Ai do të përmirësonte shanset e saj…
Disa udhëheqës, para se të nisin detyrën, kanë një vizion të fuqishëm ekonomik për të transformuar mënyrën sesi vendi i tyre e krijon pasurinë dhe e shpërndan atë. Të tjerë i afrohen pushtetit si pragmatistë, dhe qëllimi i tyre është të ndryshojnë në mënyrë më të butë forcat politike dhe ekonomike që trashëgojnë. Joe Biden i përket kategorisë së dytë, shkruan The Economist.
Ai është një centrist i përjetshëm, besimi më i qëndrueshëm ekonomik i të cilit është admirimi për amerikanët punëtorë dhe një politikan, i cili është zhvendosur së bashku me qendrën e gravitetit në partinë e tij. Por aftësia e zotit Biden për të ecur me rrjedhën, do të thotë se për momentin, si e majta dhe e djathta janë të shqetësuara për perspektivën e “Bidenomics”.
Në të vërtetë, nëse zoti Biden i fiton zgjedhjet në nëntor dhe hyn në zyrën ovale në janar 2021, ai do të përballet me një sërë rrethanash të jashtëzakonshme, që do të ushtrojnë presion mbi të. Ekonomia po përpiqet të rimëkëmbet nga rënia më e fortë e shkaktuar nga Covid-19. Trashëgimia e pandemisë do të përfshijë me miliona të papunë afatgjatë, borxhe publike që së shpejti do të tejkalojnë nivelin e tyre historik prej 106% të PBB-së, si dhe më shumë falimentime dhe përçarje dixhitale në shumë industri.
Në të njëjtën kohë, zoti Biden do të kryesojë një parti që është zhvendosur edhe më tepër në të majtë dhe ka një krah më radikal që, megjithëse nuk është dominues, është me ndikim dhe mendon se modeli ekonomik i Amerikës është i prishur dhe se zgjidhja e këtij problemi është një shtet me kontroll shumë më të gjerë. Për më tepër, publiku është tepër i ndarë dhe shumë njerëz nuk janë më miqësorë ndaj idesë së globalizimit. Nën presidentin Donald Trump, pozita e Amerikës në botë ka rënë thellë.
Për shkak të këtij sfondi kaotik dhe mungesës së një doktrine ekonomike fikse nga zoti Biden, diapazoni i rezultateve që i atribuohen presidencës së tij, është i ngatërruar dhe jo gjithmonë pozitiv. Për disa republikanë në Wall Street dhe në sallat e bordeve, Biden do t’i hapte rrugën pushtetit të së majtës radikale.
“Vendi po rrezikon ndryshime strukturore nën maskën e drejtësisë sociale, të cilat do të krijonin një shtet që nuk do të dinte si të funksiononte”, pohon një republikan. Për të majtët, zoti Biden është një figurë e ndrojtur, moderimi i të cilit do të thotë se ai do të shtypet nga një Kongres i rreptë dhe gjykatat konservatore.
I lindur për të udhëhequr
Karriera e gjatë e zotit Biden nuk reflekton shumë entuziazëm për ekonominë. Gjatë 36 viteve në Senat, pasionet e tij kryesore ishin sistemi i drejtësisë dhe politika e jashtme. Ai ka admirim për shtresën e mesme, shumë më tepër sesa për elitën plutokratike plot shkëlqim. Biden u rrit në Delaware, dhe më vonë e përfaqësoi në Senat këtë shtet të vogël, i cili mbështetet në bizneset e mëdha për të mbajtur ekonominë.
Mbi dy të tretat e kompanive të renditura në Fortune 500, janë regjistruar legalisht në këtë shtet, falë ligjeve dhe rregullave të taksave që janë miqësore ndaj aksionerëve. I ashtuquajturi “Shteti Diamant” është shtëpia e selisë së disa ikonave të industrisë së shekullit XX, përfshirë DuPont, disa nga punëtorët e të cilit jetonin në periferi, ku zoti Biden kaloi adoleshencën. Ekspozimi i Biden ndaj një populli të tillë mund të ndihmojë për të shpjeguar dashurinë e tij për prodhimin dhe një kapitalizëm më paternalist.
Si zëvendëspresident në vitet 2009-2017, zoti Biden ndihmoi në zbatimin e paketës stimuluese të vitit 2009 dhe arritjen e marrëveshjeve mbi buxhetin. Por pika e tij e fortë ishte si një negociator me Kongresin, jo si vizionar. Aleatët e tij të atëhershëm në Senat dhe Shtëpinë e Bardhë, përbëjnë tani një pjesë të madhe të këshilltarëve dhe shoqëruesve të tij, dhe Biden merr këshilla shtesë nga ekonomistët e qendrës së majtë si Jared Bernstein, Heather Boushey dhe Ben Harris. Ndryshe nga zoti Obama, deri tani, Biden nuk ka emëruar një figurë dominuese ekonomike në ekipin e tij.
I aftë në shumë fusha
Si rezultat, për të kuptuar se ku mund ta çojë ekonominë presidenca e Biden, është e nevojshme të merren parasysh tre forcat e jashtme me të cilat ai duhet të përballet, secila prej të cilave, në teori, mund ta shtyjë Biden në një rrugë më radikale. E para është recesioni i shkaktuar nga Covid-19. Amerika është rimëkëmbur më shpejt se ç’parashikohej fillimisht. PBB-ja tani pritet të tkurret me 4% këtë vit; dikur një rënie prej 7% dukej e mundshme. Por kjo rimëkëmbje mund të pengohet, sepse Kongresi, deri tani, nuk ka arritur të bjerë dakord mbi një stimul të ardhshëm ekonomik.
Sidoqoftë është e qartë se rënia ka goditur më të dobëtin, duke thelluar pabarazinë. Shumë statistika të biznesit paralajmërojnë se kompanitë e vogla nuk do të kenë aftësinë për të shlyer detyrimet e tyre dhe këto kompani e kanë pasur të vështirë të sigurojnë ndihmën e qeverisë: është shpërndarë më pak se 1% e skemës huazuese Main Street prej 600 miliardë dollarësh, mbështetur nga Rezerva Federale. Qeveritë shtetërore dhe lokale po përballen me një krizë financiare. Përçarja nuk ka të bëjë me një rënie të përkohshme. Do të transformohen industri të tëra, përfshirë udhëtimin dhe shitjen me pakicë.
Ligjet normale të ekonomisë janë përmbysur. Normat e interesit janë në nivele të ulëta, duke e bërë huazimin pothuajse falas. Amerika do të ketë një deficit fiskal prej 16% të PBB-së këtë vit. Ndërkohë, çmimet e aksioneve janë shumë të larta dhe tregu i aksioneve është në nivelin e tij më të shtrenjtë që nga flluska dotcom e vitit 2000, bazuar në raportin e çmimeve me fitimet.
Përveç kësaj ekonomie të trazuar, zoti Biden duhet të përballet edhe me një forcë të dytë në formën e krahut të majtë të partisë së tij. Mbi një e treta e votuesve në zgjedhjet paraprake demokratike, mbështetën Bernie Sanders ose Elizabeth Warren, planet e të cilëve përfshinin një rritje masive të shpenzimeve vjetore të qeverisë. Zoti Biden ka arritur të fitojë pëlqimin e së majtës më radikale, duke i injoruar propozimet e tyre më ambicioze, si kujdesi shëndetësor i shtetëzuar dhe “Green New Deal”, një paketë e promovuar nga kongresistja Alexandria Ocasio-Cortez, e cila, ndër të tjera, përfshin një punë të garantuar për të gjithë.
Në korrik, një Task Forcë e përbashkët Biden-Sanders, ra dakord mbi zbutjen e rekomandimeve të politikës. Disa nga këto, zoti Biden i përpunoi edhe më tej në propozimet e tij. Gjithsesi, e majta do të kërkojë punë në çdo administratë. Dhe qendra e partisë mbetet në të majtë të opinionit publik. Sondazhet e opinioneve tregojnë se një amerikan i zakonshëm është më i shqetësuar për ndryshimet klimatike dhe Kinën sesa dikur, dhe më shpërfillës për huazimet e qeverisë (shih grafikun 2). Por 87% e tyre ende besojnë në ndërmarrjet e lira.
Forca e tretë e jashtme me të cilën duhet të përballet Biden është Kongresi. Sipas modelit të The Economist, demokratët kanë 98% shans për të mbajtur kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 69% shans për të fituar Senatin. Nëse supozojmë se rregullat normale janë në lojë, Senati do të kufizojë atë që mund të lejohet. Nëse partia e zotit Biden fiton midis 50 dhe 59 vende dhe i përmbahet protokollit normal të Senatit mbi përdorimin e filibuster (taktikave vonuese), ajo do të jetë në gjendje të miratojë legjislacione mbi tatimet dhe shpenzimet, ose me mbështetje dypalëshe, ose duke përdorur një proces të njohur si pajtim.
Kjo mënyrë zakonisht e kufizon numrin e projektligjeve në tre në vit (për shpenzimet, taksat dhe kufijtë e borxhit), nuk lejon ndryshime në sigurimet shoqërore dhe normalisht kërkon që ndikimi në deficit të jetë neutral brenda dhjetë viteve, ngaqë masat për shpenzimet skadojnë ose ekuilibrohen nga rritja e taksave.
Por demokratët mund të heqin rregullat procedurale mbi zgjidhjet në mënyrë që të mund të miratojnë projektligjet kryesore me vetëm 50 vota (plus një votë nga zëvendëspresidenti, i cili mund të hedhë një votë vendimtare). Kjo gjithashtu mund t’i lejojë ata të ndjekin qëllime të tjera, përfshirë zgjerimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë.
Përballë këtyre ndikimeve të jashtme, çfarë do të bënte zoti Biden? Ai do të kishte mundësi të ushtronte pushtetin nëpërmjet tri mënyrave kryesore: nëpërmjet legjislacionit, emërimeve në punë dhe veprimeve ekzekutive. Fillojmë me legjislacionin, ku zoti Biden ka bërë propozime që do të rrisnin shpenzimet me 7 trilionë dollarë në një dekadë. Është pothuajse e sigurt se Kongresi do të ketë një rol kufizues në këtë drejtim.
Qendra e gravitetit të Partisë Demokratike në Shtëpinë e Përfaqësuesve, është ende me pikëpamje qendrore: grupi më i madh, me mbi 100 anëtarë, është Koalicioni i moderuar i Demokratëve të Rinj. Shumica e vendeve të reja të fituara ndoshta do të zihen nga demokratët e moderuar, dhe ata gjithashtu kanë pozicione kyçe, përfshirë kreun e komitetit Ways and Means, i cili kontrollon legjislacionin tatimor.
Ndërkohë, në Senat, edhe nëse demokratët do të fitonin një shumicë mjaft të madhe për të hequr qafe taktikën filibuster, gjë që nuk ka gjasa (me përafërsi, për këtë do t’u nevojiteshin 55 vende), zoti Biden mund të bëjë rezistencë: ai ka një afeksion aq të madh për institucionin e Senatit, saqë mbante një dollap në palestrën e Senatit edhe kur ishte zëvendëspresident dhe çdo ndryshim në rregullat e filibusterit do të ishte një përshkallëzim dramatik kushtetues në luftën midis dy palëve. Çdo lëvizje nga ana e demokratëve, do të rezultonte në fitimin e më shumë vendeve nga demokratët e moderuar.
Toka e shpresave dhe ëndrrave
E gjithë kjo do të thotë se zoti Biden duhet të bëjë kompromis dhe mund të fitojë vetëm dy përparësi të mëdha përmes Kongresit. Kjo tregon që çdo rritje e kontrollit të shtetit do të ishte e kufizuar. Zonja Warren dhe zoti Sanders propozuan një rritje të shpenzimeve ekuivalente me 16-23% të PBB-së, duke e çuar atë drejt niveleve suedeze në vitet 1970. Propozimet zyrtare të zotit Biden janë për një rritje prej 3% dhe në të gjitha gjasat, ai mund të arrijë vetëm gjysmën e kësaj shume: pra një rritje shpenzimesh prej $ 3trn-4trn për dhjetë vjet, me vlerë 1-2% të PBB-së.
Prioriteti më i madh do të jetë një projektligj i shpejtë “rikuperimi” prej $ 2trn-3trn, që synon rigjallërimin e ekonomisë dhe përmbushjen e një përparësie kryesore strategjike, shpenzime më të gjelbra në infrastrukturë (shih grafikun 3).
Këto të fundit mund të marrin një farë mbështetjeje republikane sepse krijojnë vende pune, duke kënaqur njëkohësisht edhe bazën e Biden, më të vetëdijshme për klimën. Masat stimuluese afatshkurtra mund të përfshijnë para për qeveritë shtetërore dhe lokale, një rritje të përfitimeve të papunësisë, një rritje të pagës minimale në 15 dollarë në orë dhe mbështetje të mëtejshme për ndërmarrjet e vogla.
Elementi i infrastrukturës së gjelbër mund të përfshijë azhurnimet në rrjetet elektrike dhe stacionet e rikarikimit për makinat elektrike. Në mënyrë që të shkurtojë emetimet, plani i zotit Biden synon që prodhimi i energjisë të jetë neutral mbi karbonin nga mesi i viteve 2030. Biden është i etur të shpenzojë me dhjetëra miliarda dollarë në vit në kërkim dhe zhvillim në teknologjitë e energjisë së rinovueshme dhe fusha të tjera si 5G, me synimin për të krijuar një avantazh amerikan për të rivalizuar Kinën.
Nëse projektligji i rimëkëmbjes shkon mirë, administrata e Biden mund të ndjekë një përparësi tjetër të madhe legjislative. Një mundësi është reforma e emigracionit. Një tjetër kandidat po rrit lëvizjen sociale të shtresës së mesme, ku zoti Biden propozon arsimin universal parashkollor, kreditë e taksave për kujdesin ndaj fëmijëve dhe arsimin falas universitar publik për familjet që fitojnë më pak se 125,000 dollarë në vit. Në total, shpenzimet për një axhendë ambicioze të lëvizjes sociale mund të arrijnë në 1 trilion dollarë në një dekadë.
Kongresi ka kapacitet të kufizuar, kështu që zoti Biden duhet të vendosë gjithashtu se çfarë të mos bëjë. Ai nuk duket se ka një dëshirë të zjarrtë për të rikrijuar Obamacare, që nuk ishte përparësia e tij e parë si zëvendëspresident (megjithëse si shumica e politikanëve, ai dëshiron të ulë çmimet e ilaçeve). Atij i mbetet të shpresojë që Gjykata e Lartë nuk do t’i kundërvihet: në 10 nëntor, ajo do të nisë të shqyrtojë ligjshmërinë e Obamacare, një sistem që e përdorin me miliona njerëz dhe që mund të ndërpritet nga gjykata.
Po të ndodhte kjo, zoti Biden mund të detyrohej të legjislaciononte një zëvendësim për Obamacare. Ndërkohë, është në prapavijë një shtytje për të modernizuar aparatin e prishur të antitrustit të Amerikës. Pa legjislacion të ri, do të jetë e vështirë të bësh shumë në lidhje me përqendrimin në rritje të biznesit ose monopolet e mëdha të teknologjisë, duke qenë se gjykatat ngurrojnë të marrin masa. Kamala Harris, kandidatja e zgjedhur nga Biden për zëvendëspresidente, ishte miqësore ndaj kompanive të teknologjisë, si Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, në vitet 2011-‘17.
Më i fortë se të tjerët
Propozimet e zotit Biden tregojnë se afërsisht gjysma e shpenzimeve të tij mund të mbulohen nga rritja e taksave. Plani zyrtar kërkon një rritje të taksave prej 4 trilionë dollarësh, por ashtu si me shpenzimet, në realitet, ka më tepër të ngjarë që kjo shumë të jetë sa gjysma, pra rreth 1.5 -2 trilionë dollarë.
Ndryshimet e mëdha në taksat e sigurimeve shoqërore janë thuajse të parealizueshme, pasi ato nuk pritet të miratohen në Senat me proces pajtimi. Shumë demokratë në kongres nuk duan të rrisin shumë taksën e fitimeve kapitale. Kështu që rritjet e taksave të biznesit do të bëjnë pjesën më të madhe të punës me një përmbysje të pjesshme të uljeve të taksave nga Trump në vitin 2017.
Zoti Biden pritet të rrisë nivelin e taksimit të të ardhurave të korporatave nga 21% në 28%, të vendosë taksim minimal mbi fitimet e huaja dhe të heqë lehtësime taksash për firmat e pasurive të patundshme dhe të kapitalit privat. Individët që fitojnë më shumë se 400,000 dollarë do të tatohen më tepër mbi të ardhurat deri në 39.6%, dhe ata që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë, duhet të paguajnë një normë fitimesh kapitali afërsisht sa ajo që paguajnë për të ardhurat e tyre.
Një mënyrë e dytë sesi zoti Biden mund të ndikojë në ekonomi dhe t’u japë licencë impulseve më radikale të partisë së tij, është përmes emërimeve në poste. Megjithatë, duket e pamundur që ai të emërojë zonjën Warren si sekretare të Thesarit, apo prokurore të përgjithshme. Kjo do të alarmonte komunitetin e biznesit në një kohë kur ekonomia është e brishtë. Kjo gjithashtu do të lindte nevojën për mbajtjen e një zgjedhjeje të veçantë për të plotësuar vendin e saj të Senatit në Massachusetts.
Në fakt, kandidatët kryesorë për t’u bërë sekretarë të Thesarit janë me pikëpamje centriste. Ata përfshijnë Lael Brainard, anëtar i qendrës së majtë të Bordit të Rezervave Federale; Jeff Zients, bashkëkryetar i ekipit të tranzicionit të zotit Biden; Sylvia Mathews Burwell, ish-zyrtare e Obamës dhe Sarah Bloom Raskin, ish- guvernatore e Rezervës Federale dhe zyrtare e Thesarit të Shtetit. Nëse nevojitet një figurë biznesi, atëherë mund të jetë pretendente edhe Ruth Porat, shefja e financave të gjigantit të teknologjisë Alphabet.
Bazuar në vetë përvojën e zotit Biden si zëvendëspresident, periudhë gjatë së cilës ai veproi si një këshilltar kryesor i zotit Obama, zonja Harris do të kishte një zë të rëndësishëm në administratën e tij. Ajo ka pikëpamje më të majta se Biden në taksa dhe shpenzime, megjithëse nuk mund të konsiderohen aspak jashtë kornizave. Dhe pasi ka refuzuar politikat kyçe të së majtës dhe ka tejkaluar në garë figurat e saj kryesore, zoti Biden mund të përpiqet të qetësojë të majtën e partisë së tij, duke i ofruar më shumë poste në aparatin rregullator, ku ata do të lëshonin një kakofoni sinjalesh me tingull të majtë.
Mjeti i fundit që ka në dorë Biden për të përmbushur objektivat e tij, janë urdhrat ekzekutivë, të cilët i kanë përdorur si zoti Trump, ashtu edhe zoti Obama. Megjithatë, edhe këtu, zoti Biden do të kufizohet nga gjykatat, të cilat janë bërë dukshëm më konservatore sesa në epokën e Obamës. Zoti Biden mund të përpiqet ta përdorë këtë pushtet për të kthyer mbrapsht disa nga urdhrat ekzekutivë të vetë zotit Trump.
Këtu ia vlen për t’u përmendur ndalimi i disa emigrantëve dhe goditja që i ka dhënë presidenti refugjatëve dhe punëtorëve pa dokumente që është intensifikuar këtë vit. Rregullat për viza për punëtorët e kualifikuar do të lehtësohen. Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së Biden për emigracionin, qëndrimi i tij ndaj proteksionizmit është më i paqartë, dhe këtu presidenti ka ndikim dhe diskrecion.
Zoti Biden ka qenë një tregtar i lirë në të kaluarën dhe me siguri do të ishte më i sjellshëm ndaj Kinës sesa zoti Trump. Ai do të mblidhte së bashku aleatët e Amerikës për të vendosur mbi një përgjigje të matur për t’u marrë me modelin ekonomik të Kinës nën Xi Jinping, ku edhe firmat private kineze shpesh veprojnë nën drejtimin strategjik të Partisë Komuniste.
Por Biden nuk do të shkojë më larg se kaq. Kjo pasqyron një ndryshim në opinionin publik. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, 73% e amerikanëve tani kanë një pamje të pafavorshme mbi Kinën, një shifër rekord. Zoti Biden nuk do t’i tërhiqte shpejt tarifat ekzistuese (tarifa mesatare për mallrat e importuara nga Kina është rreth 19%). Megjithëse ka qenë kritik ndaj përpjekjeve të ashpra të administratës Trump për të frenuar TikTok, një aplikacion kinez i rrjeteve sociale, ai ndoshta do të mbështeste ndalimin e Huawei dhe do të ishte i kujdesshëm ndaj tregtisë së teknologjisë së lartë me Kinën.
Në mënyrë të ngjashme, marrëveshjet e reja tregtare nuk do të jenë përparësi, edhe pse zoti Biden mbështeti Partneritetin Trans-Paqësor dhe USMCA, marrëveshjen e rishikuar SHBA-Meksikë-Kanada, që u miratua në vitin 2020. (Zonja Harris ishte kundër të dyjave.) Strategjia industriale e zotit Biden lidhet me proteksionizmin e butë, që përfshin premtime për të sjellë sërish në Amerikë zinxhirët e furnizimit, për të miratuar një politikë qeveritare “Blej mall amerikan”, për të shtrënguar rregullat për etiketimin e produkteve, për të përdorur çelikun amerikan për projekte transporti dhe për të mbrojtur Aktin Jones, i cili kërkon që vetëm anijet me flamur amerikan të mbajnë mallra midis porteve të vendit.
Prandaj, presidenca e Biden premton mesatarisht taksa më të larta dhe më shumë shpenzime, veçanërisht në infrastrukturën e gjelbër, më shumë politikë industriale dhe jo shumë ndryshime në politikën tregtare. Kush do të përfitonte? Për sa u përket individëve, politikat e tij janë drejtuar drejt shtresës së mesme dhe rrogëtarëve të vegjël, të cilët do të përfitonin nga një mori masash si arsimi më i lirë, përfitimet për strehim dhe një pagë minimale më e lartë.
Rritjet e taksave të zotit Biden do t’u merren drejtpërdrejt amerikanëve më të pasur: nëse miratohen plotësisht, do të nënkuptojnë që të ardhurat e 1% më të pasurve, do të bien me 14% dhe të ardhurat e 0.1% më të pasurve me 18%, sipas Modelit të Buxhetit Penn Wharton. Në realitet, këto propozime nuk do të miratohen në tërësi. Sido që të jetë, ndikimi i ndryshimeve të taksave në 99%, do të ishte minimal (shih grafikun 4).
Po biznesi? Cilat firma do të fitonin dhe cilat do të vuanin?
Vlerësimi tregon se fitimet e korporatave do të bien me rreth 12% për shkak të rritjes së taksave. Investitorët tashmë kanë filluar ta ulin këtë dhe të ofrojnë aksionet e firmave të energjisë së rinovueshme dhe ndërmarrjeve të ndërtimit dhe infrastrukturës që mund të përfitojnë nga një presidencë e Biden. Aksionet e firmave të energjisë me karburant fosil që mund të vuajnë nën një presidencë të Biden kanë rënë.
Aksionet e firmave teknologjike janë rritur këtë vit edhe kur shanset për një fitore të Biden janë rritur, çka tregon se investitorët nuk shqetësohen për veprimet antitrust kundër Silicon Valley. Tregu i aksioneve është rritur me 4.5% këtë vit pavarësisht recesionit; që nuk duket aspak si një shenjë e një breshërie të afërt socializmi.
Sidoqoftë, do të kishte rreziqe për ekonominë nga një presidencë e Biden. I pari është se mund të humbasë kontrollin e partisë dhe mund të ketë një zhvendosje edhe më të madhe në të majtë, duke tronditur botën e biznesit. Nëse demokratët do të braktisnin procesin filibuster në Senat, mund të hapej rruga për të rritur numrin e gjykatësve në Gjykatën e Lartë ose për ndonjë legjislacion edhe më radikal. Por zoti Biden ndoshta do t’i rezistonte kësaj mase.
Ka më të ngjarë që një aparat rregullator i mbushur me të emëruar nga e majta, të përfundojë duke i dëmtuar marrëdhëniet e Biden me biznesin. Duhet të hidhen poshtë shumë nga vendimet rregullatore më të pamatura të administratës Trump, për shembull, nxitja që nga viti 2017, për të ndaluar Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit që të kufizojë përdorimin e qymyrit.
Rreziku është që rregullat e reja të ndryshohen në mënyrë të pakoordinuar dhe të hasin konfrontime armiqësore. Demokratët priren të mendojnë se biznesi është thjesht një ujk që qan kot. Por firmat e vogla ankohen vazhdimisht për rregullimet dhe rregullat e hartuara keq pas krizës financiare të 2008-‘09 shkaktuan probleme serioze në tregun e hipotekave.
Rreziku i dytë është zbehja e dinamizmit. Disa plane nga axhenda e zotit Biden, përfshirë infrastrukturën dhe më shumë kërkime dhe zhvillime, do të rrisin konkurrencën afatgjatë të Amerikës. Por mungesa e politikës së antitrustit dhe më shumë burokraci, mund të vazhdojë t’u japë shumë energji kompanive të mëdha, të cilat kanë përjetuar një rritje të pjesës së tyre të tregut në dy të tretat e industrive gjatë dy dekadave të fundit, duke krijuar oligopole në industri nga telekomunikacioni, tek kartat e kreditit.
Rryma e proteksionizmit në planet e zotit Biden mund të izolojë ekonominë nga konkurrenca jashtë vendit, duke shkatërruar vitalitetin e saj. Ekziston një tension midis dëshirës së zotit Biden për të ndërtuar infrastrukturë të re shpejt dhe lirë, dhe planit të tij për të favorizuar punëtorët shtëpiakë dhe zinxhirët e furnizimit, që ka të ngjarë të bëhet shumë më i mprehtë me kalimin e kohës.
Rreziku i fundit është pozicioni fiskal afatgjatë i Amerikës (shih grafikun 5). Edhe pasi stimuli Covid-19 të zbehet, dhe përpara çdo hapi për zgjerimin e deficitit që do të bëjë presidenti i ardhshëm, deficiti i Amerikës parashikohej të ngrihej mbi 5% të PBB-së në vazhdimësi, dhe borxhi publik pritet të arrijë në rreth 200% të PBB-së deri në vitin 2050. Sot, Rezerva Federale po blen pjesën më të madhe të emetimit të borxhit të ri neto nga qeveria, ndërsa politika fiskale dhe monetare kanë filluar të bashkohen.
Tani për tani, ky regjim i ri i çuditshëm fiskal duket i qëndrueshëm. Por me kalimin e kohës, rreziku i politizimit të Rezervës Federale, do të rritet. Dhe ekonomia dhe sistemi financiar do të bëhen të cenueshme ndaj çdo rritjeje të inflacionit. Një debat mbi këto rreziqe duket se do të ndodhë kur të përfundojë mandati i parë i Jay Powell, kryetarit të Rezervës Federale, në fillim të vitit 2022. Por deri tani, zoti Biden nuk ka ndonjë plan të madh për të ridizejnuar arkitekturën makroekonomike ose për të mbajtur stabël financat afatgjata të Amerikës.
Ditë më të mira
Zoti Biden, një pragmatist i njohur, duket se do të qeverisë si një. Nga ana stilistike, kjo do të thotë të marrësh këshilla të matura, të jesh i kujdesshëm dhe të punosh me institucionet e Amerikës. Megjithëse Biden mund të mos ketë një doktrinë zyrtare ekonomike, qëllimi i tij do të jetë të nxjerrë ekonominë nga rënia e Covid-19, të përmirësojë lëvizshmërinë sociale dhe të ndërtojë një rrjet më të mirë sigurie.
Sfida e tij më e madhe do të jetë forcimi afatgjatë i politikës së infrastrukturës dhe klimës dhe më pas, përpjekja për të moderuar forcat e egra që vërtiten rreth elektoratit dhe politikës amerikane, përfshirë idetë më socialiste të së majtës së skajshme, proteksionizmin shovinist dhe indiferencën e së djathtës ndaj strukturës shoqërore të Amerikës. Pretendimi se një presidencë e Biden do të shkatërronte kapitalizmin amerikan është marrëzi. Nëse ai mund të menaxhojë me kompetencë dhe ta bëjë ekonominë të funksionojë më mirë për njerëzit e zakonshëm, puna e fundit e zotit Biden në politikë, do të jetë arritur me sukses.