Flet ish-ministri i financave, Arben Malaj
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj në intervistën për Monitor Ekonomi shprehet se nëse fondet e konferencës së donatorëve do të përdoren me efikasitet, ndikimi në ekonomi do të jetë pozitiv.
Pjesa më e madhe e fondeve janë kredi, dhe sipas Malajt nëse do të vijojë rritja ekonomike efektet te borxhi publik dhe deficiti do të ulen. Sipas tij pas një fatkeqësie natyrore treguesit fiskalë të ekonomisë, si deficiti dhe borxhi publik rriten.
Malaj thekson si të rëndësishme përdorimin me efikasitet dhe transparencë të fondeve të mbledhura në konferencën e donatorëve. Ai rekomandon ndarjen e shpenzimeve në buxhet për rindërtimin dhe atë për buxhetin buxhetin e zakonshëm më qëllim transparence.
Ai shprehet kundër ndryshimeve fiskale në përballimin e situatave emergjente, pasi prioritet në menaxhimin e situatës duhet të jetë sigurimi i burimeve të financimit. Malaj thotë se mbështet rekomandimet e FMN-së për mosndryshim të politikave fiskale. “Mbetet sfidë se si shuma që u dha do të materializohet në procesin e rindërtimit, se sa mirë do të përdoren këto para, efikasiteti i tyre, sa do të mbrohen nga korrupsioni dhe risqet potenciale”
Profesor Malaj, si do të konsiderohet konferenca e donatorëve për mbledhjen e fondeve ku një pjesë e tyre konsiderohen borxh?
Ndikimi më i madh i konferencës së donatorëve ishte që vrau pesimizmin e krijuar te shqiptarët për shtyrjen e herëpashershme të negociatave. Duke bashkuar këtë solidaritet financiar me mundësinë e çeljes së negociatave në samitin e Zagrabit, le të shpresojmë se do të krijohet një ambient më shpresëdhënës për shqiptarët.
Sa më transparent të jetë procesi, që të mos duket si mbështetje partiake apo individuale, aq më i lehtë do të jetë implementimi i tij dhe më konkret do të jetë përfitimi për qytetarët. Prandaj ky moment duhet trajtuar si një shenjë solidariteti që Bashkimi Europian, përballë edhe krizës së Brexit, do të japë pasi projekti bazohet në vlerën themelore që është solidariteti.
Çfarë ndikimi do të ketë në ekonomi përdorimi i fondeve?
Sigurisht që shuma që do të hidhet do të ketë ndikim, pasi do të jenë shpenzime, investime. Në një ekonomi që hidhen para zhvillohet më shumë, me ndikim në uljen e papunësisë dhe lehtëson mbledhjen e të ardhurave buxhetore për të reduktuar deficitin dhe borxhin.
Historia ka treguar se në të gjitha rastet kur në ekonomi ka pasur impute të tilla për shkak të situatave të vështira, apo pas luftërave ku është dashur gjithçka të rindërtohet dhe më pas të modernizohet, kanë pasur ndikim.
Efekti pozitiv do të jetë besueshmëri në procesin e implementimit. Sepse në rast se krijohet pozitiviteti që vjen nga shuma e mbledhur në këtë konferencë, që ishte një sukses i organizatorëve dhe qeverisë, atëherë këtij pozitiviteti i shtohet edhe shpresa e shqiptarëve, që do të investohet më shumë, dhe do të shpenzohet më shumë.
Në qoftë se se procesi i implementit të këtij fondi realizohet në një ambient politik të acaruar apo joshpresëdhënës, atëherë shumatorja e parave që duhet të harxhojnë qytetarët dhe atyre që vijnë nga Bashkimi Europian nuk është aq i madh, dhe nuk sjellin efektin që pritej. Përgjegjshmëria do të duket jo nga optimizmi i tepruar për solidaritetin që morëm, që mund të cilësohet solidaritet për shqiptarët dhe përfaqësuesja e Komisionit Europian e qartësoi në fjalën e saj, por në efikasitetin e tyre.
Qeveria kërkon meritën e saj për shumën e mbledhur, por mbetet sfidë se si shuma që u dha do të materializohet në procesin e rindërtimit, se sa mirë do të përdoren këto para, efikasiteti i tyre, sa do të jemi të mbrojtur nga korrupsioni dhe risqet potenciale. Donatorët kanë bërë paralajmërim që kërkojnë të jenë pjesë e të gjithë procesit.
Sfida kryesore e qeverisë do të jetë shpejtësia, nëse do të jetë në gjendje të koordinohet me donatorët dhe a janë gati donatorët të bëhen pjesë e një plani konkret në konceptin e qeverisë shqiptare. Së dyti, mbetet sfidë koordinimi mes donatorëve që ofruan shifra të ndryshme dhe specifikuan sektorët prioritarë. Por mbase në ndonjë rast shuma e specifikuar mund të jetë më e madhe, se nevojat që ka vendi. Pra duhet të negociohet që fondet që teprojnë për sektorë specifikë të shkojnë për sektorët e tjerë, si shëndetësia, strehimi apo infrastruktura.
Së treti, një nga sfidat më kryesore mbetet strehimi. Janë dy projekte konkrete, ai i qeverisë turke për ndërtimin e 500 shtëpive dhe të Emirateve Arabe për ndërtimin e 2 mijë shtëpive. Nga inventarizimi është evidentuar se 17 mijë familje kanë nevojë për strehim. Nuk mund ta paragjykojmë që në fillim procesin, por edhe nuk ka asgjë të keqe që ekspertë të ndryshëm të shprehin sugjerimet, me qëllim eliminimin e risqeve.
Një pjesë e këtij fondi konsiderohet hua, ndërkohë që qeveria po përgatitet për një tjetër eurobond, a do të rrisin ato borxhin publik?
Është e nevojshme që edhe për hir të transparencës buxheti i shtetit të përbëhet nga dy pjesë, buxheti që miratohet si buxhet i zakonshëm, dhe buxheti i rindërtimit. Kjo do të lejonte që të dinim saktë pjesën që do të duhej për procesin e rindërtimit, sa prej tyre do të mbuloheshin në vitin e parë me grante, sa në planin afatmesëm 2021-2022 dhe në planin afatgjatë 2023-2024.
Parimisht nëse ndodh një fatkeqësi natyrore, apo ka një rënie ekonomike nga faktorë të ndryshëm, si të një krize globale apo fatkeqësie natyre, kur ekonomia fillon të tkurret ka nevojë të ushqehet. Në planin afatshkurtër deficiti dhe borxhi mund të rriten. Por kur rritja ekonomike shkon nga 2,9 për qind në 4.1 për qind, këta tregues krijojnë premisa që në planin afatmesëm të ulen. Nuk mund të ketë dalje nga një situatë e vështirë ekonomike me shtrëngim të borxhit.
A mund të ndjekë gjatë vitit qeveria një politikë lehtësuese fiskale?
Ky është një shqetësim i ngritur edhe FMN. Edhe unë mendoj se një fatkeqësi natyrore nuk duhet të dëmtojë kolonat e sistemit financiar dhe nuk duhet të ndryshojë politikat kryesore. Mund të ketë elementë administrimi për të lehtësuar, si shtyrjen e shlyerjes se detyrimeve nga individët apo biznesit gjë e cila parashikohet në ligj, por nuk duhen të bëhen politika fiskale për ngjarje dhe territore të caktuara.
Sigurimi i burimeve të financimit i lejon qeverisë shqiptare të menaxhojë situatën pa krijuar ndryshime në sistemin e të ardhurave buxhetore. E di që do të ketë presione për të ndryshuar politikat fiskale, por kjo është pjesë e lidershipit. Vendimmarrësi nuk duket vetëm te dijë se sa para mbledh, por edhe se sa e ndihmon ekonominë e një vendi, të ketë të qartë parimin e menaxhimit të financave publike, ku taksat nuk ndryshohen shpesh dhe administrimi fiskal nuk është proces që ndryshon periodikisht me udhëzime të veçanta.
A do të zbatohet objektivi që borxhi të ulet çdo vit?
Pikërisht sepse nuk janë arritur parashikimet e rritjes ekonomike, të bën pesimist që rruga e ndjekur për qëndrueshmërinë e financave publike nuk është bazuar te një përmirësim i të ardhurave që mund të vijë vetëm nga rritja, procesi i mirëadministrimit, por është bazuar më shumë te shkurtimi i shpenzimeve dhe mosrealizimi i investimeve publike. Rrënjët e rritjes ekonomike janë të cenuara. Në planin afatgjatë është e vështirë të jesh optimist për nivele më të lartë të ekonomisë, që të ketë më shumë punësim, më pak varfëri, dhe një sërë objektivash sociale që shteti duhet t’i realizojë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.