“Prishtina e Re”, projekti 38 milionësh i institucioneve të Kosovës

24/07/2019 4:08 PM 0 komente

Në bazë të Strategjisë për Akomodimin e Ndërtesave Qeveritare 2008-2025 në zonën “Prishtina e Re”, ka nisur ndërtimi i Kompleksit Qeveritar. Ky veprim është bërë në sajë të vendimit të përbashkët të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, mbi bazën e të cilit është nënshkruar edhe Marrëveshja-Kontratë me Komunën e Prishtinës, për shfrytëzimin e hapësirave të asaj zone, për 99 vjet. Ky projekt do t’i kushtojë shtetit të Kosovës jo më pak se 38 milionë euro

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

 

Të gjitha institucionet e Qeverisë së Kosovës, pas tri vitesh, do të kenë një lokacion të përbashkët. Kjo do të bëhet përmes projektit “Prishtina e Re”, i cili është nënshkruar javë më parë nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe i pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj.

Ministria e Administratës dhe Pushtetit (MAP) thotë se te “Prishtina e Re” ka nisur ndërtimi i katër ndërtesave dhe janë në pritje edhe tri ndërtesa të reja për kompleksin qeveritar, i cili do të ketë 11 ndërtesa për 21 institucione të shtetit.

“Në bazë të strategjisë për akomodimin e ndërtesave qeveritare 2008-2025 në zonën Prishtina e Re, ka nisur ndërtimi i Kompleksit Qeveritar. Ky veprim është bërë në sajë të vendimit të përbashkët të Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës, mbi bazën e të cilit është nënshkruar edhe marrëveshja-kontratë me Komunën e Prishtinës, për shfrytëzimin e hapësirave të asaj zone, për 99 vite”, bëri të ditur ky institucion.

MAP ka njoftuar po ashtu se, mbi bazën e këtyre dokumenteve është ndërtuar Kompleksi i Pallatit të Drejtësisë, kurse në ndërtim e sipër janë ndërtesat e Institutit të Kosovës për Administratë Publike, i Komisionit të Pavarur për media, i Komisionit të Pavarur për Miniera e Minerale, i Agjencisë së Kosovës për Miniera e Minerale dhe i Qendrës për Vlerësimin e Standardeve.

“Në proces të përgatitjes janë edhe ndërtesat e Agjencisë së Kadastrave të Kosovës, i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rreziqet dhe ai i Akademisë së Drejtësisë. Me një fjalë, në bazë të planit të tashëm, në atë zonë pritet të ndërtohen gjithsej 11 ndërtesa për 21 institucione të shtetit”.

 

Mes Hajvalisë dhe Prishtinës, 700 mijë metra katrorë

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, në një deklarim për media ka dhënë detaje për projektin “Prishtina e Re”. “Do të bëhet zhvendosja e objekteve të administratës qeveritare dhe dikastereve të saj.

Çdo dikaster qeveritar do të zhvendoset aty, ministritë dhe agjencitë në kuadër të tyre. Të gjitha shërbimet për nevoja të Qeverisë dhe ministrive do të vendosen në një vend. Projekti do të ndërtohet në pjesën mes Hajvalisë dhe Prishtinës dhe përfshin 700 mijë metra katrorë”, thotë Pacolli.

Ai shton se ky projekt do të zgjidhë problemin e komunikimit në kryeqytet, pasi me akomodimin e të gjitha dikastereve qeveritare në një vend, qytetarët nuk do të kenë nevojë të hyjnë në qytet për të kryer shërbimet e tyre.

“Kjo nënkupton automatikisht shkarkimin e me mbi 170.000 automjeteve të ndryshme motorike, të cilat defilojnë gjatë ditës në kryeqytet. Me vetë faktin e zhvendosjes së administratës, pjesa dërmuese e këtyre automjeteve do të zhvendosen me pronarët e vet, të cilët janë punëtorë dhe shërbyes të Qeverisë dhe pjesa tjetër, qytetarë të cilët i qasen qytetit për nevoja të ndryshme administrative dhe civile”.

Pacolli ka treguar se realizimi i këtij projekti që pritet të kushtojë 380 milionë euro nuk nënkupton investim direkt nga Komuna apo Qeveria. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës ka deklaruar se “Prishtina e re” është ngjarje historike.

“Po shënohet ngjarja më e madhe në historinë e re, ngjarje që zë fill 20 vjet më parë, pra, projekti i Prishtinës së re po merr jetë”. Qeveria e vendit, më 13 prill 2018, e ka shpallur Zonë me rëndësi të veçantë hapësirën për ndërtimin e Kompleksit Qeveritar dhe më 25 qershor është miratuar.

“Kjo nënkupton se jemi palë në zbatimin e këtij projekti, më i madhi infrastrukturor në tërësi dhe zhvillimor me interes për institucionet e vendit, për qytetarët, për kryeqytetin”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

 

Ndërtimi i ndërtesës së Institutit të Kosovës për Administratën Publike

Projekt-dizajni për ndërtesën e IKAP-it ka filluar që nga 2014 dhe ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Komisionit Europian – qendra në Prishtinë. Pas procedurave për marrjen e lejes së ndërtimit nga Komuna e Prishtinës dhe të procedurave të prokurimit nga MAP-i, kontrata për këtë ndërtesë është nënshkruar, më 14.11.2016, ndërsa punimet kanë filluar, më 17.11.2016, në zonën Prishtina e Re, në Prishtinë.

Investitorë janë Qeveria e Republikës së Kosovës – “Ministria e Administratës Publike”, me Zyrën e Komisionit Europian. Vlera e kontratës është 1, 643,051.43 euro, kurse periudha e realizimit, 2016-2019 (tre vite). Ndërtesa përfshin një sipërfaqe 3533.43 metra katrorë.

 

Ndërtimi i ndërtesës së komisionit të pavarur për media

Kontrata, për ndërtimin e kësaj ndërtese është nënshkruar më 31.08.2018, në vlerë prej 1,049,883.22 eurosh. Punëkryes janë “N.P.SH. DEKORAL”, Istog, Gurrakoc dhe “N.N.T. ABC”, Prishtinë. Ndërtesa e nisur më 15.9.2018, duhet të përfundojë brenda 36 muajsh, përkatësisht më 12. 12.2021.

 

Ndërtimi i ndërtesës së qendrës për vlerësimin e standarde

Për ndërtesën e Qendrës për vlerësim dhe të standardeve, kontrata është nënshkruar, më 29.11.2018, në vlerë 1,965,600.1 eurosh. Operatorë ekonomikë janë: Konsorciumi “Euro-Besi” sh.p.k dhe Alping NPN, Prishtinë.

Deri tani, pas incizimit gjeodezik të lokacionit, është punuar rruga e re për qasjen në punishte, pastrimi dhe rrethimi i punishtes me llamarinë, janë vendosur shenjat e rrezikut dhe paralajmërimit në objekt dhe janë bërë të gjitha veprimet që i nevojiten një vend punishteje. Më pas, është bërë betonimi i shtresave të varfra për mbrojtjen e izolimit, betonimi i pllakës bazë të objektit, i mureve dhe shtyllave të bodrumit. Momentalisht punimet ndodhen në fazën e armimit të këtij pozicioni.

Të gjitha furnizimet me beton janë bërë sipas specifikimit teknik dhe janë marrë mostrat e betonit për shqyrtim. Është bërë armimi i pllakës bazë të objektit, armimi i mureve dhe shtyllave të bodrumit. Punimet po vazhdojnë në armimin e pllakës se bodrumit. Të gjitha punimet e armaturës janë bërë sipas specifikimit teknik dhe projektit zbatues.

 

Agjencia e Kosovës për miniera e minerale

Për ndërtesën për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe për Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, kontrata është nënshkruar, më 20.05.2019, në vlerë 1,912,281.72 eurosh. Operatorë ekonomikë janë: “ZENITH GROUP” SH.P.K. – Prishtinë, “MAK-BUILDING” SH.P.K. – Vushtrri, “ASTRAPLAN” SH.P.K. – Prishtinë dhe “BENI-COM” SH.P.K. – Obiliq. Fillimi i punimeve ka nisur, më 23.05.209 nga operatorit ekonomik – ZENITH GROUP – Prishtinë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of