Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se gjatë të dielës në Kosovë janë regjistruar 40 raste të reja me koronavirus. Po ashtu edhe gjashtë pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i përgjithshëm i të shëruarve të arrijë në 890. Në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur.
151 raste me koronavirus janë shtuar që nga 1 qershori e deri më sot në Kosovë, duke çuar numrin e rasteve aktive në 313.
Numri i të infektuarve është rritur shumë më shumë sesa ai i të shëruarve. Vetëm të dielën 40 persona u konfirmuan me koronavirus, ndërkaq gjashtë pacientë u raportuan të shëruar.
Përkundër thirrjeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për mbajtje të maskave, numri i qytetarëve të cilët nuk po i respektojnë udhëzimet është i madh. Kjo ka bërë që ky Institut në vazhdimësi të bëjë thirrje për kujdes.
Deri tash numër më të madh të të infektuarve e ka Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit, dhe kjo sipas IKSHPK-së ka ardhur nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.
Kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, ka apeluar për kujdes të shtuar këto ditë dhe përmbajtje të rekomandimeve të dhëna.
“Dyzet raste të reja sot, prej të cilave 10 (dhjetë) raste me vendbanim në Prishtinë. Ende po i presim informatat nga IKSHP, por edhe sipas rekomandimeve të IKSHP duhet të kemi kujdes përkundër lehtësimit të masave. Distanca 2 metra dhe mbulimi i gojës dhe hundës të domosdoshme. Ju lutemi për kujdes të shtuar këto ditë. #kujdes”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Që nga 1 qershori Kosova ka hyrë në fazën e tretë të lehtësimit të masave, ku ndër të tjera janë hapur kufijtë, çerdhet dhe gastronomia. Për një javë numri i të infektuarve është shtuar në numër të konsiderueshëm.
Sipas shifrave zyrtare, deri tash 1234 persona janë infektuar, 890 janë shëruar kurse 31 kanë vdekur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.