Kancelarja gjermane Angela Merkel ka mbrojtur vendimin e Bashkimit Europia për blerjen e përbashkët të vaksinave anti-covid, ndërsa blloku po lufton me vonesat në shpërndarjen e dozave.
Udhëheqësit e BE-së do të zhvillojnë bisedime virutale këtë të enjte për të diskutuar mënyrat e rritjes së furnizimeve dhe përmirësimin në shpërndarjen e vaksinave në 27 vendet anëtare. Presioni ndaj Brukselit është në rritje, pas vende të tjera, si Britania e Madhe kanë arritur vaksinim shumë më të shpejtë.
Komisioni Europian po kërkon kontroll të shtuar në eksportet e vaksinave.
Kontrolle të tilla mund të ndikojnë në furnizimin e Britanisë, ku Kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar kundërpërgjigje në rast vendosje të “bllokadave”.
Takimi virtual vjen ndërsa një valë e tretë e koronavirusit ka përfshirë pjesën më të madhe të Europës kontinentale.
Shtetet europiane kanë parë disa nga shpërthimet më vdekjeprurëse të pandemisë, me Italinë që regjistron më shumë se 106 mijë vdekje, Franca 93 mijë, Gjermania 75 mijë dhe Spanja 73 mijë vdekje.
Megjithatë, shifrat e fundit tregojnë se vetëm 12.9 doza vaksine janë administruar për 100 persona në BE krahasuar me 44.7 në Mbretërinë e Bashkuar dhe 37.2 doza në Shtetet e Bashkuara
Komisioni Evropian ka fajësuar kompanitë farmaceutike – kryesisht AstraZeneca – për mosdhënien e dozave të premtuara në Bashkimin Europian.
Një kompani kontraktuese në Belgjikë po prodhon vaksinën e zhvilluar nga Oxford-AstraZeneca dhe një tjetër në Holandë pritet të rrisë furnizimet e dozave në BE.
Brukseli ka thënë se nga më shumë se 40 milion doza të eksportuara nga Bashkimi Europian gjatë dy muajve të fundit, një e katërta u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar.
Britania dhe BE-ja deklaruan një ditë më parë se donin të “krijonin një situatë të favorshme dhe të zgjeronin furnizimin e vaksinave për të gjithë”./BBC