A mund të ecin krah për krah me bukurinë arkitekturat e ndërtesave tregtare si aeroportet apo stadiumet?
Po, sipas Prix Versailles, i cili çdo vit vlerëson ndërtesat më të bukura dhe strukturat arkitektonike më futuriste dhe skenografike në botë, duke i përzgjedhur nga ato komerciale, të destinuara për të kryer një funksion social dhe për të ofruar shërbime për komunitetin.
Aeroporte, stacione, stadiume, restorante, hotele, kampuse shkollore- projekte me vlera të mëdha estetike dhe artistike, të cilat ndërthurin objektivat e ambientalizmit, cilësinë, krijimtarinë dhe inovacionin. Në fund të fundit, këto janë strukturat dhe infrastrukturat që bëjnë pjesë më shpesh në jetën tonë të përditshme. Pikërisht për këtë arsye, një çmim që vlerëson cilësinë e tyre mund të jetë padyshim një nxitje për të rritur dhe për të zbukuruar mjediset që janë pjesa më e madhe e zakoneve tona.
Synimi i Versailles Prix është pikërisht të nxisë një ndërveprim më të mirë midis ekonomisë dhe kulturës. Një çmim që jo rastësisht është i lidhur me Versajën, simbol me famë botërore për bukurinë dhe elegancë, i cili, sipas organizatës, duhet të jetënjë shtysë për arkitekturën tregtare cilësore, sot dhe nesër.
Eagle County Regional Airport, SHBA
Në kategorinë e “aeroporteve”, çmimin për arkitekturën e brendshme e fiton Eagle County Regional Airport, që ndodhet në Gypsum, Kolorado, në Shtetet e Bashkuara. I ristrukturuar në 2019-n, është më shumë i njohur në sezonin dimëror, për afërsinë me resortet e skive të Vail dhe Beaver Creek.
Van Don International Airport, Vietnam
Aeroporti ndërkombëtar Van Don, në Vietnam, fiton çmimin për arkitekturën e jashtme. Është aeroporti i parë privat në Vietnam, në gjirin e Ha Long, Pasuri e UNESCO-s.
Universiteti i Melburnit, Life Sciences Building
Prix Versailles 2020 në kategorinë “kampus studentor” i jepet Life Sciences Building të Universitetit të Melburnit. Kompleksi i ri, i përuruar në 2019-n, përfshin një nga kopshtet botanike më të vjetra në hemisferën e jugut.
University College London, Student Centre, Londër
Çmimin për arkitekturën e brendshme në kategorinë “Kampus” e fiton Student Centre i University College në Londër, i hapur 24 orë në 24, në shtatë ditë të javës, në gjithë ditët e vitit dhe në dispozicion të të gjithë studentëve.
University of Massachusetts Amherst, Isenberg School of Management Business Innovation Hub
I projektuar nga BIG-Bjarke Ingels Group dhe Architect of Record Goody Clancy, Business Innovation Hub i University of Massachusetts Amherst është veshur me bakër dhe projektuar për të qenë një hapësirë studimi hiper-bashkëpunuese dhe sociale. Fiton çmimin për arkitekturën e jashtme, në kategorinë “kampus shkollor”.
Salesforce Transit Center, San Francisko
Fiton Prix Versilles 2020 në kategorinë “stacione”, Salesforce Transit Center, në qendër të San Franciskos. Ndërtimi i terminalit të ri u bë i nevojshëm vetëm pas tërmetit të Loma Prieta në 1989-n, që shkatërroi Transbay Terminal, i hapur në 1939-n.
Msheireb Metro Station, Doha
Stacioni që fiton çmimin për arkitekturën e brendshme është Msheireb Metro Station në Doha, Katar. I hapur në vitin 2019, është stacioni metropolitan më i madh në qytet.
Køge Nord Train Station, Danimarkë
Fiton në kategorinë “stacione” për arkitekturën e jashtme, stacioni i trenave në Danimarkë, Køge Nord. I hapur në 2019-n, ndodhet rreth 30 kilometra nga Kopenhagën.
Anoeta Stadium, Spanjë
Ndodhet në San Sebastian, në Spanjë, stadiumi që fiton Prix Versailles 2020 në kategorinë “sport”. I përuruar në vitin 1993, stadiumi u zgjerua në 2019, duke arritur kapacitetin deri në 42.300 tifozë.
Tottenham Hotspur Stadium, Londër
Stadiumi i Tottenham, i quajtur edhe New White Hart Lane, fiton çmimin për arkitekturën e brendshme. Stadiumi, në pronësi të Tottenham Hotspur Football Club, mund të mirëpresë deri në 62.303 tifozë.
Puskás Aréna, Budapest
Çmimin special për arkitekturën e jashtme në kategorinë “sport”, në vitin 2020, e fiton Puskás Aréna në Budapest. I përuruar në nëntor të vitit 2019, stadiumi është ndërtuar në vend të ish-stadiumit Ferenc Puskás dhe i është kushtuar legjendës së futbollit kombëtar.
Boutique, Musée national du Qatar, Doha
Fiton Prix Versailles 2020 në kategorinë “dyqane”, dyqani i bukur për dhurata (gift shop) i Qatar National Museum në Doha. I projektuar nga Koichi Takada, riprodhon një peizazh artificial mes midis shpellave nëntokësore dhe shkretëtirës.
Selo São Paulo, Brazil
Për arkitekturën e brendshme, në kategorinë “dyqane”, çmimin e fiton Selo, dyqani i këpucëve të bëra me dorë në San Paolo, Brazil.
The Looking Glass, Amsterdam
Në kategorinë “dyqane”, seksioni i arkitekturës së jashtme – çmimin për 2020 e fiton The Looking Glass, projekt i realizuar nga studio e arkitekturës UNStudio, në një nga rrugët e shopping më elegante në Amsterdam. Pjesa e jashtme e dyqanit, riinterpreton fasadat tipike të ndërtesave të qytetit, në një çelës modern.
The Exchange Sydney, Australia
Fiton Prix Versailles 2020 në kategorinë “Qendra tregtare”, The Exchange në Sidnei, Australi. Shtatë kate të projektuara nga studio Kengo Kuma & Associates, që përfshijnë edhe hapësira për fëmijët dhe një bibliotekë.
Jewel Changi Airport, Singapor
Kjo hapësirë tregtare brenda aeroportit Singapore-Changi zë një hapësirë 135.700 metra katrorë, e shpërndarë në 10 kate, duke përfshirë kopshte të harlisura, restorante dhe “vorbullën e shiut”, ujëvara e brendshme më e lartë në botë. Ai fiton çmimin për arkitekturën e brendshme në kategorinë “Qendra tregtare”.
Kashiyama Daikanyama, Tokio
Çmimi për arkitekturën e jashtme, kategoria “Shopping Mall”, është dhënë në Tokio, për projektin e dizajnit për një kompleks të ri tregtar në zonën Daikanyama.
Aman, Kioto
Hoteli më i bukur për Prix Versailles në 2020-n, është Aman, hoteli luksoz në Kioto. I ndërtuar në një kopsht privat dhe i rrethuar nga më shumë se 80 hektarë pyll, hoteli ka banja termale tradicionale, që përdorin ujin e një burimi lokal.
Beyond Sussusvlei Desert Lodge, Namibi
Çmimi për arkitekturën e brendshme në kategorinë “Hotel” i jepet Beyond Sussusvlei Desert Lodge në Namibi– një strukturë e mrekullueshme luksoze, e cila i ngjan një oazi në shkretëtirë.
Arctic Bath, Suedi
Arkitektura e jashtme më e pabesueshme e vitit, midis strukturave të akomodimit, për Prix Versailles është ky hotel në zemër të Laplandit suedez, i ndërtuar sipas kritereve të qëndrueshmërisë, i zhytur në mjedisin që e rrethon.
Le Ronsard, Marrakesh
Fiton Prix Versailles 2020 në kategorinë “Restorante”, Le Ronsard në Marrakesh, një oaz luksoz i qetësisë në zemër të palmës historike të qytetit, që është edhe një hotel, pjesë e grupit Relais & Chateaux.
Casa Talia, Pekin
Ky restorant në Pekin, me një kuzhinë mesdhetare që shoqërohen me kokteje, nën mbikëqyrjen e shefit Corrado Michelazzo, fiton çmimin për arkitekturën e brendshme.
Under, Norvegji
Ky restorant në Baly është vërtet fantastik, në rajonin Lindesnes, në Norvegji. Ai fiton çmimin për arkitekturën më të mirë të jashtme. I famshëm pasi është restoranti i parë në Europë nënujor.
Burimi: Corriere della Sera