Premier League, sa shumë kushton!

07/11/2019 4:41 PM 0 komente

Për të gjithë sezonin, tifozët e klubeve të Premier League do të shpenzojnë në total 1,3 miliardë sterlina. Ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga eToro në bashkëpunim me KPMG Football Benchmark, duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të biletave për ndeshje, abonimeve televizive dhe merchandising.

Raporti bën një analizë të detajuar të shpenzimeve të tifozëve anglezë për sezonin 2019 / 2020. Ndër gjetjet më interesante theksohet se si shpenzimi total do të rritet me 6,5% krahasuar me vitin e kaluar (+31% në sezonin 2015 / 2016).

Rritjet e çmimeve lidhen veçanërisht me abonimet televizive (+40%), merchandising (+21%), biletat e ndeshjeve (+14%) dhe ushqime e pije (+11%). Në total, tifozët më të zjarrtë do të shpenzojnë 1,888 sterlina për sezonin, 8% të pagës mesatare në Mbretërinë e Bashkuar.

Arsenali është klubi më i kushtueshëm, tifozët e të cilit do të shpenzojnë 2,238 sterlina për person në sezon. Megjithatë, çmimi që duhet të paguajnë tifozët e Gunners është rritur me vetëm 2,4%, rritja më e ulët krahasuar me çdo klub tjetër të Premier League që prej sezonit 2014 / 2015.

Newcastle është i vetmi klub jashtë tradicionales “top 6” i pranishëm në mesin e 6 skuadrave më të shtrenjta për të bërë tifozllëk. Kjo sepse edhe të udhëtosh për të ndjekur skuadrën e zemrës, ka një çmim. Tifozët e Newcastle, për shembull, do të udhëtojnë 68% më shumë milje me tren dhe 65% më shumë milje me makinë për ndeshjet në transfertë krahasuar me mesataren e tifozëve të Premier League.

Në fund, raporti analizon edhe nëse disa tifozë përfitojnë një raport më të mirë cilësi – çmim krahasuar me të tjerët, duke analizuar shpenzimet totale të sezonit të kaluar në lidhje me numrin e golave të shënuar dhe pikëve të fituara nga skuadra e zemrës,

Kjo qasje tregon që tifozët e Manchester City kanë përfituar raportin më të mirë cilësi – çmim, duke paguar 16,90 sterlina për gol dhe 16,30 sterlina për çdo pikë. Nga ana tjetër, tifozët e Huddersfield Town kanë shpenzuar 70 sterlina për çdo gol të shënuar dhe 96 sterlina për çdo pikë të fituar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of