Pas dy ftesave të refuzuara, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Kjo është letra e tretë e presidentit Thaçi dërguar kryetarit të Vetëvendosjes.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar Kurtin për përgjigjen zyrtare dhe duke mirëkuptuar pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në dy takimet e së premtes, e ka ftuar atë sërish për takim nesër më 31 dhjetor, në orën 10:00.
Në letrën e tij të tretë, presidenti i vendit ka thënë se me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.
“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.
Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.
“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Kujtojmë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar gjatë ditës së premte kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurtin që ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë.
Gjatë të premtes Thaçi ia ka dërguar dy ftesa Kurtit, por të cilat të dy janë refuzuar.
Në njoftimin e presidencës thuhet se presidenti Thaçi ka ftuar Albin Kurtin që të merr pjesë në takimin konsultativ për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.
“Në pajtim me Nenin 84 (14) dhe Nenin 95.1 të Kushtetues së Republikës së Kosovës, do të ndërmarr hapat e përcaktuar në Kushtetutë për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Brenda afatit prej 15 ditësh që nga mandatimi i kandidatit për kryeministër nga ana e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta paraqesë një qeveri, e cila duhet të marrë mbështetjen e 61 deputetëve.
Kurse, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe ka kërkuar që sa më shpejt të formohet qeveria e re.
“Ambasada e Amerikës në Kosovë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca, anëtarët e Kryesisë dhe të gjithë deputetët”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.
“Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë menjëherë qeverinë e re për të përmbushur kështu mandatin e votuesve. Presim të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë e prosperitetin”.
Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera joshumicë.
Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.