Që Premier League është kampionati i futbollit më i rëndësishëm në Europë dhe botë, është diçka që dihet, por për herë të tretë, Premier League fiton vendin e parë në klasifikimin e “British Icon Index”.
Siç shpjegohet në njoftimin zyrtar, në faqen e Premier League, British Icon Index është një studim i 14 institucioneve kryesore, industrive dhe markave britanike që analizon se si publiku, nga 11 vende, u përgjigjet atyre.
Yonder Consulting kreu të paktën 1000 intervista në çdo vend, ku të anketuarve iu kërkua të vlerësonin këto “ikona” në 10 atribute ose masa.
Institucionet që u morën në analizë ishin: Premier League, Rolls-Royce, British Universities, British Airways, BBC, Jaguar Land Rover, kinemaja britanike, muzika britanike, moda britanike, British Council, HSBC, Shtëpia Mbretërore angleze, Dyson dhe Harrods.
Rezultatet tregojnë se Premier League kryeson klasifikimin, duke lënë pas Rolls-Royce dhe British Universities.
Më shumë se 87% e të anketuarve pohoi se Premier League i nxit të mendojnë në mënyrë pozitive për të gjithë Britaninë e Madhe. Premier League ka arritur vendin e parë në pesë tregje në Afrikë dhe Azi (Egjipt, Nigeri, Indonezi, Tajlandë dhe Vietnam).
Pika e fundit në favor të Premier League përfaqësohet nga grupmosha 18 – 34 vjeç, të cilët e rendisin në vend të parë.
CEO i Premier League, Richard Masters, deklaroi: “Për më shumë se 30 vjet, Premier League ka shfaqur një futboll të pabesueshëm, i cili ka rrëmbyer imagjinatën e tifozëve në të gjithë botën. Kjo falë futbollistëve më të mirë në botë, që luajnë ndeshje emocionuese javë pas jave, dhe profilit global të klubeve tona.
Futbolli ka fuqinë të frymëzojë njerëzit e të gjitha moshave dhe jemi krenarë që renditemi të parët British Icon Index për të tretën herë, para organizatave të shumta të njohura në botë”.
Andrew Bowie, ministër i Eksporteve në Departamentin e Tregtisë Ndërkombëtare, deklaroi: “Çfarë triplete për Premier League. Është me të vërtetë fantastike të shohësh një nga markat më të vlefshme dhe të eksporteve më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar të lulëzojë në botë dhe të fitojë këtë vlerësim për të tretën herë me radhë”.
“Vetëm nga eksportet radiotelevizive, me vlerë 1.4 miliardë paund në vitin 2020, suksesi global i Ligës është një histori suksesi për eksportet, që rrit ekonominë dhe mbështet thuajse 100.000 vende pune në Mbretërinë e Bashkuar”.
Rick Nye, këshilltar i lartë në Yonder, komentoi: “Ndërkohë që Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të forcojë aleancat në nivel global, vendi ka nevojë për ikona që të jenë në të njëjtën kohë të njohura botërish dhe të admiruara, në mënyrë që të përfshijë njerëzit në gjithë botën. Premier League është më e mira nga këto”.