Sa kapacitet financiar kanë kompanitë e përzgjedhura për projektet me Partneritet Publik-Privat që të realizojnë investime të mëdha. Si paraqitet aftësia e tyre paguese, a janë të ngarkuara me borxhe dhe a janë bankat të gatshme t’i financojnë ato.
Pse të gjitha institucionet ndërkombëtare, por dhe ekspertët, janë kundër PPP-ve. Kronika e një dështimi të paralajmëruar dhe fillimi i tërheqjes së qeverisë
Nga Ornela Liperi
Teksa qeveria është angazhuar në një valë projektesh të Partneritetit Publik-Privat (PPP), që arrijnë në mbi 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dilema të shumta po e shoqërojnë këtë proces. Institucionet financiare si FMN, BERZH, Banka Botërore e kanë shprehur hapur skepticizmin, duke përmendur rrezikun e borxhit të fshehur jashtë bilanci, aftësinë administrative për t’i menaxhuar ato, raportin kosto-përfitime, mosdarjen e riskut me privatin, mungesën e procedurave konkurruese etj. Edhe ekspertët janë kundër, të cilët shkojnë deri aty sa të shtrojnë pikëpyetjen nëse këto projekte mund të shërbejnë për pastrimin e parave.
Qeveria parashikon dhënien me koncesione të ndërtimit të rrugës Milot-Balldren (160 milionë euro, që është fituar nga A.N.K); Orikum-Himarë (48 milionë euro, e fituar nga Gjikuria); ndërtimi dhe operimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, që për momentin u pezullua (360 milionë euro, ishte fituar nga Gener 2), Rruga e Arbrit (240 milionë euro, e fituar nga Gjoka Konstruksion); Autostrada Kashar-Rrogozhinë (680 milionë euro, në projekt); Autostrada Tiranë-Durrës (390 milionë euro, në projekt me pretendent Alb-Star). Në total janë projekte me vlerë rreth 1.9 miliardë euro, e barabartë me rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto vjetor, ose gati gjysma e buxhetit të një viti.
Arsyeja kryesore që dha qeveria për projektet e Partneritetit Publik-Privat lidhej me faktin që buxheti i shtetit nuk ka fonde të mjaftueshme për të ndërtuar këto vepra madhore, ndaj kompanitë do të ndërtonin me fondet e veta apo nëpërmjet kredive bankare dhe shteti do t’u paguante me këste dhe interesa (pagesa e parë bëhej kur të kishin mbaruar të paktën 25% e punimeve).
Këtu lind dhe një tjetër dilemë, më pak e debatuar deri tani, ajo e kapacitetit financiar që kanë kompanitë e angazhuara për të përballuar me fondet e veta fazën fillestare të projektit. Kësaj i shtohet dhe dilema tjetër, nëse bankat në Shqipëri, që vitet e fundit, po tregohen tepër të kujdesshme në huadhënie, janë të gatshme që të kreditojnë shuma të mëdha, përmes huave sindikatë.
“Monitor” ka analizuar bilancet financiare të vitit 2017, të kompanive që janë angazhuar me kontrata Partneriteti Publik-Privat A.N.K., Gjikuria, Gener 2, Gjoka Konstruksion, si dhe Albstar. Sipas deklarimeve zyrtare në bilanc, kompanitë kanë të ardhura, likuiditete dhe kapital modest në raport me projektet që pretendojnë të financojnë, ndërkohë që kanë nivel më të lartë detyrimesh në raport me mjetet e veta (me përjashtim të Alb-Star), çka e bën të vështirë marrjen e kredive në banka.
Dy kompanitë më të mëdha janë Alb-Star dhe Gener 2, me të ardhura rreth 68 milionë euro secila. Këto janë dhe kompanitë më të mëdha të ndërtimit në Shqipëri, sipas të ardhurave. Alb-Star ka një kapital total prej 50 milionë eurosh dhe Gener 2, rreth 28 milionë euro.
Asetet afatshkurtra, që tregojnë likuiditetin e kompanisë (si cash-i në bankë dhe llogaritë e arkëtueshme) janë 60 milionë euro për Alb-Star dhe 38 milionë euro për Gener 2.
Pas tyre renditet Gjoka Konstruksion me 36 milionë euro të ardhura dhe asete afatshkurtra 43 milionë euro.
Kompani më të vogla janë Gjikuria dhe A.N.K, me të ardhura përkatësisht 19.5 dhe 16.5 milionë euro dhe asete afatshkurtra që nuk i kanë 14 milionë euro secila.
Me përjashtim të Gjoka Konstruksion, që ka një normë fitimi prej 16%, kompanitë e tjera e kanë këtë tregues minimal, në 1-4%. (Për më shumë detaje shiko tabelën: “Të dhëna financiare të disa kompanive të përfshira në projektet PPP”).
Kompanitë, më shumë borxhe sesa mjete të vetat
Sipërmarrjet e ndërtimit të rrugëve nuk i kanë “shpëtuar” tendencës së përgjithshme të ekonomisë shqiptare, ku kompanitë kanë një nivel të lartë të detyrimeve (borxheve), në raport me mjetet e veta, kryesisht të marra nga palë të treta jo banka, psh ortakët. Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë maksimumi 1, pra detyrimet të jenë të barabarta me kapitalin. Ai përdoret për të matur qëndrueshmërinë, shëndetin e kompanisë dhe aftësinë e saj për të paguar detyrimet.
Në rast se ky raport po rritet, kompania po financohet nga kreditorët sesa nga mjetet e veta, që mund të jetë një tendencë e rrezikshme. Huadhënësit dhe investitorët zakonisht preferojnë raporte të ulëta të borxhit ndaj kapitalit. Bankierët pohojnë se në Shqipëri ata preferojnë që ky raport, i cili tregon se sa kompania financohet me borxhe dhe sa me mjetet e veta, të jetë më i ulët se 1, për shkak se do të jenë më të mbrojtura në rast se biznesi ka probleme.
Nga kompanitë në fjalë, vetëm Alb-Star ka një raport të detyrimeve/kapitalit prej 0.8, pra më të ulët sesa 1 (ka më pak borxhe sesa mjete të veta) dhe Gjoka e ka këtë raport në 1.13. Treguesin më të përkeqësuar e ka Gjikuria, pra 4.96 (detyrimet janë pesë herë më të mëdha se kapitali), A.N.K e ka 3.96 dhe pak më të ulët e ka Gener 2, në 2.13.
Bankat, skeptike për kredi sindikatë
Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare. Bëhet fjalë për hua në shuma të mëdha, të cilën, një bankë e vetme është e pamundur ta financojë një koncesion. Bankat, në bazë të ligjit, nuk mund të japin kredi për një klient të vetëm më shumë se 20% të kapitalit të tyre rregullator (10% kur bëhet fjalë për një kompani që ka lidhje me grupin bankar).
Banka më e madhe në vend ka një kapital prej rreth 300 milionë eurosh, pra nuk mund të japë hua më shumë se 60 milionë euro për një klient të vetëm.
Ndonëse bankat vitet e fundit e kanë rritur kapitalin, si kërkesë rregullatore e Bankës së Shqipërisë apo se një pjesë e fitimeve nuk janë shpërndarë si dividend, por kanë kaluar si shtesë kapitali, bankat nuk kanë qenë të prira të rrisin shumën e financimit për një klient të vetëm.
Zgjidhja e vetme për kredi në shuma të mëdha, pohojnë bankierët, është nëpërmjet huave sindikatë.
Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. “Projektet sindikatë janë me risk të lartë dhe nuk kanë rezultuar shumë të suksesshme”, thotë drejtuesi i departamentit të kredisë së një banke, që ka qenë e përfshirë në një hua të tillë. Bankat shpesh kanë hasur vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët, për vendime si p.sh. ristrukturimi i huasë. Për më tepër që pjesa më e madhe e bankave janë përfshirë në një proces shitblerjesh, duke e lënë mënjanë huadhënien.
Në fund të vitit 2017, kapitali rregullator i sistemit bankar, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 1.1 miliardë euro. Sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.
Një tjetër problem është ekspozimi i kredimarrësit. Nëse kompania ka hua në të paktën një prej bankave të projektit sindikatë, kjo mund të çojë në mosmiratimin e kredisë së përbashkët.
Kreditë sindikatë
Teksa kompanitë më të mëdha të ndërtimit në vend nuk rezultojnë të kenë kapitalet e mjaftueshme për të ndërtuar projekte që i tejkalojnë disa herë të ardhurat e tyre vjetore dhe kapitalin e disponueshëm, shpresa kryesore e financimit të PPP-ve është nëpërmjet kredive bankare sindikatë. Por, këto hua janë pak të preferuara nga bankat në Shqipëri. Për më tepër, sikur të gjitha bankat të mblidheshin bashkë (që nuk ka gjasa të ndodhë), shuma maksimale që mund të jepej për një klient të vetëm është 220 milionë euro.
Fillon tërheqja nga koncesionet
Pa u vënë mirë në punë projektet e sapomiratuara, kanë filluar tërheqjet e para. Ministrja e re e Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë, Belinda Balluku, në daljen e parë publike, tha se “kam vendosur ndërprerjen e procedurës së Partneritetit Publik -Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti, qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”.
Ajo shtoi se “natyrisht ne nuk do të heqim dorë nga ndërtimi i këtij aksi të rëndësishëm kombëtar, aq më tepër që projekti është gati. Ky aks ka një rëndësi shumëfishe dhe jemi duke studiuar përfshirjen e tij në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, ku në fazën e parë parashikohet ndërtimi i aksit Tiranë-Ndroq-Plepa dhe në fazën e dytë, ndërtimi i aksit Kashar-Rrogozhinë. Ideja është që pikërisht këtij aksi, pra Kashar-Rrogozhinë t’i shtohet edhe aksi Thumanë-Kashar, i cili garanton qoftë hyrjen e shpejtë nga njëra anë, nga Veriu dhe qoftë aksesin më të shpejtë nga Veriu drejt Jugut, gjatë sezonit turistik”, tha Balluku”.
Në të njëjtën kohë, qeveria çoi në Kuvend një draft të ri për koncesionet, sipas të cilit nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë. Përjashtim bëjnë vetëm ofertat për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.
Drafti parashikon dhe shfuqizimin e sistemit të shpërblimit me pikë bonus të propozuesve të pakërkuar dhe forcon rolin monitorues dhe kontrollin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, jo vetëm gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të koncesionit/PPP, por edhe në zbatimin e kontratave të koncesionit/PPP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.