndërsa ne punojmë me partnerët tanë për të identifikuar projekte të qëndrueshme.
Ne shpresojmë që të sjellim investime sa më të mëdha në projektet e energjisë së erës globalisht, për të ndihmuar në adresimin e deficitit të energjisë së erës në Afrikë dhe për të pasur ndikim real në zhvillimin e qëndrueshëm të kontinentit.
Ne planifikojmë të rrisim prodhimin e energjisë së erës, duke ndërthurur një sërë shërbimesh nga Grupi i Bankës Botërore nën një angazhim të vetëm, që synon rritjen e prodhimit të energjisë së erës në tregjet në zhvillim – duke u përqendruar fillimisht në Afrikë. / World Economic Forum
KËSHTU PRA DUHET TË ZHVILLOHET BOTA!! EDHE KOMPANITË, EDHE SHTETET EDHE MILIARDERËT KËSHTU DUHET T’I SHTOJNË TË ARDHURAT DUKE INVESTUAR PËR ZHVILLIMIN E EKONOMISË, RRITJEN E PUNËSIMIT, TË MIRËQËNIES, MBROJTJES DHE PASTRIMIT TË MJEDISIT, JO DUKE PRODHUAR ARMË MODERNE SHFAROSËSE, DUKE PRODHUAR AVIONË MODERNË TË SOFISTIKUAR VRASËS DHE BOMBARDUES QË KUSHTOJNË QINDRA E MIJËRA TRILIARDA DOLLARË!!!
KËSHTU BOTA BËHET MË E PASTËR, MË E ZHVILLUAR, MË E BUKUR, MË E JETUESHME, MË SHËNDETSHME DHE PA LUFTRA!!