Emmanuel Macron ringjall një institucion paslufte për epokën pas Covid-19. Dhe deklaron një masë të jashtëzakonshme stimuluese
Në vitin 1946, teksa Franca doli nga tmerret e luftës, Charles de Gaulle hartoi le Plan, për të rindërtuar vendin e tij të rrënuar, shkruan The Economist. Mbështetur në sloganin “Modernizimi ose dekadentizmi”, plani i parë pesëvjeçar identifikoi gjashtë industri kryesore – qymyri, energjia elektrike, çeliku, transporti, bujqësia e mekanizuar dhe çimento – mbi të cilat Franca do të ndërtonte një ekonomi moderne.
“Modernizimi është një koncept në mendje”, deklaroi Jean Monnet, komisioneri i parë i Planit (dhe më vonë bashkarkitekti i integrimit europian). Me të vërtetë, në mendjen e francezëve, Plani ishte faktori kyç që u hapi rrugë 30 viteve të begata – les trente glorieuses – që pasuan.
Zyra e Planit u mbyll formalisht në vitin 2006, por u bënë gati 30 vjet që Franca nuk ka hartuar një plan pesëvjeçar. Një organ pasardhës, i njohur si France Stratégie, thuajse nuk e përmendte fare fjalën “plan”. Nga mesi i viteve 1980, forcat e liberalizimit dhe globalizimit e kthyen ish-institucionin dhe fokusin e tij në planifikim, në një relike të veçantë historike. Deri tani.
Më 3 shtator, qeveria franceze vendosi të shpallte ringjalljen e Planit të famshëm. Komisioneri i parë i organit burokratik të rimëkëmbur do të jetë François Bayrou. Ai është një veteran me prirje centriste dhe udhëheqësi i MoDem, një partie që është thelbësore për shumicën qeverisëse të presidentit Emmanuel Macron në Parlament. Zoti Bayrou nuk do të bashkohet me qeverinë, por do t’i raportojë asaj.
Planifikimi shtetëror dhe dëshira për autonomi në industritë strategjike kanë një histori të gjatë në Francë, duke filluar që nga koha e Jean-Baptiste Colbert, ministrit të Financave të mbretit Luigji XIV. Në kohët e fundit, me mbizotërimin e ortodoksisë liberale në mbarë botën, ajo ishte thjesht një dëshirë e dirigjistëve (mbështetës të shtetit të fortë) të skajshëm francezë, shpesh objekt i kritikave nga miqtë e tyre gjermanë. Megjithatë, pandemia Covid-19, tani po e zhvendos debatin përtej Francës.
Mungesat e maskave kanë vënë në pikëpyetje idenë e mbështetjes në zinxhirët globalë të furnizimit. Spitalet e mbingarkuara kanë forcuar argumentin për investime në shëndetin publik. Puna nga shtëpia dhe frika nga turmat kanë risjellë diskutimin në lidhje me gjeografinë dhe gjelbërimin e qytetit, ashtu si mbylljet e kufijve kanë çorientuar industritë e udhëtimit, turizmit dhe hapësirës ajrore.
Synimi i ringjalljes së Planit, thotë zoti Macron, është “për të rizbuluar sensin e periudhës afatgjatë” dhe për t’u siguruar se qeveria nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e krizës. Planet pesëvjeçare nuk do të rikthehen, lajm ky që lehtëson shumë njerëz. Por zoti Bayrou do të përcaktojë se si duhet të përgatitet Franca për vitin 2030: si të përparojmë drejt një ekonomie me karbon më të ulët, të investojmë në aftësitë e duhura për botën e ardhshme të punës dhe të forcojmë industritë lokale në të gjithë vendin.
“Plani francez nuk ka qenë asnjëherë një plan i stilit sovjetik”, thotë ekonomisti Jean Pisani-Ferry dhe ish-kreu i France Stratégie, i cili paralajmëron kundër karikaturave. Në formën e tij të hershme, Plani kishte të bënte vërtet me investimet publike në rrugë, hekurudha, energji elektrike dhe telekomunikacion. Por gjithashtu u mbështet shumë te firmat e sektorit privat dhe planifikimi publik.
Mbështetësit e Planit të ri argumentojnë se pasiguritë e botës pas Covid-19, kërkojnë një strategji të re. “Planifikimi nuk është bërë pjesë e ortodoksisë së re”, thotë zoti Pisani-Ferry, “por ai nuk është më tabu”. Zotit Bayrou do të ketë më tepër një rol reflektues sesa ekzekutues. Ministri i Financave, Bruno Le Maire, mbetet përgjegjës për shpenzimet publike.
Prandaj nuk ishte rastësi që kryeministri i ri, Jean Castex, do të niste Planin në të njëjtën ditë kur shpalosi paketën stimuluese prej 100 miliardë eurosh (119 miliardë dollarësh). Ajo do të shpenzohet për dy vjet, dhe dy të pestat e shumës do të vijnë nga fondi i ri i rimëkëmbjes së Bashkimit Europian. Një pjesë e idesë është afatshkurtër: për të mbajtur bizneset në këmbë dhe njerëzit në punë gjatë një recesioni të thellë.
Ekonomia franceze u tkurr me 13.8% në tremujorin e dytë – më pak se e ajo e Spanjës, por më shumë se ekonomia e Gjermanisë – dhe parashikohet të tkurret me 11% në vitin 2020. Qeveria tashmë ka thënë se do të zgjasë edhe për dy vjet skemat e saj bujare të papunësisë, të cilat kanë mbuluar deri në 12 milionë njerëz, megjithëse me një kontribut të ulur shtetëror. Ka premtuar gjithashtu ulje taksash për bizneset. Dhe zoti Castex është “angazhuar absolutisht” për të mos rritur asnjë taksë.
Ideja është që kriza të kthehet në një mundësi për të rritur dhe për të ridrejtuar investimet publike. Nga njëra anë, do të ketë shumë masa ekologjike (izolimi i ndërtesave, investime në hidrogjen dhe studime kërkimore), si dhe zgjerim të infrastrukturës së gjerë dhe asaj lokale. Nga ana tjetër, do të ketë një shtysë për rritjen e aftësive dhe trajnimeve, veçanërisht për të rinjtë.
Ndryshe nga Gjermania, Franca do të përqendrohet më pak në stimujt e udhëhequr nga kërkesa dhe më tepër në mbështetjen e bizneseve dhe investimeve. Pjesërisht falë ndihmës së qeverisë, konsumatorët francezë krijuan kursime gjatë karantinës dhe të ardhurat u ruajtën në pjesën më të madhe. Shpresa është që, nëse rikthehet besimi, tani ata do të fillojnë shpenzimet.
A është e gjithë kjo pjesë e kthesës së madhe të centristit liberal Macron? Fjala planifikim nuk u përmend fare gjatë fushatës së tij zgjedhore. Tani, ai i ka ndalur reformat për përfitimet dhe pensionet dhe ka emëruar në krye të qeverisë një burokrat si zoti Castex. Zoti Macron thotë se po shfrytëzon momentin “për të përshpejtuar” transformimin e Francës, jo për ta braktisur atë. Ai këmbëngul se reformat do të rifillojnë.
Ndoshta ndjesia e modës së vjetër që krijon Plani është e qëllimshme: jo sepse paralajmëron një rikthim në planet pesëvjeçare, por sepse synon t’u thotë francezëve se, pavarësisht pandemisë, qeveria është ende nën kontroll. “Filozofia ime”, thotë zoti Macron, duke cituar Monnet, është se “transformimi dhe modernizimi i vendit nuk mund të ndalet”.