Prespa, e cila ndodhet vetëm 45 minuta larg qytetit të Korçës, është sot një zonë e pashfrytëzuar turistike, por që ofron një potencial të madh për natyrën, biodiversitetin dhe kulturën që ka.
Rrethuar prej maleve të larta, liqenet e Prespës së Madhe dhe të Vogël bashkojnë tre shtete – Shqipërinë, Maqedoninë dhe Greqinë, ky rajon është kaq i skajshëm sa pjesë të tij kanë mbetur gjerësisht të paprekura. Parku Kombëtar i Prespës është një nga parqet më të mëdhenj në vend, prej afro 28 mijë hektarësh.
Zona ka tërhequr tashmë vëmendjen e donatorëve gjermanë, të cilët janë duke u kujdesur për pastrimin e liqenit, ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të parkut dhe biodiversitetit. Por në zonë janë ende shumë të paktë turistët e huaj apo vendas që kërkojnë “të shijojnë” klimën dhe natyrën e zonës. Nga ana tjetër, edhe banorët janë ende të papërgatitur për të pritur turistët, ku vetëm një numër i limituar shtëpish janë përshtatur si hotele apo “guesthouse”.
Cilat janë potencialet e zonës?
Prespa, sipas ekspertëve gjermanë, i ka shanset optimale për të zhvilluar një turizëm malor: Prespa bën pjesë tek rezervatet e njohura ndërkombëtare, pasi ka pasuri të mëdha natyrore dhe të biodiversitetit, kombinimin e shkëlqyer të maleve me liqenet si dhe me pasuritë kulturore e historike.
Rajoni gjithashtu gëzon edhe një shans tjetër si një zonë ndërkufitare rajonale Shqipëri-Greqi-Maqedoni dhe mund të zhvillojë turizmin me ture ndërkombëtare e të përfitojë nga eksperienca veçanërisht e Greqisë.
Disa vite më parë janë bërë përpjekje për të krijuar Euro-Rajonin e Prespa-Ohrid (i pari për Shqipërinë). Për fat të keq, mosnjohja e emrit “Maqedoni” nga pala greke nuk e mundësoi një gjë të tillë. Por zhvillimet politike të integrimit europian me siguri mund ta mundësojnë këtë, në një periudhë të afërt.
Edhe popullsia e Prespës nga ana shqiptare në këto 20 vite tranzicion ka qenë shumë e lidhur me emigracionin, veçanërisht në Greqi dhe prej andej kanë mësuar që të zhvillojnë edhe turizëm dhe më të ardhurat e siguruara, kanë investuar kryesisht në rinovimin e shtëpive të banimit ose kanë ndërtuar shtëpi të reja.
Prespa është tashmë e lidhur me rrugë të asfaltuara automobilistike dhe e arritshme shpejt (në më pak se 1 orë) nga Korça dhe ka edhe pikë kalimi doganore ndërkufitare me Maqedoninë, pra është edhe e arritshme nga Maqedonia.
Prezenca në vazhdimësi e projekteve të donatorëve të huaj në këtë rajon po jep mundësi reale mbështetëse të projekteve edhe në fushën turistike.
Një “Theth i dytë”…
Menaxheri në GIZ, Ismail Beka, tregon se prej vitesh po ndjekin zhvillimin dhe përmirësimin e zonës, me qëllim rritjen e turistëve dhe të ardhurave në këtë rajon.
“Personalisht i kam ndjekur zhvillimet në Prespë qysh në vitet 1999, kur GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar) zhvilloi një projekt për të mbështetur biodiversitetin dhe zhvillimin e Parkut Kombëtar të Prespës në përputhje me konventat ndërkombëtare. Më tej u zhvillua edhe një projekt i vogël ndër rajonal me Maqedoninë dhe Greqinë, për nxitjen e bashkëpunimit mes tri vendeve dhe midis të tjerave, edhe për nxitjen e turizmit familjar në Prespë. Rezultatet e projektit në ato vite ishin modeste dhe sot, nga ajo kohë, janë disa ‘guesthouse’ që presin turistë të pakët në shtëpitë e tyre, por më tej, nuk ka pasur zhvillime turistike.
Realiteti sot në Prespë natyrisht ka ndryshuar, por në drejtim të jetës ekonomike dhe të rritjes së të ardhurave për popullsinë lokale nga puna në fshat e në bujqësi, duket që ritmet janë shumë të ulëta.
Në të gjitha fshatrat, dallohet qartë angazhimi i banorëve për të punuar dhe mbjellë tokat tashmë në vjeshtë, por gjithkund punohet me krahë dhe mekanizimi ishte parmenda e tërhequr nga gomarë, (për efekt kursimi gomarët kanë zëvendësuar qetë, që mesa duket kërkojnë më shumë ushqim për t’i mbajtur).
“Një traktor i vetëm që pamë punonte tokën vetëm në parcelën e pronarit të traktorit, ose të ndonjë fshatari që kishte të ardhura nga puna jashtë bujqësisë. Fshatarët që takon, të ankohen menjëherë se nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë traktorë për punime bujqësore dhe as të blejnë farëra apo kimikate. (kjo e dyta, mungesa e përdorimit të plehrave kimike dhe kimikateve për spërkatje, gjithsesi përbën një avantazh për të zhvilluar një turizëm bio dhe me prodhime lokale të pastra e të shijshme)”, thotë z. Beka gjatë turit dyditor në rajonin juglindor të Ambasadës Gjermane në Tiranë dhe disa gazetarë të mediave vendase.
Planet
Nëse do të bëhej një krahasim me atë çka është arritur me turizmin malor në Alpet e Shqipërisë dhe veçanërisht në Theth, ku kushtet e infrastrukturës janë shumë më të këqija, sipas Bekës, do të jetë plotësisht e mundshme që të shkëmbehet përvoja dhe të zhvillohet një produkt turistik i qëndrueshëm me bazën e shëtitjeve malore, si dhe me turizmin familjar dhe pasi të ndërtohet edhe sistemi i sinjalistikës turistike, hartës GIS dhe markimi i shtigjeve mund të bëhet një promovim i mirë për turizmin ndërkombëtar dhe atë vendas.
Hapi i parë ka filluar me shkëmbimin e informacionit në portalin ‘www.albanian-mountains.com’, ku është përfshirë informacioni për ‘guesthouse’-t ekzistuese dhe më tej, ky portal do të përfshijë edhe informacione të tjera të aktiviteteve dhe hartës turistike si dhe për rajone të tjera.
Por kërcënimi më i madh për momentin në Prespë ka të bëjë me dëmtimet që vazhdojnë në pasuritë natyrore e të biodiversitetit (prerjet e paligjshme në pyje, dëmtimet në peshqit e pasuritë tjera), por edhe ndërtimet e pakontrolluara që vazhdojnë në Prespë, duke humbur traditën e banesave karakteristike të zonës.