Ashtu siç kishte paralajmëruar, Banka e Shqipërisë javën e kaluar njoftoi se kishte ulur normën bazë të interesit në ekonomi me 0.25 pikë përqindjeje,
duke e çuar atë në 5%, niveli më i ulët historik ky. Për herë të fundit kjo normë ishte në këtë nivel në korrik 2010 (nga janari 2009 deri në fillim të vitit 2011,
Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë lehtësuese për të nxitur ekonominë, që po ngadalësohej nga kriza globale).
Rritja e çmimeve në muajt e parë të 2011-s e detyroi bankën qendrore të kthente sërish kahun, duke e çuar normën në 5.25% në mars të këtij viti, periudhë kur inflacioni e kaloi objektivin maksimal prej 4%,
për t’u lehtësuar sërish në muajt e mëvonshëm (3.1% në muajin gusht). Rënia e çmimeve të konsumit e nxiti bankën qendrore që t’i kthehej sërish politikës monetare lehtësuese.
Rritja e kredisë, situata më e përmbajtur fiskale, gjallërimi i ekonomisë i orientuar nga eksportet, ngushtimi i deficitit tregtar ishin disa nga zhvillimet e tjera pozitive të pjesës së parë të këtij viti, që ndikuan në vendimin e Bankës së Shqipërisë.
Tashmë ulja e re vjen në një moment kritik për ekonominë shqiptare, i lidhur kryesisht me ambientin përreth saj (kriza në eurozonë), por dhe me faktorë të brendshëm.
Kriza e borxheve të eurozonës po kërcënon sërish të ngadalësojë ritmet e rritjes ekonomike në vend, në një kohë kur pritej që gjysma e dytë e vitit pritej të ishte më e gjallëruar.
Një pjesë e eksportuesve pohojnë se kanë filluar të ndiejnë sinjale për rënien e porosive nga partnerët e tyre të eurozonës (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Në eurozonë, rënia e shpejtë e indeksit të aktivitetit të blerjes së menaxherëve dhe treguesve të besimit e vënë theksin në një ekonomi stanjante përgjatë dimrit.
Banka Qendrore Europiane (BQE) nuk përjashton një recesion teknik –dy tremujorë rresht të tkurrjes së aktiviteti ekonomik.
Në këtë situatë, një lehtësimi i kredive, sidomos për bizneset do të ishte pozitiv për ekonominë shqiptare. Por, një rrezik tjetër, që vjen nga vjen nga eurozona është ai inflacionit të importuar
(një transmetim i rritjes së çmimeve dhe tek ne do ta detyronte BSH-në të ndryshonte sërish kahun e politikës së saj).
Të dhënat më të fundit tregojnë se inflacioni me bazë vjetore i muajit shtator në eurozonë arriti në mënyrë të papritur në 3%, niveli më i lartë i tre viteve të fundit,
i nxitur kryesisht nga çmimet e veshjeve dhe të energjisë. Ky lajm i fundit ka ngjallur dilemën nëse Banka Qendrore Europiane, ashtu siç kishte paralajmëruar,
do të ulë në tetor normën bazë të interesit dhe duke ia vështirësuar detyrën për të ndikuar në rritjen e ngecur në vend të eurozonës.
Lidhur me faktorët e brendshëm, një konsum i tkurrur prej muajsh po rezulton si një handikap për rritjen, siç është konstatuar shumë herë tashmë dhe nga Banka e Shqipërisë.
Ndërsa për bizneset, një ulje e normës së interesit në lekë nuk mund të japë shumë efekt, për shkak se pjesën më të madhe të huasë ata e kanë në valutë
(kredia në euro përbënte 65% të totalit të huasë në valutë për sektorin e biznesit në fund të korrikut 2011, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave),
mund të ketë ndikim më të madh te individët. Nëse vendimi i Bankës së Shqipërisë do të transmetohej në uljen e interesave për overdraftet në lekë
(të cilat përbënin 10% të kredisë në lekë për individët në fund të korrikut), atëherë ky do të ishte një stimul i mirë për të nxitur konsumin.
Ndërkohë, vijimi i rritjes së kredive të këqija, që po ndikojnë ndjeshëm në nivelin e përfitueshmërisë së bankave do të vazhdojë të ushtrojë presion që bankat të jenë të shtrënguara në kredidhënie,
çka mund të zbehë efektin e uljes së normës bazë të interesit. Veprime të mirëkoordinuara nga të gjithë institucionet
për të përmirësuar ekzekutimin e kolateralit si dhe lehtësimi i barrës fiskale të biznesit apo përmirësimi i ambientit veprues të tij
(në mënyrë që ai të bëhet më i prirur për të investuar) do të përforconin efektin e lehtësimit të politikës monetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.