Premier League po përgatitet për rikthimin në fushë, por për këtë duhet të shpenzojë 4 milionë paund për blerjen e tamponëve për koronavirusin.
Të shtunën, mjekët përgjegjës të 20 klubeve të kampionatit britanik mbajtën një video-konferencë të gjatë, në të cilën vendosën që lojtarët dhe stafi i nevojshëm duhet të testohen dy herë në javë për COVID-19 për gjithë pjesën e mbetur të sezonit nga momenti që do të jepet drita jeshile për zhvillimin e stërvitjeve. Ky rekomandim që vjen nga mjekët, do të diskutohet dhe me shumë gjasa do të miratohet në asamblenë e aksionerëve të Premier League të premten.
Kitet për testet e koronavirusit kushtojnë rreth 150 paund një i tillë. Anëtarët që përbëjnë “grupin e punës” do të variojnë sipas klubeve, por ekipet parashikojnë se duhet të bëjnë rreth 50 teste dy herë në javë, që do t’i kushtonin në total rreth 300 mijë paund çdo shoqërie.
Nëse do të jepet drita jeshile për zhvillimin e stërvitjeve në mes të majit dhe sezoni do të mbyllej, sipas parashikimeve në fund të korrikut – një periudhë prej 13 javësh, kosto totale për të pasur numrin e tamponëve të nevojshëm mund të shkonte deri në 4 mln paund.
Franca ndal futbollin, stop sezonit 2019/20
Kjo u njoftua nga kryeministri francez, Edouard Philippe, në fjalimin e tij në Parlament. “Sezoni 2019/29 I sporteve profesionale, veçanërisht futbolli, nuk do të rinisë” – ishin fjalët e tij.
“Ngjarjet kryesore sportive, të cilat bëjnë bashkë më shumë se 5000 tifozë – për të cilat duhet të merret leje në prefekturë dhe të merren masa paraprakisht – nuk mund të zhvillohen, përpara shtatorit” shtoi kryeministri francez.
Gjermani, landet federale japin dritën jeshile për rifillimin e Bundesligës
Bundesliga mund të rinisë, në mes të majit, ose maksimumi në fund të tij. Vendimi, ende jo përfundimtar, vjen nga ministrat e Sportit të 16 landeve federale, që në një dokument të përbashkët u shprehën në lidhje me këtë çështje, para takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, që do të zhvillohet të enjten. Pritet vendimi i qeverisë.
Javën e kaluar, German Football League (DFL) njoftoi se është gati të rifillojë më 9 maj. Për ministrat e Sportit “është e arsyeshme që futbolli të rinisë të luhet në stadiume boshe, duke krijuar dhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet higjienike dhe mjekësore”. Disa ditë më parë, CEO i Borussia Dortmund, Hans-Joachim Watzke, paralajmëroi “pasojat e mëdha në Bundesligë” nëse kampionati nuk rifillon dhe në çdo rast “nuk do të jetë më në formën që kemi njohur deri më sot” – sipas Sky Sports News.
Klubet e mëdha gjermane synojnë ta mbyllin kampionatin brenda 30 qershorit. Sipas revistës Kicker, 13 nga 36 klube të Divizionit të Parë dhe të Dytë janë në prag të falimentimit për shkak të krizës së koronavirusit.