Kuvendi ka publikuar projektvendimin për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Sipas relacionit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ka vetëm një kandidaturë të vetë ofruar pas shpalljes së bërë publike dhe kjo është Pranvera Strakosha, komisionereja aktuale.
Pranvera Strakosha prezantoi përpara anëtarëve të komisionit, veprimtarinë e saj dhe përvojën në detyrën e ushtruar si Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve si dhe të gjithë deputetët prezent i drejtuan pyetje kandidates për të krijuar një mendim të plotë dhe të drejtë për vlerësimin e kandidaturës. Pas përfundimit të seancës dëgjimore me kandidaturën, relatori i komisionit z. Alket Hyseni, relatoi lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore dhe të meritës së kandidaturës.
Kandidatja Pranvera Strakosha, juriste, ka një përvojë profesionale mbi 10 vjeçare. Ajo ka qënë pjesë e sistemit gjyqësor, si gjyqtare dhe zëvendëskryetare e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe ka qënë e zgjedhur nga Kuvendi si anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Më pas znj. Strakosha ka vijuar veprimtarinë e saj profesionale si avokate dhe konsulente ligjore në fushat e së drejtës administrative.
Me Vendimin e Kuvendit nr. 85/2014 datë 30.10.2014 Pranvera Strakosha është zgjedhur si Komisioner për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Komisioni e miratoi, me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm në mbledhje, propozimin për zgjedhjen e zonjës Pranvera Strakosha si Komisioner për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe ia ka paraqitur seancës plenare për votim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.