Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi se ka nisur sot një vlerësim, që synon të sigurojë një udhëzim të hollësishëm mbi boshllëqet legjislative, për të adresuar një rritje të pritshme të kërkesës së bizneseve që kanë nevojë të përdorin procedurat zyrtare të ristrukturimit pas pandemisë së koronavirusit.
Sondazhi do të sigurojë një hartë të azhurnuar të kuadrit ligjor të ristrukturimit në të gjithë rajonet e BERZH-it në Europë, Azi dhe Afrikë. Ai synon të ofrojë një përmbledhje të opsioneve ligjore para falimentimit dhe gjatë falimentimit në të gjitha ekonomitë ku angazhohet Banka.
BERZH thotë se duke pasur parasysh shkallën globale të krizës së koronavirusit, shumë biznese në të gjithë botën kanë përjetuar një ndërprerje në aktivitetin ekonomik, që mund të vazhdojë deri në vitin 2021. Shumë biznese do të duhet të ristrukturohen si në mënyrë operative, ashtu edhe financiare, ndërsa të tjerët mund të pushojnë aktivitetin. Banka ka si prioritet që të sigurohet që kjo nuk do të përkthehet në procedura falimentimi të pazgjishme, të cilat do të dëmtonin më tej ekonominë.
I strukturuar si një pyetësor, vlerësimi do të jetë i hapur për konsultim publik deri më 31 tetor 2020. Ai është në dispozicion në anglisht, frëngjisht dhe rusisht. Për qëllime krahasimi, konsultimi është i hapur edhe për vendet ku nuk investon BERZH. Më pas do të bëhen publike rezultatet e vlerësimit si dhe një raport që përmbledh gjetjet e tij.
Vlerësimi do të përshtatet gjithashtu me praktikat më të mira ndërkombëtare për të siguruar një mjet funksional, krahasues për institucionet e zhvillimit, qeveritë dhe shoqërinë civile për të vlerësuar cilësinë dhe efektivitetin e ligjeve të falimentimit të një vendi. Ai do të rishikojë legjislacionin ekzistues kombëtar në të gjitha ekonomitë ku vepron BERZH dhe do të marrë parasysh pikëpamjet e palëve të interesuara dhe përdoruesve të sistemit lokal të falimentimit për të vlerësuar efikasitetin e tyre.
“Shumë prej qeverive në rajonet tona kanë miratuar me sukses legjislacione emergjente për tu mbrojtur nga pasojat e krizës Covid-19, por janë kritike reforma afatgjata të ligjit për falimentimin, në mënyrë që të sigurohet që këto biznese të jenë në gjendje të ringrihen në këmbë dhe të lulëzojnë përsëri,” tha Catherine Bridge-Zoller, Këshilltare e Lartë e BERZH-it, Njësia e Ligjit Financiar. “Ky vlerësim do të ndihmojë Bankën për të ofruar mbështetje të synuar të reformave që synojnë të ndihmojnë sa më shumë biznese të shmangin një procedurë likuidimi të falimentuar për shkak të pandemisë.”
Rodrigo Olivares-Caminal, një profesor në drejtësinë bankare dhe të financave në Universitetin Queen Mary të Londrës i cili po punon me BERZH për vlerësimin, shtoi: “Ky vlerësim është shumë i rëndësishëm për shkak të rolit të rëndësishëm që procedurat e përshpejtuara të ristrukturimit, që ndodhin kryesisht jashtë gjykatave mund të luajnë në një epokë post-Covid. Vlerësimi do të identifikojë gjithashtu fushat për thjeshtimin e procedurave, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme. “
Për të maksimizuar efektivitetin e vlerësimit, BERZH mbështetet nga Organizata Ndërkombëtare e Ligjit për Zhvillim (IDLO), INSOL Europe dhe INSOL International dhe po bashkëpunon me Komisionin Evropian. Nisma synon të promovojë zbatimin e parimeve të përcaktuara në Udhëzuesin Legjislativ UNCITRAL mbi Ligjin e Falimentimit.
BERZH po punon gjithashtu ngushtë me Këshillat e Investimeve, të cilat janë krijuar me përfshirjen e BERZH në Shqipëri, Armeni, Bjellorusi, Gjeorgji, Kosovë, Republikën e Kirgizisë, Moldavinë, Malin e Zi, Taxhikistanin, Tunizinë, Ukrainën dhe Uzbekistanin, për të arritur sa më shumë palë të interesuara të jetë e mundur dhe të sigurojë koordinimin e diskutimeve mes sektorit publik dhe privat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.