Presidenca njofton zyrtarisht për takimin mes Thaçit e Kurtit – Kjo javë vendimtare për koalicionin LVV-LDK

06/01/2020 11:18 AM 0 komente

Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun nga presidenca e Kosovës kanë njoftuar për takimin e sotëm që do të ketë Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albin Kurti.

Takimi do të mbahet ashtu edhe siç kishte paralajmëruar Kurti për ditën, ndërsa Thaçi për orën.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në orën 15:00 pret kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar për medie.

Sipas njoftimit mediat do të mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë. “Mua vetëm LDK ma përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai.

Përndryshe, para këtij takimi LDK-ja do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.

Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i marrë gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive.

 

Tre muaj nga zgjedhjet – Kjo javë vendimtare për koalicionin LVV-LDK

 

Kjo javë pritet të jetë vendimtare lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së. Bisedimet mes liderëve të këtyre dy subjekteve politike, tani pritet të shihet nëse do të rezultojnë me një marrëveshje pas një presioni diplomatik ndërkombëtar, në radhë të parë SHBA-së.

Sot janë mbushur tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nacionale, e vendi vazhdon të jetë pa institucione funksionale. Bisedat e takimet mes dy subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, fillimisht përmes grupeve punuese për harmonizim programesh, muajin e fundit edhe në nivel liderësh, nuk sollën deri te arritja e koalicionit qeverisës LVV-LDK.

Koalicioni mes këtyre dy subjekteve politike nuk ndodhi deri tash, përkundër zotimeve nga dy taborët, që nga fushata zgjedhore, se një koalicion qeverisës LVV-LDK është punë e kryer.

Një gjë e tillë u pa si vështirë e realizueshme pas mbajtjes së mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 26 dhjetor, kur LVV propozoi e Kuvendi e zgjodhi edhe me votat e LDK-së Glauk Konjufcën e LVV-së kryetar Kuvendi.

Ky veprim e LVV-së bëri që LDK të ndjehet e ‘tradhtuar’, sepse në bisedimet që po zhvilloheshin, ishte pothuaj se e sigurt se LDK-ja do të merrte postin e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa ‘lufta’ po bëhej për postin e Presidentit të vendit, post ky për të cilin LDK vazhdon të insistojë që ta marrë, kur Presidentit aktual t’i përfundojë mandati.

Duket sikur është dashur të ndodhë konstituimi i Kuvendit dhe ajo që ndodhi me zgjedhjen e Konjufcës kryetar, që të aktivizohen edhe misionet e huaja diplomatike në Kosovë, në radhë të parë ambasada e SHBA-së.

Ambasadat e vendeve të fuqishme botërore, SHBA, Britanisë së Madhe e Gjermanisë, në prag të festave të fundvitit, kërkuan nga subjektet politike që të nxitojnë në krijimin e institucioneve të dala nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Në këtë drejtim, siç rëndomë ndodhë, më aktive ishte diplomacia amerikane. Fillimisht, më 30 dhjetor ambasadori Kosnett takoi krerët e LDK-së, Isa Mustafën dhe nënkryetarët e këtij subjekti politik, e më pastaj edhe liderin e LVV-së Albin Kurtin.

Kosnett edhe në këto takime ka kërkuar që institucionet e Kosovës të formohen sa më shpejt.

E një kërkesë të tillë Ambasada Amerikane në Prishtinë e ka përsëritur edhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Pasi ka uruar për konstituimin e Kuvendit, ambasada ka kërkuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, që të krijojnë sa më shpejt qeverinë e re.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of