Prapaskenat e tregut të celularëve 2014

15/06/2015 3:39 PM 0 komente

Konkurrenca ashpërsohet, bien të ardhurat dhe fitimet e kompanive. Çfarë fshihet pas tkurrjes së xhirove të operatorëve kryesorë dhe uljes në dukje të peshës së lartë që zënë thirrjet brenda rrjetit. Hyrja në treg e operatorëve të rinj dhe “fshehja” e tyre nga AKEP

2014-a ka qenë në dukje një nga vitet më të këqij për tregun e celularëve. Qarkullimi vjetor i të gjitha kompanive shënoi rënie, fitimet u tkurrën, ndërsa humbjet u zgjeruan. Kompanitë vijuan “betejën” e dukshme dhe të padukshme me njëra-tjetrën, ndërsa rregullatori i tregut, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në mënyrë shumë “të çuditshme” e shtyu zbatimin e një vendimi për barazimin gradual të tarifave brenda dhe jashtë rrjetit, që pritej të hynte në fuqi nga 1 janari 2015. Pikërisht mbyllja e klientëve brenda rrjeteve të kompanive të mëdha, si rrjedhojë e tarifave të ulëta për thirrjet brenda një operatori, është bërë pengesë vitet e fundit për rritjen e aktorëve të tjerë në treg.

Tregu bie me 12.6%

Të ardhurat totale të tregut të telefonisë celulare në vitin 2014 ishin 32.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga operatorët, me një rënie prej 12.6% me bazë vjetore, duke vijuar tkurrjen për të tretin vit radhazi.

Monitor 684

Të gjithë operatorët kanë raportuar rënie të të ardhurave, por peshën kryesore në këtë ulje e ka mbajtur Vodafone, që ka ndikuar në rreth 70% të tkurrjes së tregut total dhe kjo e bën edhe më të pashpjegueshme këtë rënie të të ardhurave të raportuar nga Operatorët Mobilë në vend.

Të ardhurat e operatorit më të madh në vend, Vodafone, u ulën me 17% në 13.5 miliardë lekë??!! Ky është viti i dytë radhazi, që Vodafone ka një rënie të fortë të të ardhurave, ndërsa ka arritur në nivelin më të ulët që nga 2004-a. Kurse fitimet e kompanisë u ulën nga 3.6 miliardë lekë, në 1.4 miliardë lekë??!!

Monitor 684

Të njëjtën tendencë tkurrëse ka shfaqur dhe operatori i dytë më i madh, AMC, që pa një ulje të qarkullimit vjetor në 2014-n me 7.1% në 11.2 miliardë lekë. AMC ka filluar rënien e pandalshme që nga viti 2008. Edhe fitimet e kompanisë ranë ndjeshëm, nga 4.4 miliardë lekë, në 2.2 miliardë lekë në 2014-n.

Monitor 684

Edhe dy operatorët më të vegjël në treg, Albtelecom Mobile dhe Plus Communication shënuan ulje të të ardhurave, ndonëse me ritme më të moderuara, krahasuar me dy konkurrentët e mëdhenj. Të ardhurat e Albtelecom Mobile ranë me 6% në 3.59 miliardë lekë dhe ato të Plus me 16% në 1.8 miliardë lekë, ndërsa humbjet mbeten të mëdha për të dy operatorët.

Monitor 684

Monitor 684

Rënia e xhiros së kompanive të mëdha dhe hyrja e operatorit të ri

Tkurrjen e të ardhurave të tregut të telefonisë celulare, kreu i AKEP, Pirro Xhixho, e shpjegon me uljen e tarifave, ndonëse përdoruesit kanë folur më shumë. Por, a është ky shpjegim i arsyeshëm dhe i besueshëm? Duke u nisur nga të dhënat e vetë AKEP, thirrjet dalëse dhe thirrjet marrëse, sipas AKEP janë rritur përkatësisht me 11% dhe 1% në 2014-n, me bazë vjetore, ndërsa treguesi ARPU, që tregon sa lek shpenzon mesatarisht një përdorues celular për shërbime celulare në vit apo në muaj ka rënë me 7% në 2014-n, me ritme më të ulëta se tkurrja e totalit të të ardhurave prej 12.6%.

Monitor 684

Në këto kushte, shpjegimi që jep AKEP nuk qëndron dhe është minimalisht i gabuar.

Sipas raportit vjetor të AKEP, të ardhurat e operatorëve celularë gjenerohen nga dy grupe të përgjithshme: të ardhura nga shërbimet me pakicë dhe të ardhura nga shërbimet me shumicë (interkoneksioni dhe roaming ndërkombëtar). Të ardhurat nga shërbimet me pakicë u reduktuan me 9%, nga 21 miliardë lekë në 2013 në 19 miliardë lekë në 2014. Reduktimi varion nga 6% për Vodafone në 18% për Plus.

Vodafone ka rritur pjesën e tregut në të ardhura me pakicë nga 51% në 2013 në 54% në 2014.

Të ardhurat nga shërbimet me shumicë të operatorëve celularë për vitin 2014 u reduktuan me 17% në krahasim me vitin 2013. Në këtë rënie ka ndikuar rënia me 34% e të ardhurave nga shërbimet me shumicë të Vodafone (i pyetur nga “Monitor”, Vodafone nuk i komentoi më arsyet e kësaj tendence), dhe me 15% e të ardhurave të Plus, ndërkohë që të ardhurat me shumicë të AMC dhe Albtelecom kanë pasur ndryshime shumë të vogla. Tendenca e operatorëve të tjerë është prova që tarifat ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar). Proporcioni i të ardhurave nga shërbimet me shumicë për 2014 ishte mesatarisht 41% e të ardhurave totale të katër operatorëve, me variancë të vogël midis AMC, Albtelecom dhe Plus në nivele 46-48%, ndërkohë që ky proporcion për Vodafone ishte 33%, sipas AKEP (sërish Vodafone nuk komentoi i pyetur në lidhje me këtë tendencë).
Këto ndryshime të pashpjegueshme në shifrat që pasqyrojnë realitetin e tregut të krijojnë përshtypjen se në këtë mënyrë, Vodafone ia ka dalë të ulë peshën e tregut të të ardhurave, nga niveli rekord i 56% në vitin 2012, në 50% në 2013 dhe 47% në 2014-n, në përpjekje për t’u “shpëtuar” akuzave për pozitë dominuese. Pjesët e tregut të operatorëve të tjerë nuk kanë shënuar ndryshime të mëdha.

Monitor 684

Por, në strategjinë e tij për të ulur pozitën dominuese në treg, Vodafone duket se është “ndihmuar” nga një kompani e re, Info-Telecom e krijuar 2009-n, dhe që shënoi rritje të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë. Në 2014-n, kompania shënoi rritje prej vetëm rreth 1%, sipas burimeve të saj. Info-Telecom është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service). Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar, transitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP. Kompania, sipas burimeve të saj ka marrëveshje me 150 operatorë të huaj dhe realizon 80% të të ardhurave nga tranzitimi i thirrjeve nga jashtë brenda vendit.

Megjithëse i ka dhënë licencën dhe megjithëse xhiroja e saj vjetore tashmë është shumë më e madhe se edhe e AMC e po i arrihet edhe vlerave të vetë Vodafonit, AKEP nuk e ka përfshirë këtë kompani në raportin e tij vjetor, ndërsa drejtuesit e AKEP kanë pohuar se nuk janë në dijeni për ndikimin që mund të kenë faturimet e kësaj kompanie, sidomos për thirrjet ndërkombëtare në rënien e xhiros së kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në vend. Mbetet për të parë se si do të gjykohet kjo “neglizhencë” e AKEP nga Komisioni në mbyllje të procesit vjetor të raportimit të këtij viti, sigurisht kjo nuk është një shenjë e mirë për aftësinë apo dëshirën e AKEP për të luajtur rolin që i takon në treg.

Monitor 684

Monitor 684

Iluzioni i hapjes së tregut

Tre vitet e fundit, strategjia e kompanive për të fituar sa më shumë terren, duke ofruar tarifa shumë të ulëta brenda rrjetit, në krahasim me ato jashtë rrjetit, ka shkaktuar një betejë të vërtetë mes operatorëve të mëdhenj dhe të vegjël. Situata u përkeqësua më tej në vitin 2013, ku vetëm 2.9% e trafikut të Vodafone ishte jashtë rrjetit, një përqindje shumë e ulët kjo, që nuk konstatohet në ndonjë vend tjetër të botës. Si rrjedhojë e sjelljes së dy operatorëve të mëdhenj, trafiku total dalës brenda rrjetit (thirrjet që klientët bëjnë brenda të njëjtit operator) për të gjithë tregun e telefonisë celulare në vend përbënin 91.8% (mesatarja e tregut ulej nga Plus e Eagle, ndërsa përqindjet e Vodafone dhe AMC ishin përkatësisht 97.1% dhe 95.2%) të të gjithë trafikut dalës (thirrjet brenda të njëjtit operator dhe atyre të tjerë) për vitin 2013.

Autoriteti i Konkurrencës, në një raport të publikuar në janar 2014 dhe bazuar në të dhënat e 2011-2012, pranonte se Vodafone Albania sh.a., gjatë periudhës objekt hetimi (2011-2012) zotëronte pozitë dominuese në tregun e telefonisë celulare me pakicë. “Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjes objekt hetimi rezulton se strategjia e ndjekur nga ky operator shkakton shqetësime për konkurrencën në tregun përkatës, si dhe efekte negative për konkurrencën në periudha afatgjata ndaj konkurrentëve më të vegjël, nëpërmjet aplikimit të strategjisë diferencuese të çmimit të thirrjeve brenda me jashtë rrjetit (On-net vs Off-net). Diferencimi i çmimeve brenda me jashtë rrjetit mund të përdoret si një mekanizëm i mbylljes së tregut nga operatorët e mëdhenj për operatorët e vegjël, të cilët mund të rrezikojnë daljen nga tregu përkatës, dhe ky fakt përbën një shqetësim për mirëfunksionimin e tregut në një periudhë afatgjatë”, konkludonte raporti, që e mbylli hetimin vetëm me disa rekomandime për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Ky i fundit, nga ana e tij, në zbatim dhe të rekomandimeve të Kuvendit të Shqipëri, zhvilloi gjatë vitit 2014 Analizën e Tregut të Telefonisë Celulare dhe mori vendimet përkatëse në vijim të kësaj analize, sipas së cilës do të fillonte barazimi i tarifave brenda dhe jashtë rrjetit, në fillim të 2015-s, vendime që nuk u zbatuan, por janë shtyrë për në korrik 2015, duke treguar pafuqinë totale të Autoriteteve “të pavarura” rregulluese apo monitoruese ndaj fenomeneve të situatave monopolistike në tregje ku operojnë investitorë të fuqishëm, që kanë buxhete të larta marketingu apo mundësi për lobingje në nivele të larta shtetërore.

Për vitin 2014, kreu i AKEP, Pirro Xhixho, e vë theksin në uljen e peshës së thirrjeve brenda rrjetit ndaj totalit të thirrjeve dalëse, që, sipas tij, u reduktua në 83% në 2014 krahasuar me 93% në 2013. Sipas raportit vjetor të AKEP-it, pesha e këtyre thirrjeve për Vodafone dhe AMC në 2014 ishte 87-88% krahasuar me 94-95% në 2013. Edhe tek Albtelecom dhe Plus është vënë re reduktim i peshës së këtyre thirrjeve nga 78-79% në 2013 në 58-67% në 2014. Thirrjet ndërkombëtare kanë pasur rritjen më të madhe në 2014 dhe pesha e tyre arriti në 8% krahasuar me 2% në 2013. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare pati rritje në 2014 dhe pesha e tyre në totalin e thirrjeve dalëse celulare, arriti në 8% në 2014 krahasuar me 5% në 2013. Megjithatë, vetë AKEP pranon në raportin e tij vjetor se, pavarësisht ndryshimeve të mësipërme, përqindja e thirrjeve brenda rrjetit ndaj thirrjeve drejt rrjeteve celulare kombëtare (brenda dhe jashtë rrjetit) për AMC dhe Vodafone në 2014 ishte 93-95% krahasuar me 95-97% në 2013. Madje AKEP thekson se Vodafone ka rritur pjesën e tregut në të ardhura me pakicë nga 51% në 2013 në 54% në 2014.

Sipas raportit të AKEP, struktura e trafikut dalës tregon se edhe në 2014 ka vazhduar tendenca e viteve të fundit dhe përdorimi i madh i paketave tarifore me tarifa shumë të ulëta për thirrjet brenda rrjeteve, por me reduktime të moderuara të tyre dhe rritje të ofertave të thirrjeve jashtë rrjetit dhe sidomos me rritje të mëdha të ofertave për thirrjet dalëse ndërkombëtare.

Përdoruesit

Sipas AKEP, numri i përdoruesve celularë aktivë në fund të vitit 2014 arriti në 3.4 milionë, krahasuar me 3.7 milionë në fund të vitit 2013, pra një reduktim me 9%. AMC dhe Vodafone patën reduktim të numrit të përdoruesve aktivë me 19% dhe 7% respektivisht, ndërsa Albtelecom (EM) dhe Plus patën rritje me 2% dhe 18% respektivisht. Grafiku paraqet ecurinë e numrit të përdoruesve celularë aktivë në periudhën 2010-2014.

Monitor 684

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of