Një Projektligj i ri për Rininë, i cili pret të nisë diskutimet në Kuvend së shpejti, ka në fokus Financimi i politikave, programeve e veprimtarive rinore, për fuqizimin e këtij grupi që premton për të ardhmen e vendit.
Sipas relacionit të këtij pr.ligji, financimi i projekteve e veprimtarive rinore planifikohet e realizohet nëpërmjetfondeve grant, me synim përmirësimin e infrastrukturës rinore, financimin për ndërtimin e objekteve për rininë, financimin e veprimtarisë dhe projekteve të organizatave rinore, financimin për anëtarësimin dhe pjesëmarrjen në programe ndërkombëtare, financimin e studimeve, vëzhgimeve dhe analizave, e të tjera, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë të rinjtë.
“Nëpërmjet kritereve të propozuara synohet rritja e aktivizimit rinor dhe rritja e bashkëveprimit ndërmjet organizatave rinore me qëllim bashkimin e njohurive dhe potencialeve si dhe krijimin e sinergjive për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Këto subjekte do të mbështeten me financime nga buxheti i shtetit dhe buxhetet vendore. Projektligji parashikon edhe krijimin e personave juridikë nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat më pas mund të marrin pjesë në thirrjet e hapura për projektet rinore dhe aplikojnë për mbështetje nga projektet kombëtare e ndërkombëtare.”- thuhet në relacion.
Sipas të dhënave, për vitin 2019, totali i parashikuar i financimit është 868 mln lekë, nga të cilat 468 mln do të jetë nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga grantet ose financimet e tjera të ligjshshme. Financimi pritet të rritet për vitin e ardhshëm, i cili në total është parashikuar 1.06 mld lekë, ndërsa në 2021 do të jetë 1.25 mld lekë.
Më tej, bëhet e ditur se, kriteret dhe procedurat për përdorimin e fondit grant të dedikuar për rininë nga buxheti i shtetit për politikat, programet dhe projektet rinore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Fondi i projekteve konkurruese për zhvillimin dhe financimin e objekteve dhe të infrastrukturës rinore shpërndahet mbi bazën e projekteve që paraqiten nga organizmat e rrjetit rinor, sipas kritereve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit.
Projektet e ndërtimit apo të rikonstruksionit të objekteve publike dhe të infrastrukturës rinore paraqiten dhe miratohen mbi bazën e proceduravekonkurruese të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Relacioni shpjegon edhe se, miratimi i këtij projektligji nuk mbart kosto të shtuara për buxhetin e shtetit, pasi parashikimet financiare, për trivitet e para 2019-2021 për fondet me burim financimi nga buxheti i shtetit janë mbajtur brenda tavaneve të miratuara me ligjin vjetor të buxhetit nr.99/2018,“Për buxhetin e vitit 2019”. Për fondet e parashikuara “Të pambuluara”janë parashikuar financime nga donatorë të mundshëm OJF ose financime të njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe financime të tjera të huaja që të kenë mundësi të investojnë për rininë.
Kostoja e përllogaritur në total e opsionit të preferuar me financim nga fondi grant i buxhetit të shtetit, i dedikuar për rininë si dhe buxhetet vendore, gjatë periudhës 3-vjeçare, që menjëherë pas miratimit të ligjit, janë fonde që parashikohet të prekin rreth 500-550 mijë të rinj përfitues në të gjithë vendin nga mosha 15 deri 29 vjeç.
Grupet më përfituese janë detajuar, si vijon:
∙të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, që aktualisht ndjekin arsimin e mesëm publik dhe privat rreth 150 mijë;
∙të rinj të grupmoshës 19-23 vjeç, që kryesisht janë në universitet si dhe shkolla të tjera të larta, rreth 150 mijë studentë që ndjekin tri ciklet e studimeve në IAL-të publike dhe private;
∙të rinjtë e grupmoshës 24-29 vjeç, që janë të punësuar apo punëkërkues, rreth 200 mijë të rinj.Kostot e parashikuara si të pambuluara janë parashikuar si mundësi financimi apo bashkëfinancimi nga donatorë, financim nga biznesi apo projekte të tjera ndërkombëtare. Miratimi i këtij projektligji do të sigurojë bazën ligjore për një model të ri të përmirësimit të statusit shoqëror dhe të pozitës të të rinjve/rejave, si dhe krijimin e kushteve për adresimin e nevojave të të rinjve/rejave në të gjitha fushat që përbëjnë interes rinor. Ky opsiondo të krijojë kushte për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve vetjake dhe shoqërore, si dhe mbështetjen e të rinjve/rejave në organizime dhe aktivizime sociale dhe është opsioni i vetëm që do të mundësojë arritjen e objektivave të politikave ligjërisht.
Në mln lekë | |||
Financimi | 2019 | 2020 | 2021 |
Buxheti i shtetit | 468 | 566 | 650 |
I pambuluar | 400 | 500 | 600 |
Total | 868 | 1066 | 1250 |
Burimi: Relacioni i Pr.ligjit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.