Pritshmëri pozitive

27/03/2012 2:34 PM 0 komente

Situata më e përmirësuar e ekonomisë, rishikimi i buxhetit në drejtim të uljes së shpenzimeve dhe ndryshimet operacionale në tregun ndërbankar janë premisa se tregu ka të ngjarë të ndjekë këtë vendim për uljen e normës bazë të lekut,

me ritme më të shpejta dhe më të larta në krahasim me dy lëvizjet e mëparshme të Bankës së Shqipërisë. Por depozitat po shkojnë drejt euros dhe kredia në monedhën e përbashkët vijon të mbetet e preferuar, duke zbehur disi efektin në treg

Bizneset dhe individët kanë më shumë shanse që të përfitojnë kredi me interesa më të ulëta në lekë gjatë muajve të ardhshëm, ndryshe nga viti i kaluar, kur politikat e Bankës së Shqipërisë nuk arritën të ndikonin në uljen e kostos afatgjatë të lekut…

Ulja e normës bazë të interesit të lekut nga Banka e Shqipërisë javën e kaluar me 25 pikë bazë në 5% përkon me disa momente kryesore:

– Së pari, banka qendrore, prej më se një muaji, ka kaluar drejt shenjëstrimit të normave të interesit në tregun ndërbankar (duke marrë përsipër të plotësojë tërësisht nevojat për likuiditet të tregut),

me synimin për të ngushtuar diferencat midis normave të interesit të tregtimit të bankave me njëra-tjetrën, me normën bazë të interesit. Një normë ndërbankare interesi, e ngjashme në koncept me LIBOR dhe Euribor,

pritet që në një të ardhme afatmesme të shërbejë si nivel referencë për caktimin e çmimeve të kredive në lekë dhe të orientojë çmimin e instrumenteve të tjerë financiarë në lekë,

ndërsa forma e re operacionale do t’i japë më shumë hapësira Bankës së Shqipërisë për të transmetuar vendimet e politikës së saj monetare dhe për të ndikuar normat afatgjata të interesit, si p.sh. ato të kredive.

Bankat kanë reaguar pozitivisht ndaj kësaj lëvizjeje dhe ato presin që të ketë efekt në rënien e normave të interesit (shiko nënndarjen me opinionet e bankierëve).

– Së dyti, të dhënat e fundit treguan se stoku i kredisë në muajin qershor shënoi rënie me bazë mujore, për herë të parë që nga maji 2009. Ky ngadalësim përbën një trend negativ dhe të padëshiruar,

në një moment kur ekonomia duket se ka rifilluar rritjen. Ulja e normës bazë duket një tjetër shtytje për bankat që të japin hua më të lira, duke i bërë kështu individët e bizneset më të interesuar për hua.

Shtrenjtimi i kredisë si në lekë ashtu dhe në valutë bëri që kredimarrësit potencialë t’i shtynin për më vonë vendimet e tyre për të investuar apo për të bërë blerje të mëdha.

– Së treti, qeveria ka miratuar një buxhet më konservator në drejtim të shpenzimeve buxhetore. Këto të fundit, në bazë të buxhetit të rishikuar do të reduktohen me rreth 38 miliardë lekë, në raport me buxhetin fillestar, apo me rreth 9.2%.

Njëkohësisht është ulur dhe parashikimi i të ardhurave, të cilat priten tashmë të jenë 26 miliardë lekë më pak se parashikimi fillestar, apo 7.2% më të ulëta se parashikimi i fillimvitit. Këto lëvizje synojnë një deficit prej rreth 38 miliardë lekësh,

nga 49 miliardë lekë që mendohej në planifikimet fillestare. Një deficit më i ulët nënkupton se do të ulen presionet për financimin e deficitit buxhetor. Kërkesa e lartë për bono thesari nga ana e qeverisë gjatë vitit të kaluar,

bëri që të mos ndiheshin në treg dy vendimet e Bankës së Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit (në janar dhe tetor 2009). Qeveria ushtroi presion tek bankat me kërkesën e lartë për financime,

në një kohë që bankat po vuanin krizën e likuiditetit si rrjedhojë e tërheqjes së depozitave. Si rrjedhojë, tregu i brendshëm rezultoi që të ishte i vështirë për t’u qarkulluar pa ndërhyrjen e Bankës Qendrore.

Një harmonizim i politikës monetare me atë fiskale shihet i domosdoshëm që tregu të reagojë.

– Së katërti, situata është e përmirësuar në drejtim të primeve të rrezikut dhe situatës së likuiditetit, siç theksoi dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë në daljen e fundit për shtyp (shiko nënndarjen: Pse i ulëm normat e interesit).

Mosreagimin e ndjeshëm të tregjeve gjatë dy uljeve të normës bazë në vitin 2009, drejtori i Politikave Monetare të Bankës së Shqipërisë, Erald Themeli, e shpjegon pikërisht me dy elementët e mësipërm.

Sipas Themelit ka shumë elementë që ndikojnë në normat afatgjata të interesit të kredive. Një normë interesi përcaktohet si një shumatore e normës reale + prim inflacioni + prim likuiditeti + prim maturimi + një prim mospagimi.

Pra janë disa elementë që ndikojnë në normat afatgjata të interesit, nuk është vetëm politika monetare. Në kushtet kur tregu është i qetë, politika monetare bëhet orientuesi dhe ndikuesi kryesor i normave afatgjata të interesit.

“Primi i likuiditetit dhe primi i mospagimit, që u goditën shumë në vitin 2009, janë jashtë kontrollit të politikës monetare. Kështu tërheqjet e depozitave në vitin 2009 i bënë bankat shumë sensitive ndaj likuiditetit.

Megjithëse ne e ulëm normën bazë, ato mbajtën interesa të larta për depozitat me synimin për të forcuar besimin në këto institucione dhe për të tërhequr likuiditetin në sistem.

Po kështu primi i mospagimit (moskthimit të kredisë) u rrit në 2009-n, përkundrejt 2008-s si rrjedhojë e ngadalësimit të ekonomisë. Janë këto dy elementë që e zbutën ndikimin e politikës monetare në interesin e kredive gjatë vitit 2009”,

shpjegon z. Themeli.

Të gjithë këta elementë krijojnë një rezultante pozitive se tregu do të jetë më i prirur të reagojë këtë herë, duke ulur interesat e kredive në lekë dhe njëkohësisht ato të depozitave.

Tashmë që situata është më e qëndrueshme, normalisht Banka e Shqipërisë pret që normat e interesave të kredisë në lekë të kenë tendencë uljeje në të ardhmen e afërt, të përforcuar më shumë dhe nga vendimi i fundit.

 

 

Por, euro vazhdon të mbizotërojë

 

Gjithsesi, ndikimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë pritet të jetë i pjesshëm, për shkak se ajo mund të ndërhyjë vetëm te leku.

Por, kredia në valutë, që zë rreth 67% të stokut, vijon të mbetet e preferuar dhe interesat e saj vazhdojnë të jenë më të lira, ndonëse të gjithë janë tashmë më të ndërgjegjshëm rreth rrezikut të huasë në valutë.

Nga ana tjetër, në rast se interesat e depozitave në lekë do të ulen, ngushtimi i marzheve mes depozitave në lekë dhe në euro do t’i bëjë individët më të prirur që të rrisin kursimet në valutë, çka në afatin e gjatë do të ushtrojë presion zhvlerësues për lekun.

Në fakt, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se preferenca për euron ka qenë e dukshme gjatë periudhës së fundit, teksa pesha e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave është rritur vazhdimisht,

për të arritur në 45% të totalit në fund të qershorit 2010, nga 42% në janar 2008.

Si rrjedhojë, preferenca e shqiptarëve për euron, pritet ta “vështirësojë” disi punën e Bankës Qendrore, porsa kohë që ajo ka instrumentet për të ndërhyrë vetëm te monedha vendase.

 

BSH: Pse i ulëm interesat

Në mbledhjen e tij të datës 28 korrik 2010, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare të tremujorit të dytë të vitit 2010.

Pasi u njoh me zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend, me projeksionet e tyre për të ardhmen, si dhe pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme, në përfundim të diskutimeve,

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindjeje.

Pas këtij vendimi, norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat maturimi njëjavor është 5 për qind krahasuar me nivelin e mëparshëm të saj prej 5.25 përqindësh.

Zhvillimet ekonomike dhe monetare gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2010 kanë qenë përgjithësisht në linjë me parashikimet e Bankës së Shqipërisë.

Aktiviteti ekonomik, megjithëse në terma të ngadalësuara, ka shënuar rritje pozitive.

Presionet inflacioniste kanë ardhur në rënie, ndërkohë që balancat e jashtme të ekonomisë janë përmirësuar. Tregjet financiare kanë pasur më shumë frymëmarrje, duke u karakterizuar nga:

– rënia e primeve të rrezikut

– përmirësimi i situatës së likuiditetit

– tendenca rënëse e normave të interesit dhe

– qetësia relative e kursit të këmbimit.

Këto linja zhvillimi pritet të ruhen edhe në periudhën e ardhshme.

Ecuria e ekonomisë shqiptare mund të konsiderohet pozitive, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të ekonomisë botërore dhe të ecurisë së vendeve të rajonit,

si dhe në raport me dimensionet e sfidave me të cilat ajo u përball gjatë kësaj periudhe. Këto sfida përbënë një test të fortë për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, në nivel makro dhe mikroekonomik,

si dhe për kapacitetet institucionale e politike të administrimit ekonomik.

Banka e Shqipërisë vlerëson si një hap në drejtimin e duhur rishikimin në ulje të deficitit buxhetor dhe të planit të shpenzimeve publike. Garantimi i qëndrueshmërisë fiskale,

ulja e primeve të rrezikut të lidhura me të, forcimi i besimit të publikut, si dhe krijimi i hapësirave për një akses më të madh të sektorit privat në tregjet financiare,

përbëjnë disa prej elementeve thelbësore që mundësuan lehtësimin e mëtejshëm të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, duke shmangur një sterilizim të mundshëm të aksioneve tona në lidhje me normën e interesit.

(Nga fjala e mbajtur nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në konferencën për shtyp javën e kaluar)

 

 

 

Banka-opinione

Prononcim i drejtorit vendor të “Alpha Bank Albania”

 

Shenjëstrimi i normave të interesit do të ndikojë pozitivisht

 

 

Banka e Shqipërisë, prej më se një muaji, ka kaluar drejt shenjëstrimit të normave të interesit në tregun ndërbankar.

Si është pritur nga bankat e nivelit të dytë ky veprim. Cilat janë përparësitë krahasuar me sistemin e mëparshëm?

 

Ndryshimi i objektivit operacional të politikës monetare duke kaluar nga shenjëstrimi i treguesve sasiorë të bilancit të Bankës së Shqipërisë,

në shenjëstrimin e normave të interesit të tregut ndërbankar drejt normës bazë të interesit të BSH-së do të ndikojë në zbutjen e normave të interesit të tregut ndërbankar,

do rrisë shkallën e besimit të sistemit bankar në operacionet e administrimit të likuiditetit të BSH-së dhe njëkohësisht në transparencën e tyre.

Një lëvizje e tillë nxit zhvillimin e mëtejshëm të tregut ndërbankar, ndikon pozitivisht në aktivitetin e ndërmjetësimit financiar,

duke ofruar mundësinë e rifinancimit të pozicioneve afatshkurtra dhe afatmesme, ndihmon zbutjen e rrezikut të likuiditetit të sistemit bankar,

si dhe nxit kreditimin e ekonomisë. Ky ndryshim reflektoi gjithashtu përmirësimet e vazhdueshme strukturore të tregut bankar, sofistikimin e agjentëve ekonomikë,

si dhe inkuadrohet mirë në orientimin dhe angazhimin afatmesëm të BSH-së për adaptimin e regjimit të inflacionit të shenjëstruar.

 

 

Si do të ndikojë ky ndryshim operacional në çmimin e kredive dhe produkteve të tjera të bankave të nivelit të dytë?

 

Kuadri i ri operacional, duke i krijuar sistemit bankar mundësinë e administrimit më efektiv të likuiditetit, përmirësimin e treguesve të likuiditetit në sistem,

uljen e primeve të rrezikut në të, si dhe pritjet e ankoruara inflacioniste do të kushtëzojnë rënien e normave të interesit në tregjet financiare,

të cilat shërbejnë dhe si referencë për përcaktimin e çmimeve të produkteve bankare, si në kahun e aktivit dhe atë të pasivit.

 

Cili do të jetë efekti i tij në terma të gjata kohorë?

Orientimi i normave të interesit të tregut ndërbankar drejt normës bazë të interesit të përcaktuar nga autoriteti monetar do t’i shërbejë funksionimit më të qetë të tregut ndërbankar,

stabilizimit të normave ndërbankare të interesit si dhe uljes së primeve të rrezikut në këtë treg.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of