Mbi tri orë po presin mërgimtarët në pikëkalimin kufitar, në Merdare, për të dalë jashtë territorit të Kosovës. Të dhënat e fundit të Qendrës për Menaxhimin e Pikave Kufitare tregojnë se kolona në Merdare është 500 metra e gjatë. Sipas këtij institucioni, pritjet në dalje janë deri në 150 minuta, ndërsa në hyrje 10 minuta.
Mërgimtarët e Kosovë janë duke vazhduar të presin me nga dy e tre orë në pikën kufitare me Serbinë. E sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët që kanë marrë rrugën për perëndim nuk po kanë as tualete në pikat kufitare.
Bashkatdhetarët po ankohen se të paktën në anën e territorit të Kosovës nuk po gjendet një zgjidhje për këtë problem.
E për këtë ata janë duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që tua bëjë një zgjidhje, pasi siç tregojnë tualetet janë të mbyllura për disa muaj.
“Vetëm në territorin e Kosovës nuk na i hapin tualetet. Janë të mbyllura” tha ai duke shtuar se “Janë gënjeshtra se gjoja është e papastër ose bllokuar ndonjë kanal”.
E këtë ankesë, ata po e bëjnë për shkak se Kosova është vendi i tyre, e madje janë edhe në gjendje të investojnë nga paratë e xhepit të tyre për ta bërë një zgjidhje.
“Kosova është vendi jonë. Jemi edhe në gjendje vetë të paguajmë nëse është nevoja për ndonjë ndërtesë (për ta zgjidhur problemin e tualeteve në kufi” tha bashkatdhetari që jeton në shtetet perëndimore.
Pritjet e gjata po shkaktohen nga pala serbe, por pala kosovare siç duket nuk ofron të paktën një ndihmë për nevojat elementare njerëzore.
Kurse ditë më parë në një njoftim që ka bërë Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka kërkuar që bashkatdhetarët të shfrytëzojnë pikën kufitare të Mutivodës.
Ata përmes një postimi në Facebook, thonë se për të shmangur pritjet e gjata në Pikën Kufitare Merdarë, bashkatdhetarët mund të përdorin pikat tjera kufitare përfshirë edhe atë në Mutivodë.
“QKMK inkurajon të gjithë bashkatdhetarët që po vijnë në vendlindje dhe po ashtu që po kthehen, të shfrytëzojnë edhe PKK Mutivodë dhe Pikat tjera të Kalimit Kufitar, për shkak të pritjeve të gjata në PKK Merdarë”./Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.