Intervistë me Kaan Pekin, Drejtori i Grupit të Thesarit dhe Institucioneve Financiare, Banka Kombëtare Tregtare (BKT)
BKT, për vitin 2021, raporton një tejkalim të objektivave të përfitueshmërisë dhe rritjes së aktiveve.
Kaan Pekin, Drejtori i Grupit të Thesarit dhe Institucioneve Financiare, thotë se lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj në tregje kanë bërë që parashikimet të jenë më pak optimiste, por megjithatë BKT synon të vijojë rritjen e bilancit dhe të bazës së depozituesve edhe në vitin 2022.
Sipas tij, dixhitalizimi i plotë dhe gjithëpërfshirja e klientelës së bankës mbetet prioriteti kryesor i BKT, ndërsa banka është mjaftueshëm likuide dhe e mirëkapitalizuar për të përballuar situatën e re, për të realizuar objektivat strategjikë dhe për të maksimizuar përfitueshmërinë për vitin 2022.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj gjatë vitit 2021? Cilat ishin sfidat dhe arritjet kryesore që do të nënvizonit, për sektorin bankar në tërësi dhe bankën tuaj në veçanti?
Viti 2021 ka qenë një vit rikuperimi për Shqipërinë nga pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Vendi tregoi qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, siç dëshmohet, për shembull, nga raporti më i ulët i kredive me probleme prej më shumë se një dekade.
Në të njëjtën mënyrë, edhe BKT vijoi performancën e saj të lartë gjatë vitit 2021, duke tejkaluar objektivat e rritjes së bilancit dhe përfitueshmërisë. Banka ka rritur më tej investimet fitimprurëse tek produktet e thesarit, si dhe ka shtuar fokusin ndaj kredidhënies. Paralelisht është rritur edhe numri i shërbimeve dhe produkteve të reja të ofruara në kanalet dixhitale, të cilat kanë rritur ndjeshëm edhe përdorimin e tyre nga klientët tanë individë dhe biznes.
Çfarë implikimesh prisni të ketë inflacioni dhe rritja e normave të interesit në rezultatin neto nga interesat dhe në cilësinë e kredisë?
Marrëdhënia midis inflacionit dhe normës së interesit mund të përshkruhet si problemi i pulës dhe vezëve në përgjithësi. Megjithatë, këtë herë, inflacioni më i lartë, që vjen nga problemet me zinxhirin e furnizimit, presionet mbi pagat dhe ndikimi i vonuar i rritjes së pagave do të shkaktonte norma nominale më të larta interesi me kalimin e kohës.
Me fjalë të tjera, për njëfarë kohe, normat nominale të interesit do të ishin më të ulëta në krahasim me inflacionin. Kjo do të thotë se të ardhurat neto nga interesi, që janë normat nominale të interesit minus inflacionin, do të ishin fillimisht negative. Me kalimin e kohës, me rritjen e normave nominale të interesit, të ardhurat neto nga interesi mund të jenë pozitive.
Normat më të larta nominale të interesit do të ndikonin negativisht në çdo sektor që ka borxh të lartë. Raporti i kredive me probleme mund të rritet në këta sektorë me borxh të lartë.
Sektori i ndërtimit, por konkretisht ata që kanë barrë borxhi më të lartë, mund të ndikohen negativisht nga rritja e normave nominale të interesit dhe të shohin që marzhet e tyre të fitimit të zhduken me kalimin e kohës. Nga ana tjetër, sektori bankar dhe sektori financiar në përgjithësi ndikohen pozitivisht nga rritja e normave nominale të interesit.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit gjatë vitit 2022?
Pritshmëritë për vitin 2022 ishin edhe më optimiste, por sigurisht përpara fillimit të konfliktit të armatosur midis Rusisë dhe Ukrainës në fund të muajit shkurt. Kjo ngjarje dhe sanksionet pasuese ndërkombëtare ndaj Rusisë kanë nisur të japin efektet e tyre negative në tregjet globale financiare, prej të cilave ndikohet deri në një masë edhe sistemi bankar dhe financiar në vendin tonë.
Rritja e inflacionit dhe për pasojë e normave të interesit, do të ndikojë patjetër në koston e bizneseve dhe konsumatorit, e cila mund të sjellë një efekt të mundshëm të rritjes në raportin e kredive me probleme. Pavarësisht këtyre rrethanave të reja dhe mbajtjes nën monitorim të vazhdueshëm të efektit të tyre, BKT do të vijojë fokusin në zgjerimin e bazës së depozituesve dhe rritjen e mëtejshme të bilancit, duke ofruar edhe produkte tejet konkurruese për kredinë individuale, sidomos në Euro.
Dixhitalizimi i plotë dhe gjithëpërfshirja e klientelës së bankës mbetet prioriteti kryesor i BKT. Banka është mjaftueshëm likuide dhe e mirëkapitalizuar për të përballuar situatën e re, për të realizuar objektivat e saj strategjikë dhe për të maksimizuar përfitueshmërinë e saj për vitin 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.