Presioni i pandemisë mbi qiranë financiare

29/08/2020 10:08 PM 0 komente

Tregu i qirasë financiare pritet të tkurret deri në 40% këtë vit, për shkak të situatës së pandemisë. Koncesionarët e makinave, me të cilët është i lidhur ngushtë aktiviteti, parashikojnë që në tremujorin e dytë shitjet do të jenë 50% më pak.
Bizneset kanë rishikuar planet e investimit, ndërsa tek individët aktivë janë vetëm të vetëpunësuarit. Nga sektorët, ai i “makinave me qira” po vuan më shumë pasojat, ndërsa ndërtimi ka qenë aktiv edhe gjatë izolimit. Edhe pse në qershor kërkesa për financim u gjallërua, do të jetë e vështirë që kjo të bëjë diferencë për gjithë vitin. Frika e operatorëve është një izolim i dytë.

 

Nga Nertila Maho

Qershori shënoi pikën e kthesës për një treg që nga marsi në maj vuajti, sikurse e gjithë ekonomia, efektin e izolimit për shkak të pandemisë. Qiraja financiare u gjallërua, si një sinjal pozitiv në një normalitet të ri, por askush nuk parashikon rikuperim të menjëhershëm, madje nuk po parashikohet më në afatgjatë. Çdo masë apo vendim merret në bazë të dinamikës së situatës.

Kompanitë që operojnë në tregun e qirasë financiare pohojnë se janë angazhuar, ashtu sikurse ndodhi me sektorin bankar, të lehtësojnë klientët për pagesat, gjithmonë kur këta të fundit kanë pasur argumentim dhe nevojë reale. Ato po bëhen përzgjedhëse edhe në zgjerimin e portofolit me klientë të rinj, duke parë me kujdes të dyfishtë kushtet që duhet të plotësohen. Leasingu pritet, ndër të tjera, të vuajë pasojat e gjithë zinxhirit.

Një përshtypje paraprake, sektori e ka marrë edhe nga koncesionarët e makinave me të cilët kanë të lidhur ngushtë aktivitetin. Dorin Maraku, administrator i kompanisë Landeslease, pohon se pikërisht koncesionarët janë shprehur se shitjet në tremujorin e dytë janë ndoshta 50% më pak se një vit më parë. Pavarësisht këtij parashikimi pesimist, Maraku thekson se ajo që mund ta vinte realisht në vështirësi tregun do të ishte një izolim i dytë.

“Tregu i qirasë financiare lidhet ngushtë me tregun e automjeteve, i cili, nga ana e tij, parashikon tkurrje me 50% në parashikimet e shitjeve të reja për tremujorin e dytë 2020. Për rrjedhojë, tkurrja pritet të reflektohet edhe në tregun e qirasë financiare. Kërkesa nga biznesi, që përbën afro 80% të portofolit të qirasë financiare, siç u shpreha më lart, ka rënë. Për këtë arsye, deri në fund të vitit, do të përpiqemi të ruajmë portofolin aktual. Megjithatë, kjo do të bëhej edhe më e vështirë në rast se në vjeshtë (T3) aplikohen kufizime drastike si ato në pranverë” – pohon ai.

“Nga pikëpamja e kërkesës për leasing, siç dhe pritej blerja e veturave nga individët është në nivelet më të ulëta, ndërsa kompanitë kanë shtyrë investimet në linja apo flota për një periudhë më të mirë”, thotë Ferid Shijaku, drejtor i komanduar i Divizionit të Biznesit, Anëtar i Bordit të Menaxhimit i bankës OTP, që kryen ndër të tjera edhe shërbimin e qirasë financiare.

Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing, tregon se ka pasur një rënie të shumës mesatare të financimit në tregun e qirasë financiare. Për shkak të situatës së vështirë që solli pandemia, bizneset kanë marrë masa gjithashtu për të parë planet e investimit, ndërkohë që rinovimi në flota ka qenë inekzistent këtë kohë.

“Përgjithësisht nuk ka pasur rinovim flotash në asnjë sektor. Transporti, qiraja operacionale apo shpërndarësit e produkteve të ndryshme më tepër po menaxhojnë flotat ekzistuese se sa aplikojnë për financime të reja” – nënvizon Martini.

Goditja e pothuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë ka sjellë një efekt të përgjithshëm, edhe tek zinxhiri me të cilin ata janë të lidhur. Për shembull, goditja e turizmit ka sjellë një kërkesë të vakët për makina me qira. Ndërkohë që ndërtimi, i cili vazhdoi aktivitetin edhe gjatë izolimit, ka qenë aktiv edhe në tregun e qirasë financiare.

“Në sektorin e transportit privat, theksin do ta vija sidomos në sektorin e Dhënies së Makinave me Qira që, për mendimin tim, është nga më të goditurit. Ky treg zë një pjesë të konsiderueshme të shitjes së makinave të reja. Dhe për momentin, kërkesa nga këta operatorë është shumë e ulët, ku konsiston më tepër në disa kontrata me numër të vogël mjetesh. Për sa i përket sektorit të ndërtimit kemi pasur kërkesa, të cilat janë të lidhura me planet e investimit të klientëve, që kanë filluar përpara COVID-19” – pohon Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a.

 

Masat lehtësuese për shkak të pandemisë

Pothuajse të gjithë kompanitë e tregut pohojnë se kanë marrë masa lehtësuese ndaj klientëve, në kushtet kur pandemia vështirësoi aktivitetin e tyre. “Duke marrë parasysh 2 moratoriumet, edhe ne kemi pasur një periudhë intensive diskutimi bashkë me klientët tanë, në mënyrë që të gjejmë rrugët më efektive, që të jetë përfituese për vazhdimin e aktivitetit, si për ta po ashtu edhe për ne. Janë miratuar pothuajse të gjitha kërkesat për shtyrje të pagesës së kësteve të qirasë financiare, si për individët, edhe për bizneset në vështirësi.” – thotë Ida Shehu nga Raiffeisen Leasing.

Edhe nga Landeslease pohojnë se klientëve u janë ofruar disa skema për ripagimin e vonesave të akumuluara ku, ndër më të aplikuarat, është ripagimi në kohë të caktuar i tyre. “Ristrukturimi i financimit, si mundësi e dhënë së fundmi nga BSH, kur ka qenë i nevojshëm është aplikuar për klientë të ndryshëm, gjithmonë pa sjellë pasoja, si në raportin kreditor për klientin, ashtu dhe aspektin e provigjionimit që do të bëhet në pasqyrat financiare të këtij viti” – sjell në vëmendje Dorin Maraku.

Nga Credins Leasing, Elion Martini shprehet se për një pjesë të mirë të klientëve, aktiviteti i të cilëve ishte i lidhur drejtpërdrejt me bllokimin, u aplikua pezullim i kësteve gjatë periudhës, sipas vendimit të Bankës së Shqipërisë dhe iu miratua shtyrja. “Jemi në proces menaxhimi të këtyre kësteve duke bërë pagesën e kësteve të papaguara, si dhe atje ku shihet realisht bllokimi i aktivitetit, i cili vazhdon qoftë edhe pjesor, do të bëhen shtyrje e tyre në fund të financimit”, nënvizon ai.

“Me gjithë vështirësitë në likuiditet nga rënia e aktivitetit, klientët tanë kanë vazhduar rregullisht me shërbimin e qirase financiare, vetëm një pakicë e tyre ka kërkuar dhe të shtyhen këstet (moratorium)”, thotë z.Shijaku nga OTP.

 

BSH: Subjektet financiare jobanka në 2019, ecuria e qirasë financiare

Portofoli i subjekteve financiare jobanka, që kanë në objekt të aktivitetit qiranë financiare, përbënte në fund të vitit 2019, rreth 25% të portofolit total të dhënë në ekonomi nga këto subjekte.

Në Raportin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vitin 2019 nënvizohet se, në fund të vitit të shkuar, portofoli i kredive bruto i institucioneve financiare jobanka arrin në 35.5 miliardë lekë, duke njohur rritje me rreth 6.8 miliardë lekë (ose 23.7%) krahasuar me vitin paraardhës.

“Ndikimin më të madh në këtë rritje e ka dhënë veprimtaria e mikrokredisë me 2.95 miliardë lekë, ndërsa kredidhënia dhe qiraja financiare janë rritur përkatësisht me 1.97 dhe 1.93 miliardë lekë. Veprimtaria e faktoringut ka rënë me 61.3 milionë lekë.

Pjesa më e madhe e portofolit të ekspozimeve të subjekteve financiare jobanka mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë (73.5%), ndjekur nga portofoli i subjekteve të qirasë financiare (25%) dhe portofoli i subjekteve faktoring (1.5%)” thuhet në raport.

I njëjti sjell në vëmendje se në fund të 2019, aktivitetet e subjekteve të kredidhënies dhe qirasë financiare mbeten të orientuara drejt biznesit, përkatësisht me rreth 71% dhe 82%, ndërkohë portofoli faktoring është kryer tërësisht për qëllime biznesi. Krahasuar me vitin 2018, vihet re një rritje e kreditimit të individëve kundrejt biznesit (29% vs. 20%), e cila ka ardhur kryesisht si pasojë e veprimtarisë së mikrokredisë.

“Sektorët më të financuar janë ‘Aktivitete të tjera shërbimi’ (40%), ‘Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë’ (23%) dhe ‘Bujqësia, pyjet, peshkimi’ (14%). Ndërsa për aktivitetin e qirasë financiare, renditen sektorët e ‘Aktiviteteve të tjera të shërbimit’ (31%) ‘Tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë’ (20%), ‘Ndërtimit’ (13%) dhe ‘Aktiviteteve të pasurive të paluajtshme’ (7%).

Portofoli i SFJB-ve mbetet i orientuar drejt financimeve në monedhën vendase (64.4%) dhe me afat të mesëm maturimi (61.7%). Lidhur me objektin e financimeve, portofoli i qirasë financiare dominohet nga financimet për mjete transporti personale (56.2%) dhe mjete transporti pune (28%). Krahasuar me dhjetorin e vitit 2018, portofoli shënon një rritje me rreth 1.93 miliardë lekë, ndikuar nga ‘mjete transporti personale’” – thuhet në raportin e BSH.

Në fund të vitit 2019, treguesi i kredive me probleme për subjektet financiare është rritur me 0.5 pikë përqindje. Ky rezultat është ndikuar nga rritja e kredive me probleme me rreth 56.8% (ose 1.5 miliardë lekë), ndërkohë që rritja e portofolit të financimeve ka qenë rreth 23.7%. Kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e ngjarjes së mashtrimit të ndodhur në subjektin “Fondi Besa”, si dhe e përkeqësimit të cilësisë së portofolit në subjektet e mikrokredisë.

 

Raporti i BB: Tregu i qirasë financiare mbetet i kufizuar

Banka Botërore ka rekomanduar që Shqipëria të shohë me vëmendje mundësinë e zgjerimit të gamës së instrumenteve që mbështesin Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Në një raport që analizon skemat e garancisë së qeverisë, ndër të tjera thuhet se sektori bankar tejet likuid financon shumë pak te këto ndërmarrje, duke perceptuar një risk të lartë tek këto të fundit, sidomos kur bie fjala te bujqësia.

Për të nxitur mbështetjen, BB rekomandon që të zgjidhen disa ngërçe, të cilat kanë të bëjnë me mikrofinancën, qiranë financiare për të ofruar më shumë mundësi financimi në treg. “Disponueshmëria e një game më të gjerë të instrumenteve të financimit, që të plotësojë nevojat e ndryshme të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme duhet që të përmirësohet më tej. Huadhënia nga institucionet e mikrofinancës, i dyti më i madh që mundëson financim – veçanërisht në zonat rurale është rritur viteve të fundit. Gjithsesi, rritja e tyre është e kufizuar pasi përballen me vështirësi në aksesin e financimit të përballueshëm me shumicë apo mekanizma të ndarjes së përshtatshme të riskut.

Qiraja financiare është e kufizuar kryesisht për automjetet motorike, me një treg sekondar të dobët për pajisjet e rimarra në zotërim, duke përbërë pengesën më të madhe për zhvillimin e tij. Ndërmarrjet e fondeve të kapitalit dhe/ose rrjetet e investitorëve engjëll që do të targetonin start-up apo ndërmarrje ekzistuese, me tendencë ngritjen në një shkallë më lart të tyre mungojnë. Ndërmarrjet e mesme dhe ato të vogla për fillimin ose ngritjen në shkallë. Faktoringu dhe faturat me zbritje praktikohen shumë pak” – thekson Banka. Në raport thuhet se qiraja financiare përdoret kryesisht nga ndërmarrjet e mesme në 21.6% të të gjithë huave, kurse firmat e tjera ndajnë diku mes 9 dhe 10%.

Konstatimet e Bankës Botërore bëhen në një analizë të gjatë për mundësitë e krijimit të një skeme të përhershme të garancisë nga ana e qeverisë, që do të mbështesë biznesin për të marrë një tjetër hov në zhvillim. Banka nënvizon se dy skemat ekzistuese të nisura gjatë periudhë së COVID-19 mund të vazhdojnë të jenë aktive dhe t’i kalojnë, nëpërmjet një faze tranzicioni, një strukture të re të ngritur për këtë qëllim ose një strukture ekzistuese që do të përshtasë aktivitetin e saj sipas kërkesave të reja.

 

Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing

 

“Tkurrja në vitin 2020 mund të shkojë deri në 40%”

 

Tregu i qirasë financiare në vitin aktual mund të pësojë rënie deri në 40%, për shkak të situatës së pandemisë, pasigurisë që e shoqëron atë dhe paqartësisë që mbulon biznesin për të vijuar me investimet.

Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing, pohon se ky do të jetë një vit i vështirë.

Kompanitë do të jenë vigjilente për të parë dinamikën e situatës dhe për të marrë më pas masat e nevojshme. Ai konfirmon se vështirësia ku ndodhet biznesi ka bërë që të mos ketë rinovim të flotave në asnjë sektor dhe të gjithë po ia dalin duke menaxhuar flotën ekzistuese.

Pandemia e COVID-19 preku pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Si ka ndikuar në tregun e qirasë financiare?
Tregu i qirasë financiare, i lidhur ngushtë me financimet në ekonomi, e reflektoi këtë bllokim. Për muajt ku pati bllokim të lëvizjes dhe të aktiviteteve ekonomike, pati edhe rënie të ndjeshme në financime. Kemi një rishikim të planeve të financimit nga bizneset, që reflektohet në mjete të reja apo pajisje dhe makineri.

 

Si është interesi i individëve dhe bizneseve tani me rihapjen që nisi nga qershori?

Me rihapjen, u vu re një kërkesë e akumuluar, e cila në muajin qershor 2020 realizoi financime më të larta se parashikimi i muajit. Në periudhën në vijim, për dy muajt pasardhës, duke konsideruar ciklin vjetor të financimeve pritet rënie e kërkesës. Por siç thashë, kjo kërkesë për financime pati zhvendosje nga situata e krijuar.

 

Si e prisni në përgjithësi vitin 2020, në lidhje me pasigurinë dhe paqartësinë që ekziston mbi pandeminë?

Viti 2020, duke u bazuar në shifrat e deritanishme, si dhe te tendenca e kërkesave nga klientët, pritet me rënie në masën 30-40%. Jemi duke ndjekur situatën në dinamikë dhe veprimet e masat e marra do të jenë në përputhje të saj.

 

Nga sektorët, transporti ishte ndër më të goditurit. Si është reflektuar kjo në rinovimin e flotave? Po ndërtimi, si ka qenë në kërkesë, duke qenë se ka vijuar?

Përgjithësisht nuk ka pasur rinovim flotash në asnjë sektor. Transporti, qiraja operacionale apo shpërndarësit e produkteve të ndryshme më tepër po menaxhojnë flotat ekzistuese, se sa aplikojnë për financime të reja.

 

Si ka qenë shuma mesatare e kërkuar për financim, në rritje apo në ulje, në raport me një vit më parë?

Shuma mesatare për financim ka pasur rënie me 8% krahasuar me mesataren e financimit të një viti më parë.

 

Ka më shumë kërkesë për pajisje të përdorura apo për të reja?

Raporti pajisje të reja apo të përdorura nuk ka pasur ndonjë ndryshim lidhur me situatën që po kalojmë. Çdo vit e më tepër, trendi është për pajisje të reja.

 

A ka ndikuar situata e pandemisë në vështirësi pagese nga palët përfituese dhe si është zgjidhur kjo, duke pasur parasysh elasticitetin që ekziston?

Një pjesë e mirë e klientëve, të cilët aktiviteti i tyre ishte i lidhur drejtpërdrejt me bllokimin, aplikuan për pezullim të kësteve gjatë periudhës, sipas vendimit të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë dhe iu miratua shtyrja. Jemi në proces menaxhimi të këtyre kësteve, duke bërë pagesën e kësteve të papaguara, si dhe atje ku shihet realisht bllokimi i aktivitetit, i cili vazhdon qoftë edhe pjesor, do të bëhen shtyrje e tyre në fund të financimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of