Intervistë me Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë
Primet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve mund të shtrenjtohen gjatë vitit 2022. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, thotë se rritja e kufirit të përgjegjësive, që parashikon ligji i ri, me shumë mundësi do të reflektohet edhe në rritje të primeve që do të paguajnë qytetarët.
Sipas saj, sfida të tregut të sigurimeve për vitin 2022 do të jenë ofrimi i produkteve të sigurimit në bujqësi, por një risi tjetër mund të jenë edhe sigurimet për mbrojtjen nga rreziqet e krimit kibernetik.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të sigurimeve në vitin 2021?
Ecuria e tregut të sigurimeve të Jo-Jetës për vitin 2021 ka qenë relativisht e mirë. Bazuar në të dhënat më të fundit, primet janë rritur me 15.7% krahasuar me një vit më parë. Përveç produktit kryesor, TPL, që paraqitet i konsoliduar, risi ka qenë rritja në produktet e policës kufitare dhe Kartonit Jeshil.
Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të ndryshimit të bazës krahasuese, sepse në vitin 2020 pati kufizime drastike të lëvizjeve. Gjithashtu, rritje të konsiderueshme ka pasur edhe në sigurimet e pronës dhe përgjegjësive civile. Me sa duket, kjo ka reflektuar efektet e tërmetit të vitit 2019, megjithëse përmasa e tregut të sigurimeve nga fatkeqësitë është shumë larg potencialeve.
Dëmet e paguara janë ulur me rreth 11% nga një vit më parë, por kjo erdhi për shkak të rritjes së lartë që kishin shënuar dëmet një vit më parë, si rezultat i tërmetit. Kompanitë e sigurimit iu përgjigjën më së miri klientëve pas kësaj ngjarje dhe mendoj se marketingu më i mirë për një kompani sigurimesh është pagesa e dëmeve.
Gjatë vitit 2021, hyri në fuqi ligji i ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Çfarë ndikimesh prisni të ketë ligji i ri në tregun e produktit për vitet në vazhdim?
Ligji i ri rrit limitet e përgjegjësive dhe me logjikë pritet që të ndikojë në rritjen e dëmeve nga ky produkt për kompanitë e sigurimit. Nuk duhet harruar se Shqipëria ka ende probleme të mëdha, të lidhura me qarkullimin rrugor, që nga cilësia e infrastrukturës, sinjalistikës, sjellja e drejtuesve të mjeteve, etj. Për shkak të rritjes së pritshme të pagesave të dëmeve, nuk do të përjashtoja që në vitin 2022 të kishim një shtrenjtim të primeve të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.
Ligji parashikon mundësinë edhe për aplikimin e sistemit bonus-malus dhe kompanitë mund ta vlerësojnë një alternativë të tillë. Drejtuesit e mjeteve duhet të kenë parasysh që nënshkrimi i deklaratës së aksidentit, parashikuar në ligjin e ri, mund t’i penalizojë në rast të aplikimit të sistemit bonus-malus, nëse kjo bëhet për shkak të interesave të ngushta, apo edhe për qëllim mashtrimi ndaj kompanive të sigurimit.
Tregu i sigurimit të pronës në Shqipëri ngelet pak i zhvilluar. Si mund të adresohet rritja e këtij tregu dhe garantimi i një mbrojtjeje më të madhe të qytetarëve nga katastrofat?
Shoqata jonë, në bashkëpunim me specialistët më të mirë të fushës së sigurimeve, ka përgatitur një projektligj për sigurimin e detyrueshëm të katastrofave. Ka ardhur koha që të kemi një ligj të posaçëm për këtë qëllim. Ky draft është dërguar tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe jemi në pritje të komenteve të tyre, për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për ta propozuar zyrtarisht si një nismë ligjore.
Një ligj i tillë do të heqë barrën e kompensimit financiar nga qeveria, në rast të ndodhjes së fatkeqësive natyrore, dhe do ta transferojë atë tek kompanitë e sigurimit. Nuk mund të jetë shteti ai që merr përsipër rindërtimin apo dëmshpërblimin e të gjithë qytetarëve të prekur nga ngjarje të tilla.
Propozimi ynë është që sigurimi nga katastrofat të jetë i detyrueshëm, sepse kjo do të mundësonte edhe krijimin e numrave të nevojshëm për të garantuar prime më të ulëta sigurimi. Drafti është në përputhje të plotë me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe do të ofrojë një mbulim optimal për të gjithë qytetarët, me çmime më se të përballueshme. Për qytetarët në pamundësi ekonomike, ne kemi propozuar aplikimin e subvencioneve nga qeveria.
Kompanitë e sigurimit në Shqipëri kanë të gjitha kapacitetet për mbulimin e katastrofave, si dhe kanë partnerë risigurues ndërkombëtar të fuqishëm për mbulim të këtij rreziku. Ato janë gati ta ofrojnë për të gjithë qytetarët këtë sigurim, pavarësisht ndryshimit të riskut nga njëra zonë në tjetrën. Shqipëria është një vend me rrezik të lartë katastrofash, si tërmeti, përmbytja, ngrica, zjarri dhe shpresojmë që qeveria t’i shohë me përparësi sugjerimet tona.
Si e parashikoni ecurinë e tregut të sigurimeve për vitin 2022 dhe cilat do të jenë, në këndvështrimin tuaj, sfidat kryesore?
Shoqata e Siguruesve do të vazhdojë të jetë pjesë e nismës madhore dhe shumë të rëndësishme për të ndërtuar një Strategji të Edukimit Financiar në Shqipëri. Është e qartë se ka nevojë të madhe për të rritur edukimin e publikut, edhe për produktet e sigurimit dhe ky duhet të jetë prioritet. Sfida madhore për ne mbetet rritja e shkallës së penetrimit të sigurimeve vullnetare.
Një çështje gjithnjë e më e rëndësishme për qytetarët dhe për bizneset po bëhet rreziku në rritje nga krimi kibernetik. Të gjithë jemi përdorues të teknologjisë së informacionit dhe të gjithë jemi të ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla. Siç e dimë, nuk mungojnë rastet kur të dhënat hakerohen dhe vidhen dhe krime të tilla mund të rrezikojnë seriozisht, sidomos aktivitetin e bizneseve.
Ne mendojmë që një sfidë është përgatitja e një police sigurimi që i mbron qytetarët dhe bizneset nga rreziqet e krimit kibernetik. Sfidë e rëndësishme mbetet edhe sigurimi në sektorin e bujqësisë. Kompanitë po përgatitin produkte të plota për sigurime në bujqësi, blegtori dhe akuakulturë, për t’iu ofruar një mbulim të plotë fermerëve nga rreziqet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.