Presim dozat e AstraZeneca, Rama: Brenda 14 muajsh do të kryejmë të gjithë vaksinimin

17/02/2021 12:21 PM 0 komente

Brenda 14 muajsh do të kryhet i gjithë procesi i vaksinimit në vend, deklaroi kryeministri Edi Rama, gjatë inspektimit në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku ka filluar vaksinimi i të moshuarve.

Nga sot do të kryhen 300 deri në 500 vaksinime në ditë.

“Për rreth 1 mijë persona vaksinimi do përfundojë këtë javë, ndërkohë që po shtrihet në të gjithë rrjetin e bluzave të bardha. Sot janë prezent dhe mjekë nga Mati dhe Bulqiza, nesër do jemi në Vlorë e do vazhdojmë me zonën poshtë. Do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi kur vdesin e të mbajmë fjalime.

Presim nga dita në ditë konfirmimin për marrëveshjen e 360 mijë dozave të AstraZenenca. Mbrëmë kemi pasur një konkakt me një shtet mik në kuadër të kontakteve dhe kemi shumë shpresë realiste që do kemi sasi tjetër dhe mbetemi të bindur se skenari i vaksinimit të popullatës që do të vaksinohet të realizohet. Brenda 14 muajsh të kemi kryer të gjithë vaksinimin”.

Një ditë më parë filloi vaksinimi i të moshuarve në Shkodër.

“Kemi filluar dje nga Shkodra dhe tashmë në të gjithë Shqipërinë vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e përkujdesit ndaj të moshuarve. Në total në të gjithë shtëpitë e përkujdesit janë rreth 700 të moshuar. Pjesa tjetër janë staf. Pra rreth 1000 të moshuar dhe staf që do të vaksinohen”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu tha se do të vijohet me vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç edhe në popullatë.

“Vijojmë me vaksinimin e të moshuarve në qendrat rezidenciale dhe më pas do të vijojmë me grupin +80 vjeç, me ardhjen e sasive të tjera të vaksinës, nga java tjetër e në vazhdim”.

Vaksinimi ka filluar edhe për mjekët në rrethe, ndërkohë deri më tani janë vaksinuar 1100 mjekë që kanë marrë dozën e parë, dhe 650 të tjerë që kanë përfunduar  të dyja dozat. Vaksinimi në vend filloi më 11 janar.

Po si po shkon shpërndarja e vaksinave në botë?

Më shumë se 181 milion doza janë administruar në 79 vende të botës, përafërsisht 6.19 milion doza në ditë.

Në Shtetet e Bashkuara janë administraur 56.1 milion doza, dhe rezulton se më shumë amerikanë tani kanë marrë të paktën një dozë sesa kanë rezultuar pozitivë me Covid që nga fillimi i pandemisë. Sipas të dhënave të përpunuara nga Bloomberg aktualisht po administrohen 17.08 doza për 100 banorë. Në katër vendet e para qendrojnë:

Izraeli, 74,68 doza për 100 banorë;

Ishujt Seychelles, 58.31 doza për 100 banorë;

Emiratet e Bashkuara Arbabe, 48.36 doza për 100 banorë;

Britania e Madhe, 24.14 doza për 100 banorë.

Situata në Europë dhe rajon

Në Europë aktualisht po administrohen 16,122,272 doza, ose rreth 5.07 doza për 100 banorë.

Greqia administron 575,766 doza, ose 5.37 doza për 100 banorë.

Serbia, administron 802,319 doza apo 11.54 doza për 100 banorë. Sipas të dhënave nga Bloomberg Shqipëria administron 0.04 doza për 100 banorë. Bullgaria 1.11 doza për 100 banorë.

Burimi: Bloomberg

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of