Ndarja e 900 eurove për punëtorët që humbën punën gjatë pandemisë në Kosovë nuk ka nisur ende. Këto para nuk janë përfshirë fare në buxhetin e këtij viti. Për ndarjen e tyre nuk ka ende asnjë vendim nga Qeveria e Kosovës. Punëtorët janë në pritje të marrjes së këtyre mjeteve të premtuara dhe të përcaktuara në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike
Nga Prishtina, Fatos Shala
Llogaritet se rreth 100 mijë punëtorë të sektorit privat kanë humbur punën gjatë pandemisë në Kosovë.
Për t’ua bërë më të lehtë këtë situatë, Qeveria e Kosovës u kishte premtuar para, të cilat, punëtorët që mbetën të papunë nuk i morën kurrë.
Ndarja e 900 eurove nuk ka filluar ende, ashtu siç parashihet në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike parashikohet që nga buxheti i Kosovës të paguhen pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor-dhjetor 2020, të cilët, si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna, për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj, pas datës 29 shkurt e deri më 30 dhjetor 2020.
Ndarja e këtyre parave mund të mos bëhet fare, pasi ka mungesë të mjeteve financiare. Në Ministrinë e Financave thonë se mjetet e parapara të këtij Ligji nuk janë përfshirë në buxhetin e miratuar të Kosovës për vitin 2021.
“Deklarimet që janë bërë para se të miratohet buxheti për vitin 2021, se do të shtohen 200 milionë euro për bizneset dhe 25 milionë euro për punëtorët nuk janë ndryshuar (nuk janë përfshirë në buxhet). Në draft-buxhetin aktual është një shifër prej 182 milionë eurosh, ku përfshihen sektori i biznesit, punëtorët, një pjesë është për shëndetësi, një pjesë për fondin për garantim të kredive. Nga kjo shumë, rreth 106 milionë do të ndahen për bizneset dhe punëtorët”.
Në këtë institucion njoftojnë se nuk ka vendim as nga Qeveria e Kosovës për ndarjen e këtyre parave.
“Nuk mund të flitet as për 300 euro, as për ndonjë shifër tjetër. Duhet të pritet vendimi i qeverisë, i cili do të përcaktojë se si do të bëhet ndarja, për cilat kategori dhe sa duhet të jetë shuma që ndahet. Vendimi i parë ka për të qenë për të vetëpunësuari, të larguar pa të drejtë nga përfitimi i mëhershëm prej 290 euro, do të jenë pastaj mjetet që ndahen për arsim e gradualisht ashtu si vijnë mjetet në buxhet do të merren edhe vendimet”, thonë në Ministrinë e Financave.
Për çështjen në fjalë nuk kanë pranuar të japin asnjë shpjegim nga zyra e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, të cilët thonë se për këtë mund të flasë vetëm Ministria e Financave.
Ndarja e 300 eurove për tre muaj (totali 900 euro) për punëtorët të cilët humbën punën ishte propozim i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Kjo parti, kishte propozuar edhe themelimin e një granti në shumën 200 milionë euro, ndihmë financiare e bizneseve që janë prekur nga pandemia e COVID-19. Të dyja propozimet ishin përfshirë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, por për to nuk janë ndarë fonde kur u bë miratimi i buxhetit për vitin 2021.
Azemi: Punëtorët po presin, Qeveria duhet ta mbajë premtimin
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, është shprehur se punëtorët janë në pritje të marrjes së këtyre mjeteve të premtuara dhe të përcaktuara edhe në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma dhe të kryejë këtë detyrim.
“Presim formimin e komisionit dhe të fillojë aplikimi i atyre që kanë humbur punën gjatë pandemisë dhe të përfitojnë nga 300 euro për tre muaj”.
Azemi shprehu shqetësimin se një numër i madh i punëtorëve të mbetur pa punë, nuk do të mund të përfitojnë nga kjo masë, për shkak se kanë qenë pa kontrata pune e pa pagesa të rregullta të obligimeve financiare.
“Në takimin me kryeministrin, ne u kemi treguar arsyet tona, shqetësimet tona dhe mendojmë se numri i punëtorëve që do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me nga 300 euro, do të jetë diku 30-40 mijë, kurse nëse e marrin në tërësi numrin e punëtorëve të larguar nga puna në periudhën mars – dhjetor, sigurisht që do ta kalojë shifrën 100 mijë. Kjo mospërputhje është se këta 30-40 mijë punëtorë kanë pasur edhe kontrata pune dhe kompanitë kanë paguar detyrimet e tyre pensionale, kurse pjesa tjetër nuk kanë pasur as kontratë pune, e as pagesë të Trustit”, është shprehur Azemi.
Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7%. Sipas këtyre të dhënave, për vitin 2019, numri i qytetarëve të punësuar, ishte 363,180 persona, ndërsa të papunë, por në kërkim të një vendi pune, ishin 176,743 persona.
Ndërkohë, mbi 700 mijë persona në Kosovë janë në moshe punë, por ekonomikisht joaktivë. Personat ekonomikisht joaktivë përfshijnë studentët, amvisat, punonjësit e dekurajuar dhe persona të tjerë. Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, në një deklarim për media, pati thënë se shkalla e papunësisë në Kosovë, pas përfundimit të pandemisë, mund të shkojë në 50%, nga rreth 30% në muajin mars.
Mbi 23% e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë, nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë. Kosova ka vuajtur nga papunësia ndër vite.
Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4% nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka thënë se si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ekonomia e Kosovës do të shënojë rënie deri në 7.2%.
Statistika
Mbi 23% e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri. Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18% e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5% e popullsisë, nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë. Kosova ka vuajtur nga papunësia ndër vite. Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej 4% nuk ka arritur t’i zbusë këto probleme.
Buxheti për këtë vit, 2.4 miliardë euro
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 85 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, miratuan në dhjetor të vitit të kaluar buxhetin për vitin 2021. Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 është 2 miliardë e 412 milionë euro. Ministria e Financave ka njoftuar se buxheti për këtë vit tashmë ka filluar të ekzekutohet përmes Sistemit Informatik për Menaxhimin e Financave Publike (SIMFK), i njohur si Sistemi i Thesarit.
“Buxheti për vitin 2021 është vendosur në sistem, menjëherë sapo ka hyrë në fuqi dhe filluar të ekzekutohet, për organizatat që kanë sjellë zyrtarët e autorizuar për qasje në sistem”. Nga projeksionet fiskale, gjithsej të hyrat buxhetore do të jenë 1 miliardë e 886 milionë euro, kurse shpenzimet parashikohet të jenë 207.6 milionë më të vogla se sa vitin paraprak.
Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliardë e 169 milionë euro. Në shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transferta; 625 milionë euro, paga dhe shtesa; rreth 311 milionë euro për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva.
Në këtë pjesë të shpenzimeve, 182.4 milionë euro parashikohen të shpenzohen në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike. Për sa u përket ministrive, buxhet më të madh pritet ta ketë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndjekur nga ajo e Infrastrukturës dhe e Financave.
Në vitin 2021, buxheti për 38 komunat do të jetë mbi 550 milionë euro. Komuna me buxhetin më të lartë do të jetë ajo e Prishtinës me rreth 86 milionë euro, Parteshi do të ketë buxhetin më të ulët, me vetëm 1 milion euro.
Parashikimet fiskale për vitin 2021 tregojnë se investimet do të jenë 616 milionë euro, ku pjesa më e madhe do të bëhet nga buxheti i rregullt.
Nga kufiri i buxhetit 2021, Presidenca, Kuvendi dhe Kryeministria për këtë vit do të kenë 25 milionë euro. Për Presidencën janë planifikuar të harxhohen 3.15 milionë euro, për Kuvendin, 9.3 milionë euro, kurse për Zyrën e Kryeministrit, 12.6 milionë euro.
Për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë planifikuar të shpenzohen 510 milionë e 852 mijë euro, nga të cilat 489 milionë euro janë për subvencione dhe transferta, 5.12 milionë euro për paga dhe mëditje dhe 1.62 për mallra dhe shërbime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.