Pr.ligj/ Siguria ushqimore, nga vendosja e tarifave të analizave për importuesit, deri të ndryshime mbi ankimimin e gjobave

14/11/2019 11:00 AM 0 komente

Gjatë viteve të fundit, është konstatuar se një numër i konsiderueshëm biznesesh kontrolloheshin për aspekte të ndryshme të sigurisë ushqimore nga dy inspektoriate. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetsor (ISHSH). Kjo vinte si rezultat i disa dispozitave të paqarta në ligjin për ushqimin dhe atij që rregullon veprimtarinë e ISHSH. Një projektligj i ri do të sjellë disa ndryshime të rëndësishme në procesin e garantimit të sigurisë ushqimore, si dhe rritjes së efikasitetit të kontrolleve. Sipas detajeve nga relacioni që shoqëron pr.ligj, ndryshimet nisin me plotësimin e strukturës së vendeve vakante të AKU-së.

Nga ana tjetër gjatë zbatimit të ligjit të mëparshëm, është konstatuar se nuk parashikohej një sërë aktesh nënligjore, për të cilat është detyrim përafrimi dhe janë të lidhura direkt me hapjen e eksporteve shqiptare. Gjithashtu, ndryshimet e tjera lidhen me përcaktimin e tarifës zero të licensimit të stabilimenteve, shpenzimet për analizat laboratorike të produkteve të importit do kryhen nga importuesit. Një tjetër ndryshim bën fjalë se subjektet të cilat, gjobiten në një inspektim të vetëm mbi 300 000 lekë, kanë të drejtë ankimimi. Në një masë kundravajtje administrative më të ulët, nuk mund ngrihet komisioni.

Sipas relacionit, Ky prligj, i cili pritet të miratohet në fund të këtij viti, do të sjellë rritje të fondeve shtesë nga buxheti i shtetit, i cili do të përfshijnë kostot e drejtpërdrejta për sektorin publik (AKU, procesi i monitorimit), të përllogaritura afërsisht 110,400 mijë lekë.

 

 

Ndryshimet:

 

Neni 2 riformulon pikën 4, të nenit 17, duke përcaktuar se për produktet ushqimore që importohen shpenzimet për kontrollin zyrtar, marrjen e mostrave dhe kryerjen e analizave laboratorike përballohen nga importuesi.

Neni 3 shfuqizon nenin 21, i cili parashikon përcaktimin e tarifave të licencimit të stabilimenteve dhe mënyrën e shpërndarjes të të ardhurave prej tyre me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo tarifë nuk është aplikuar asnjëherë dhe gjykojmë që, në kuadër të lehtësimit të biznesit, nuk është e nevojshme që të fillojë tani aplikimi i kësaj tarife.

Neni 4 ndryshon pikën 7, të nenit 26, duke saktësuar kush përjashtohet nga sistemi i vetëkontrollit dhe cilat janë kushtet për t’u përfshirë në përjashtimin nga ky sistem.

Neni 5 shfuqizon nenin 31, i cili flet për asgjësimin e ushqimeve të reja. Legjislacioni i BE-së e trajton asgjësimin e këtyre ushqimeve në mënyrë të njëjtë me asgjësimin e ushqimeve, që nuk plotësojnë kërkesat për konsum human. Ligji aktual i ushqimit, në nenin 69 ka të parashikuar bllokimin dhe asgjësimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë.

Neni 6 shton në fund të nenit 38 dy paragrafë, të cilët kanë të bëjnë me përcaktimin e tarifave për kryerjen e kontrollit zyrtar, pajisjen me dokumentin që vërteton sigurinë e ngarkesës, marrjen e mostrave dhe analizimin e tyre, si dhe paragrafi i dytë parashikon bazën për nxjerrjen e akteve nënligjore.

Neni 7 bën ndryshime në nenin 45 dhe konkretisht shfuqizon pikën 2, të këtij neni, e cila kërkon të përcaktohen kushtet që duhet të plotësojnë laboratorët e autorizuar që kryejnë veprimtari bazë. Duke qenë se kushtet që duhet të plotësojnë këta laboratorë kanë të bëjnë me praktikat e mira laboratorike, në këtë nen është riformuluar edhe pika 3, e nenit 45, të ligjit, duke përcaktuar që laboratorët e autorizuar të kontrollit, për kryerjen e veprimtarive bazë dhe të specializuara, duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në praktikat e mira laboratorike.

 

Neni 8 shton në fund të nenit 61 përcaktimin se marrëdhëniet e punësimit të punonjësve dhe inspektorëve të AKU-së rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në Kodin e Punës.

Neni 9 ndryshon nenin 70 të procedurve të kundërvajtjeve administrative duke u bazuar në ligjin për kundërvajtjet administrative. Gjithashtu, në këtë nen përcaktohet se vendimet e marra nga komisionet janë tituj ekzekutivë dhe rrjedhimisht vjelja e të ardhurave formalizohet dhe kryhet në kohë më të shkurtër.

Neni 10 shton nenin 70/1 në lidhje me ngritjen e një Komisioni në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për shqyrtimin e ankesave ndaj masave administrative të marra nga inspektorët e AKU-së kur vlera e përgjithshme gjobave të vendosura në një inspektim të vetëm është mbi 300 000 lekë

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of