Intervistë me Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave dhe Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank
Kreditë sindikale mund të kenë potenciale të mëtejshme zhvillimi në tregun bankar shqiptar.
Glenda Kurti, Drejtore e Divizionit të Korporatave dhe Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Tirana Bank, thotë se projektet e reja që po zhvillohen në sektorë si infrastruktura, energjetika dhe turizmi, mund të gjenerojnë kredi të reja të përbashkëta, në mbështetje të tyre.
Sipas saj, këto kredi ofrojnë një sërë avantazhesh për bankat tregtare, ndër të cilat më të rëndësishmet janë ndarja e rrezikut, por edhe e përvojës mes bankave, konsulentëve dhe palëve të tjera të përfshira në proces.
Cila është përvoja e deritanishme me kreditë sindikale në sektorin bankar shqiptar dhe sa kanë funksionuar ato?
Sektori bankar shqiptar është i përfshirë në kredi sindikale prej vitesh, që para vitit 2010. Më të shpeshta janë financimet e kredive sindikale, me dy banka pjesëmarrëse, por nuk mungojnë edhe rastet ku marrin pjesë tre e më shumë.
Ka pasur financime që janë realizuar mes bankave të nivelit të dytë, por nuk kanë munguar edhe raste të bashkëpunimit midis bankave lokale dhe institucioneve financiare si EBRD, IFC etj., apo edhe midis bankave lokale me banka simotra të grupit që këto i përkasin.
Qëllimi i financimit ka qenë kryesisht për financime projektesh, por jo vetëm. Tirana Bank është pjesëmarrëse në tre kredi të tilla, nga të cilat tek dy është edhe “Leader”. Të tria kreditë sindikale, deri tani, kanë pasur një performancë të rregullt dhe kredimarrësit janë korporata me reputacion shumë të mirë në treg.
Cilat janë avantazhet për bankat nga angazhimi në projekte të kredive sindikale?
Bankat kanë avantazhe nga pjesëmarrja në kredi sindikate. Avantazhet kryesore konsistojnë në bashkëpunimin dhe ndarjen e eksperiencës mes bankave që marrin pjesë në këto financime; bashkëpunimi dhe ndarja e përvojës edhe me palë të treta që ofrojnë studim fizibiliteti dhe opinione ligjore, të cilët janë pjesë shumë e rëndësishme e këtij procesi; ndarjen e riskut dhe të limitit, sidomos kur bëhet fjalë për projekte në shuma të mëdha; mënyrën e strukturimit të këtyre kredive në krahasim me kreditë ku është pjesëmarrëse vetëm një bankë.
Cilët sektorë ekonomikë mund të kenë më shumë potenciale për t’u mbështetur me kredi të këtij lloji?
Mendoj se potencialet më të mëdha për kreditë sindikale i kanë projektet e energjisë, ato të turizmit, projektet në infrastrukturë, ato në sektorin e ndërtimit, qendrat tregtare, etj.
Çfarë vështirësish specifike shtron për bankat përfshirja në skema të financimeve të përbashkëta?
Në përgjithësi, kreditë sindikale kanë shumë avantazhe, por sigurisht që shtrojnë edhe disa vështirësi. Çështjet kryesore konsistojnë në kohën e shpenzuar në finalizimin dhe ndjekjen e një financimi të tillë, në krahasim me pjesëmarrjen e vetëm të një banke. Zakonisht, kreditë sindikale finalizohen në një periudhë kohore më të gjatë se gjashtë muaj. Problematikë tjetër mund të jetë nevoja për koordinim mes bankave dhe palëve të treta në këtë proces.
Si paraqitet aktualisht tregu i kredisë për korporatat? Sa është ndikuar ky segment i tregut nga pandemia?
Në fillim të këtij viti, pati një rënie të kërkesës jo vetëm për kreditë sindikale, por edhe për financime të thjeshta në segmentin e Korporatave, ndoshta kjo e lidhur jo vetëm me pandeminë, por edhe me zgjedhjet që priteshin të zhvilloheshin. Gjithsesi, kreditë sindikale nuk janë shumë të shpeshta, sepse lidhen me projektet që zhvillohen në sektorë të ndryshëm.
Pavarësisht vështirësive të hasura në fillim të vitit, aktualisht ka shumë investime të reja private në sektorët e infrastrukturës, energjisë dhe turizmit, kështu që ne jemi pozitivë që edhe këto kredi do të jenë më të mëdha në numër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.