Niveli i lartë i taksave dhe korrupsioni u vlerësuan sot nga Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë si pengesë për thithjen e investimeve të huaja. Në analizën vjetore, Jaço u shpreh se rezultatet e anketave të biznesit rendisin si problem parësor korrupsionin e administratës si pengesë për investimet.
“Korrupsioni është një nga problemet, ne të gjithë e dimë dhe e pranojmë që korrupsioni është i përhapur në Shqipëri dhe pengon seriozisht investimet e huaja. Ne bëjmë një anketë të përgjithshme vjetore dhe problem i parë që përmendet është problematika e monopoleve dhe konkurrenca e pandershme. Korrupsioni është një problem dhe çfarë do të themi ne në lidhje me klimën e investimeve ka një element të fortë që, nëse nuk godasim korrupsionin do ta kemi të pamundur të bëjmë hapa përpara”, u shpreh Jaço.
Presidenti i Dhomës Amerikane deklaroi se problem për investimet janë edhe taksat. Sipas tij, investitorët shprehen se niveli i lartë i taksave e ka kthyer Shqipërinë në një vend jokonkurrues.
“Ne diskutojmë shpesh në lidhje me taksat ose investitorëve u interesojnë shumë taksat në Shqipëri. Ka dy probleme në lidhje me taksat. E para konsiderohet se Shqipëria nuk ka nivelin më konkurrues të taksave, pra në rajon kemi vende që janë shumë konkurrues, të cilat vendosin incentiva të forta, duke përfshirë incentiva që kanë lidhje me sistemin tatimor dhe kjo e bën Shqipërinë vendin jo më konkurrent të lirë me taksat. Ka një problem tjetër ndryshimi i shpeshtë i paketës fiskale, kjo ka qenë problematika më e madhe”, u shpreh Jaço.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.