Flet Zak Topuzi, Shoqata e Hotelierëve
Dhënia e një seri lejesh për ndërtime vilash përgjatë bregdetit ka ngushtuar hapësirat që mund të shfrytëzohen për hotele.
Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, pohon se deri më sot, në dokumente zyrtare dhe në deklarata, qeveria nuk është e qartë për zhvillimin që do të ketë vendi në aspektin turistik.
Ai nënvizon se në Veri, nga ana tjetër, hapësirat për të ndërtuar dhe për të zhvilluar më me kujdes modelin janë më të mëdha, por ka nevojë që ky rajon të mbështetet me infrastrukturë, e cila aktualisht është e dobët.
A ka sot Shqipëria një model të qartë të turizmit në vend apo jemi ende në një zhvillim të paorientuar?
Shqipëria nuk ka sot, një model të qartë zhvillimi të turizmit. Prej 10 vitesh, strategjia e saj, në pjesën më të madhe të kohës ka munguar.
Pas vitit 2013, Strategjia IV mbeti pothuaj draft për të marrë formë të plotë me Strategjinë 2019-2023, e cila kish 4 shtylla kryesore: Tirana si qendër turistike, Alpet, Marinat e Adriatikut, Jugu si Pol i Turizmit Elitar, pa lënë pas dore agroturizmin.
Qëndrimi i Kryeministrit nuk ka qenë i qartë në mesazhet që ka dhënë. Ka folur për dhjetë milionë turistë, që duhet të arrijë Shqipëria deri në fund të mandatit, duke nënkuptuar turizmin masiv, ndërkohë reklamon investimet në Turizmin Blu si Portin e Durrësit, Marinat në gjithë vijën bregdetare për turizëm elitar.
Strategjia flet për Turizëm elitar në Jug, kur investimet, kryesisht për vila, kanë zënë vëmendjen kryesore dhe vijën e parë të bregut, duke bllokuar mundësinë e ndërtimit të strukturave për akomodim turistik dhe duke zbehur potencialin e madh që ka ajo zonë.
Sigurisht një strategji afatshkurtër, sektoriale që mbaron vitin tjetër, me studime pjesore, duke zhvilluar territore në mënyrë selektive, të miratuara më VMK të veçantë për çdo zonë, nuk jep një mesazh të qartë zhvillimi, sidomos për investitorët potencialë që pretendojnë të zhvillojnë kapacitete akomodimi turistike si resorte apo hotele me kapacitete të mëdha.
Pse po rezulton i suksesshëm modeli i Durrësit, që ka kaluar në disa faza, ku më parë nuk ka munguar braktisja dhe ndërtimi kaotik?
Bregdeti Durrës – Golem po kthehet gradualisht në potencialin kryesor turistik të vendit, duke pritur rreth 63% të turizmit të detit e rërës. Në vitin 2009, Ministria prezantoi përpara shoqatave dhe grupeve të interesit një studim mbi Rikualifikimin të zonës, me qëllim vitalizimin dhe kthimin për akomodim turistik (zona ishte zhvilluar kryesisht për apartamente të dytë), duke rindërtuar infrastrukturën turistike, rrugët dytësore, përpunimin e ujërave të zeza, furnizimin me energji dhe ujë 24 orë, etj.
Investimet vazhdojnë dhe sot nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Kjo nxiti ndërtimin e hoteleve të reja me kapacitete të mesme e të mëdha me standard dhe grupimit të apartamenteve që më parë shfrytëzoheshin në mënyrë individuale, apo kishin mbetur pa shitur. Sot, ky Pol ka filluar të shfrytëzohet 180 ditë falë investimeve private cilësore
Jugu është në fazën e “ndërtimit”. Nuk mungojnë edhe struktura akomoduese me kapacitet të lartë, por pjesa më e madhe e projekteve janë vila dhe fshatra turistikë. Si mund të zhvillohet modeli i Jugut në panoramën aktuale dhe cili duhet të jetë turizmi që duhet ta përkufizojë për specifikat që ka?
Bregdeti i Jugut është potenciali më i madh i vendit për turizmin elitar dhe më cilësori, duke konkurruar denjësisht për nga resurset natyrore me vendet e rajonit. Greqia si lider në këtë fushë (turizmi elitar, i siguron rreth 20 miliardë euro në vit) është modeli, nga i cili mund të merret përvoja më e mirë.
Mali i Zi gjithashtu ka bërë një hap cilësor të dukshëm drejt turizmit elitar me investime serioze në Turizmin Blu dhe hotele me kapacitete të mëdha, ku kanë investuar markat më të mëdha botërore të hotelerisë.
Dy nga portet e jahteve më cilësore në Mesdhe janë ndërtuar në Tivat dhe Novi. Sipas ekspertëve, vetëm Plazhi Dhërmi (përfshin Palasë, Drimadhë, Dhërmi), me sipërfaqe 270.000 metra katrorë mund të përpunojë rreth 500,000 – 1.000.000 pushues elitarë.
Për shkak të politikave të gabuara të ndjekura gjatë 32 viteve po humbet potenciali turistik. Sot, turizmi elitar po kthehet në industrinë më të rëndësishme për ekonomitë e BE-së.
Rreth 170 miliardë euro sigurohen nga ky turizëm në Europë, duke konsumuar vetëm 2% të kapaciteteve akomoduese, por siguron rreth 22% të të ardhurave të turizmit dhe 32% të të ardhurave që vijnë nga shërbimet e shopping. Brenda vitit 2035, të ardhurat nga turizmi elitar parashikohet të arrijnë në 540 miliardë euro.
Kjo kërkon një analizë serioze dhe strategji për të ndërmarrë nismat e duhura nga qeveria. Çdo gabim në hapat që po ndërmerren, do të jetë me pasoja për ekonominë e vendi. Të mos harrojmë se Shqipëria është vendi i dytë në Europë me ndikimin më të madh të turizmit në ekonominë e vendit (Turizmi & Udhëtimi zënë 22% PPB). Investimet strategjike të zhvilluara në pjesët më vitale të bregdetit me vila si investime imobiliare (pasuritë e patundshme), po konsumon gradualisht këtë potencial, duke i humbur shansin e artë që zotëron në raport me fqinjët.
Veriu mbetet pak i mënjanuar në turizmin e detit dhe rërës. Ka një zhvillim standard, por jo domethënës. A ka potencial për rritje më të shpejtë dhe të ngjashme me Durrësin dhe çfarë mund të bëhet për ta mbështetur këtë model?
Bregdeti i Adriatikut është një potencial mjaft i madh, i pashfrytëzuar plotësisht. Ka një zhvillim befasues Velipoja dhe Shëngjini. Vitet e fundit janë ndërtuar mjaft hotele me kapacitete të mëdha e mesatare, duke dhënë shpresa për një kualifikim në zonë me potencial të madh të turizmit të rërës e detit.
Ndërtimi i shumë agrobizneseve në këtë zonë, me një kuzhinë autentike, duke konkurruar me Tiranën, i kanë dhënë mundësi për të zgjatur sezonin. Shkodra, si qershia mbi tortë, është kthyer në një pol të rëndësishëm të turizmit ditor që vjen nga Kosova dhe Mali i Zi.
Është një zonë ku ka hapësira për resorte e hotele të mëdha, për të shtuar kapacitetet akomoduese. E meta kryesore është infrastruktura rrugore që krijon trafik të vazhdueshëm, gjatë sezonit pik dhe bëhet pengesa kryesore e lëvizjeve.
Korridori Blu që parashikohet në vazhdim, nuk e përmirëson sa duhet këtë situatë. Duhet një ndërhyrje urgjente për të zgjeruar rrugën Milot – Shkodër. qoftë dhe vetëm një korsi shtesë.
Turizmi në vend është më shumë produkt i përpjekjes së sipërmarrjes sesa politikave të unifikuara të qeverise, duke sjellë zhvillim të copëzuar dhe me luhatje në standarde dhe cilësi. Si mund të arrihet zhvillimi i plotë i sektorit në potencialin që ka dhe cilat mund të jenë masat mbështetëse direkte (subvencione etj.) dhe ato indirekte (infrastrukturë, kanalizime, mbetje)?
Shembulli më përfaqësues është vitalizimi i plazhit te Shkëmbi Kavajës, ku disa nga hotelet cilësore (rreth 3000 shtretër) investuan për ndërtimin e një pedonale me fondet e tyre dhe përmirësuan destinacionin me shërbime cilësore, duke e kthyer në turizëm gjithëvjetor.
Ka vetëm një mundësi zhvillimi të plotë të kapaciteteve turistike në vend.
Një Master Plan dhe Strategji Turizmi – afatgjatë. Një “pakt politik” me miratimin e të gjitha forcave politike në Parlament (si Reforma në Drejtësi) dhe zbatimi i tij pavarësisht ndërrimit të qeverive. Një Ministër Turizmi që të jetë dhe ZV/K. Ministër për të pasur fuqi të plotë ekzekutive.
Një strategji mund të jetë shumë e mirë por për t’u zbatuar kërkon struktura dhe fonde të dedikuara. Sigurisht dhe politika subvencionimi për të përballuar konkurrencën rajonale. Nuk mund të kesh shërbime me standard pa pasur punonjës të kualifikuar, të cilët mungojnë për arsye të sezonalitetit të ulët.
Në rastin më të mirë pas 5 muajsh ky punonjës duhet t’i kthehet bujqësisë ose ndërtimit. Tek ne nuk është ende profesioni i konsoliduar i “Punonjësve të turizmit”. Rajoni ka ndjekur politika subvencionimi për punonjësit sezonal të turizmit. P.sh. Greqia subvencionon 5 muaj pagën për të pasur vazhdimësi. Vendet e rajonit kanë ulur TVSh për restorantet dhe baret, etj.
Vetëm politika fiskale e uljes së TVSH-së në 6% dyfishoi për dhjetë vjet numrin e kapaciteteve akomoduese (sot 95,000 shtretër), duke bërë të mundur përballimin e konkurrencës rajonale. Rajoni ka bërë ndërhyrje të tjera nxitëse, duke përgjysmuar TVSh në sektorin e restorantit.
A është Shqipëria sot një “markë”? A kemi zbuluar tiparet tona më të mira për t’i marketuar dhe për të krijuar një identitet të qartë, apo mbetemi ende një treg i pakonceptuar qartë për atë që ofrojmë?
Shqipëria nuk është e dukshme në tregun botëror të turizmit. Ne duhet të luftojmë për të krijuar një markë. Male, det, lumenj, pyje kanë sot të gjithë vendet, ndaj duhet të identifikohemi.
Në Malin e Zi konkurrojnë markat mes tyre, është ndryshim i madh. Kemi shumë marka të njohura që kanë firmosur kontrata në Shqipëri, por veçse 3-4 që kanë filluar operimin, jemi në fazën e prerjes së shiritave. Ende nuk ka një zhvillim serioz në bregdet ku dhe është potenciali kryesor.
Na mungojnë aeroportet rajonale, pa të cilat nuk mund të flasim për turizëm elitar apo të strukturuar. Infrastruktura rrugore ka përmirësime të dukshme, por është larg kërkesave të kohës. Për të shkuar në destinacion na duhen shumë orë.
Vazhdojmë të derdhim ujërat e zeza në det. Nuk kemi asnjë Plazh Blue Flag për t’u renditur krahas konkurrentëve rajonalë për plazhe cilësore apo elitare. Mjafton të shohësh fqinjët, Mali i Zi ka 31 plazhe të tillë. Shqipëria nuk ka një sistem të klasifikimit të strukturave akomoduese me yje, duke e vënë në vështirësi për renditjen në tregun Ballkanik. Të gjitha këto kërkojnë vëmendje maksimale, për të kapur kohën e humbur.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.