Kryeministri Rama ka prezantuar sot projektin e hidrocentralit të Skavicës, i cili do të ndërtohet nga vetë shteti. Fuqia e instaluar e tij do të jetë 210 MW.
“Në një hark të shkurtër i rikthemi një tjetër projekti madhor. Bëhet fjalë për një ëndërr në sirtar. Që në vitin 1963 është skicuar plani. Skavica mbeti thjesht një plan i parealizuar. U bë një përpjekje në 2005, por rezultoi një flluskë sapuni. Në 2008 hapi një tender qeveria e mëparshme ku morën pjesë 6 kompani të huaja, në 2009 duhej shpallur fituesi por nuk u bë. Ne e kthyem Skavicën në tavolinë dhe në vitin 2017 në samitin e Triestes u miratua si një ndër projektet prioritet të procesit të Berlinit. Ne u pozicionuam për të ndjekur me përparësi këtë rrugë duke garantuar jo thjesht financimin, por edhe cilësinë e tij. Projekti u pranua dhe ne kemi një pamje te detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania Franceze. Më vjen shumë mirë që kjo qeveri do të nisë punën pas 40 vitesh për një hidrocentral të madh. Kemi vendosur këtë vepër të madhe ta financojmë nga burimet e shtetit. Shumë vite më parë një inxhinier i njohur më patë thënë që kaskada e Drinit pa Skavicën është si një tufë delesh pa bariun,” tha Rama.
Ai shtoi se ky projekt do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në aspektin ekonomik. “Natyrisht që të jemi të qartë Skavica nuk do ta bëjë Shqipërinë një superfuqi. Këto janë gjëra që ne nuk i arrimë dot, pasi ne nuk jemi të dytët pas Gjermanisë. Brenda vitit shpresoj të kemi kantierin ne kemi të gjitha arsyet për të qenë shumë optimist për vitin e ardhshëm. ”
Janë dy variante projekti, njëri me vlerë 308 mln dhe tjetri me 510 mln euro. Projekti do iniciohet dhe ndërtohet nga KESH.
Sipas KESH, Hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.