Pritjet e një takimi të madh: Kurti e refuzon edhe ftesën e tretë të Thaçit, ky i fundit thërret konferencë

31/12/2019 10:44 AM 0 komente

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka ftuar sërish në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Kjo është letra e tretë e presidentit Thaçi dërguar kryetarit të Vetëvendosjes. Por,  Albin Kurti e ka refuzuar këtë takim duke propozuar datën 6 janar për zhvillimin e një takimi të mundshëm konsultativ me presidentin.  Kurse,  Hashim Thaçi pritet t’i përgjigjet refuzimit të tretë të Albin Kurtit, sot në një konferencë për media.

 

Hashim Thaçi i ka dërguar tre ftesa kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe në të tre rastet është refuzuar.

Kreu i shtetit e ka ftuar kryetarin e subjektit fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit në takim konsultativ për të kuptuar se kujt do t’i japë mandatin për të formuar qeverinë.

Madje, Thaçi pas dy ftesave në një ditë, vendosi që Kurtin ta takonte sot në ora 10:00, mirëpo ky i fundit u ofrua ta takojë të hënën e parë të vitit të ri, më 6 janar.

Në letrën e ditës së djeshme presidenti Thaçi thotë se “me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për kryeministër për formimin e Qeverisë së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsultativ më datën 31 dhjetor 2019 në ora 10”.

Por, Albin  Kurti e ka refuzuar këtë takim duke propozuar datën 6 janar për zhvillimin e një takimi të mundshëm konsultativ me presidentin. Kjo është bërë e ditur, përmes një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social Facebook, në të cilin është publikuar letra që Kurti e ka dërguar në adresë të presidentit.

E presidenti Hashim Thaçi pritet t’i përgjigjet refuzimit të tretë të Albin Kurtit, sot në një konferencë për media.

Zyra e Presidentit ka njoftuar se sot në orën 12:30, Thaçi do të mbajë konferencë për media.

Presidenti Thaçi akoma nuk ka dhënë ndonjë deklarim rreth kësaj kërkese të Kurtit.

Më 27 dhjetor, Thaçi i kishte nisur dy ftesa Kurtit për takim konsultativ, por ky i fundit nuk u paraqit në Zyrën e Presidentit.

https://www.monitor.al/presidenti-thaci-e-fton-kurtin-ne-takim-per-here-te-trete/

Në lidhje me ftesën e parë, në Lëvizjen Vetëvendosjen thanë se Kurti nuk ndodhej në Prishtinë, kurse pas ftesës së dytë, ishte vet Kurti ai i cili tha se çështja nuk ishte aq urgjente që agjenda ditore të caktohej aty për aty.

Kurse,  më 29 dhjetor, lideri i VV-së, Albin Kurti tha se datën për formimin e qeverisë nuk e përcakton presidenti i vendit, por ajo varet nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Presidenti përcakton datën e konstituimin të kuvendit dhe jo formimit qeverisë. Mua datën ma përcakton LDK, nuk bënë të ketë keqkuptime. Takimet do të ndodhin dhe do të ketë konsultime. Ndërkohë po i intensifikojmë bisedimet”.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.

Të dyja partitë edhe pas shumë negociatave nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Mirëpo pas deklarimeve të Kurtit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk cakton data për formimin e qeverisë.

“Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhje, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”, ka shkruar Mustafa.

Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar se pas emërimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha marrëveshjet paraprake do të dështojnë.

Ata kanë paralajmëruar mundësinë për marrëveshje të re lidhur me përgjegjësitë, si dhe për programin qeverisës, por edhe mundësinë që LDK-ja të kalojë në opozitë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe ka kërkuar që sa më shpejt të formohet qeveria e re.

“Ambasada e Amerikës në Kosovë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca, anëtarët e Kryesisë dhe të gjithë deputetët”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

“Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë menjëherë qeverinë e re për të përmbushur kështu mandatin e votuesve. Presim të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë e prosperitetin”.

Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

Më 26 dhjetor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.​

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera joshumicë. /Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of