Prind në adoleshencë, Shqipëria ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave nën 20 vjeç në Europë

12/08/2019 10:00 AM 0 komente

Ndonëse të bëhesh prind është përgjegjësi, Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente. Të dhënat nga Instat tregojnë se për vitin 2018, rreth 5.21% e lindjeve u kryen nga nëna më të vogla se 20 vjeç. Edhe pse, në krahasim me një vit më parë, kjo përqindje shënoi ulje nga 5.6% në 5.2%, mbetet një nga më të lartat në Bashkimin Europian.

Në Bashkimin Europian, pjesa më e madhe e lindjeve (92%), ishin nga gra të moshës 20-39 vjeç. Rreth 4% e lindjeve u kryen nga vajzat në moshë adoleshencë dhe po aq nga gratë mbi moshën 40 vjeç.

Pjesa më e madhe e lindjeve nga nënat në moshë të re (nën 20 vjeç) u kryen në Bullgari dhe në Rumani.

Përqindja më e lartë u regjistrua në Bullgari, ku 12.5% e lindjeve në total u kryen nga adoleshentet dhe në Rumani me 12.1%. Më pas ato u ndoqën nga Hungaria me 8.5% dhe Sllovakia me 8.1%.

Në anën tjetër qëndrojnë vendet me përqindjen më të ulët të nënave në moshë të re. Danimarka kishte vetëm 1% të lindjeve të kryer nga nënat adoleshente, Italia dhe Sllovenia me 1.1%, Holanda me 1.2, Luksemburgu dhe Suedi me përkatësisht 1.4%.

 

Lindjet në Shqipëri

Nënat e moshës 25 deri në 29 vjeç përgjigjen për numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri, me rreth 35.6% të totali të lindjeve. Thuajse një e katërta e lindjeve (25.23%) u kryen nga nënat që i përkisnin grupmoshës 20-24 vjeç, dhe thuajse po aq (23.54) nga lindjet e kryera nga nënat e grupmoshës 30-35 vjeç.

Përqindja e lindjeve nga nënat në moshë 35-39 vjeç ka shënuar rritje në vitin 2018, ku sipas të dhënave të publikuara nga Instat në 2018-n zinin 8.5% të lindjeve nga 8% që kishin qenë një vit më parë.

Lindjet te gratë mbi 40 vjeç mbeten të ulëta, me vetëm 1.53% të totalit, ndonëse kanë qenë me rritje në krahasim me vitin e kaluar. Megjithatë mbetet një përqindje e ulët krahasuar me mesataren e BE-së prej 4%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of