Qeveria Çeke do të bëjë të detyrueshme përdorimin e maskës nga 1 shtatori në transportin publik dhe në shumë ambiente publike të mbyllura pas rigjallërimit të virusit dhe si një masë parandaluese, pasi presin që vjeshta të jetë e vështirë.
Çekia ishte ndër vendet e para në Europë që iu imponojë njerëzve të mbajnë maskë në shumicën e vendeve publike në mars, por gradualisht e hoqi këtë kërkesë me rënien e numrit të infeksioneve në fund të pranverës.
Por rastet e reja kanë filluar të rriten sërish.
“Ne e konsiderojmë këtë si një masë parandaluese duke pasur parasysh që me siguri do të përballemi me një vjeshtë të ndërlikuar, veçanërisht pas 1 shtatorit kur do të ketë një ndërveprim të lartë social,” tha ministri i Shëndetësisë Adam Vojtech sot, duke njoftuar vendimin.
Shkollat do të rihapen më 1 Shtator pas pushimeve të verës.
Rregullat e reja do t’u kërkojnë njerëzve të përdorin maskën, në hapësirat e shkollave dhe ndërtesave publike, por jo në vendin e punës, as në restorante dhe bare.
Qeveria ka ulur gjithashtu kërkesën për karantinë në 10 ditë nga kontakti me një person të infektuar, nga 14 ditë që është aktualisht.
Republika Çeke, me një popullsi prej 10.7 milionë, deri më tani ka raportuar rreth 20 mijë raste me Covid-19, ku vetëm 397 persona kanë humbur jetën, shifër shumë e ulët në krahasim me shumë vende të tjera të Europës./Reuters