Enver Ferizaj, president i KASH: nuk duhet; Sabah Sena, specialist i bujqësisë, “Banka, e nevojshme për sektorin”…..
Flet Enver Ferizaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH)
Banka bujqësore e panevojshme
Si e vlerësoni gjendjen e kreditimit të sektorit bujqësor? Cilat janë problemet kryesore? Si mund të nxitet kreditimi?
Kohët e fundit vihet re një përqendrim më i madh i bankave për të mbështetur me kreditim bujqësinë. Kjo për faktin se është krijuar infrastruktura e nevojshme që lidh terrenin ku zhvillohet bujqësia si dhe janë ngritur ndërmarrje, ferma të cilat kërkojnë mbështetje me kredi nga bankat. Deri tani, bujqësia është mbështetur nga mikrokreditë, të cilat janë dhënë nga shoqëritë e kursim-kreditit dhe mendoj se e kanë kryer mjaft mirë kreditimin në bujqësi, edhe pse interesat kanë qenë relativisht më të larta se të bankave. Këto kredi janë dhënë në mënyrë të shpejtë pa kolateral, të shtrira në të gjithë territorin e vendit, ku bankat nuk e kanë infrastrukturën e mundshme për të kredituar këtë sektor. Disa banka të nivelit të dytë kanë plane konkrete për kreditimin në bujqësi si BKT, ProCredit, ISP, duke planifikuar paketa mbështetëse për bujqësinë, por mendojmë se një nga pengesat më serioze është mungesa e kolateralit, lejeve të ndërtimit, legalizimi i ndërtimeve pa leje. Të gjitha këto i bëjnë bankat jo të sigurta në dhënien e kredive për ata fermerë apo agro-përpunues që kërkojnë financime mbi 10 milionë lekë. Kjo mund të zgjidhet me mbështetje nga qeveria, duke krijuar një fond garancie për këta fermerë, sidomos ata që investojnë në agro-industri, krijimin e fermave të mëdha, serave, qendrave të grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore, në ngritjen e parqeve të mekanizimit, etj.
A është krijimi i një banke rurale një zgjidhje efikase për rritjen e kreditimit?
Idenë e krijimit të një banke bujqësore për zonat rurale e shikojmë me rezerva, për vetë faktin se kemi një përvojë të mëparshme të një banke bujqësore, e cila falimentoi me probleme. Aktualisht kemi një numër të mjaftueshëm të bankave të nivelit të dytë që kreditojnë ekonominë. Është fakt për t’u përmendur se nga 16 banka që operojnë në vendin tonë, 2 prej tyre kanë mbi 50% të portofolit të kredidhënies. Ose e thënë ndryshe 5 prej tyre kanë 67% të kreditimit të të gjithë ekonomisë e 73% të depozitave të qytetarëve. Ne nuk jemi kundër investimit në sektorin bankar, pasi këto vetëm shtojnë konkurrencën, por nga nevoja që ka bujqësia për kredi, një bankë bujqësore do të ishte e panevojshme. Kjo për arsye se plotësohen nevojat nga bankat ekzistuese, si dhe nga shoqëritë e kursim-kreditit që janë në tregun bujqësor. Nga ana tjetër, sektorin e kreditimit në bujqësi e mbulon edhe AZHBR-ja, e cila ka fondet e qeverisë shqiptare, të cilat jepen pa interes, si dhe ato të BE-së, në të cilat investimi 50% mbulohet nga investitori dhe 50% nga fondet e BE-së.
Po për sa u përket fondeve të BE-së për bujqësinë, në çfarë niveli janë ato, ku janë adresuar dhe sa ndihmuese kanë qenë?
Fondet e BE-së janë 6,5 milionë euro dhe nga qeveria shqiptare 2 milionë euro, pra 8.5 milionë euro në dispozicion për kreditim.
Mendojmë se ka pasur dhe ka vështirësi në thithjen e këtyre fondeve, për faktin se kërkesat relativisht janë të forta, pra janë të barasvlefshme me kërkesat e kredimarrësve të BE-së. Kjo argumentohet me faktin se megjithëse janë kryer trajnime, informime për këto fonde me fermerë dhe agro-përpunues rezulton se akoma edhe sot nuk është realizuar tërësisht dhënia e këtyre fondeve. Një problem tjetër ka qenë mosdhënia e lejeve të ndërtimit nga pushteti vendor, mosnjohja e pronësisë së ndërtimeve apo rikonstruksioneve të godinave ekzistuese, pra janë pa regjistrim pronësie. Të gjitha këto kanë bërë që të mos jenë përfitues shumë fermerë dhe agro-përpunues, të cilët kanë aplikuar.
A duhet të krijojë qeveria kushte për nxitjen e bashkëpunimit me bankat e nivelit të dytë edhe për trajtimin e granteve?
Mendoj se fondet e qeverisë në formë granti duhet të rrinë larg bankave komerciale, pasi këto qëllimin e tyre primar kanë fitimin dhe për çdo shërbim që kryejnë kanë interesa e tarifa të përcaktuara, që do të thotë se fondet në formë granti që do të parashikoheshin, nuk do të shkonin 100% te fermeri, si dhe ana tjetër nuk kanë infrastrukturën e duhur për zbatimin e këtyre fondeve në bujqësi. Mund të përmendim mungesën e specialistëve të bujqësisë, veterinerë, zooteknikë, merceologë, të cilët do të ishin analistët për studimin e dhënies ose jo të një kredie ose granti.
Po për sa i përket nxitjes së skemave për kreditimin afatshkurtër, a mund të luajë qeveria një rol më të madh?
Aktualisht, qeveria ka rol të madh në kreditimin afatshkurtër, sidomos bujqësia për këto kreditime vuan, pasi dihet se fondet që jep vendi ynë për bujqësinë në formë kreditimi (grante) afatshkurtra janë 5 herë më të vogla se ato të vendeve të rajonit si Maqedonia, Kosova e Mali i Zi. Gjë që e bën një konkurrent jo të barabartë bujqësinë shqiptare me ato të vendeve të rajonit, pa përmendur ato të Bashkimit Europian, pasi ne, si të gjitha vendet e BE-së, jemi vend i ekspozuar ndaj tregut të lirë dhe direkt ose indirekt nga mosmbështetja sa duhet dëmtojmë konkurrueshmërinë e produkteve tona.
—————
Flet Sabah Sena, specialist i sektorit të bujqësisë
“Banka, e nevojshme për sektorin”
Sabah Sena renditet sot ndër ekspertët më të mirë të sektorit të bujqësisë në vend. Si një person që i njeh mirë nevojat dhe shanset e sektorit, ai e vlerëson shumë pozitive krijimin e një banke bujqësore në vend.
“Banka bujqësore nuk ka lidhje me bankat e tjera private që operojnë në vend. Ajo normalisht menaxhohet nga shteti dhe funksionon si një institucion që mbledh të gjitha financimet ngado që vijnë, brenda dhe jashtë vendit. Kudo ka banka bujqësore dhe Shqipëria nuk do të ishte një rast i shkëputur. Kjo bankë që grumbullon fondet ngado vijnë dhe i administron ato nuk prish tregun e bankave të tjera. Është fjala për t’i dhënë një dorë bujqësisë dhe dy duar qeverisë nëse ka një vizion të qartë për zhvillimin e bujqësisë. Madje ndërtimi i bankës duhet të vijë si pasojë e një vizioni të qartë të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë”, thotë z.Sena.
Sipas tij, Shqipëria është një treg kaotik dhe ndonëse kanë ardhur shumë donacione për sektorin e bujqësisë ato janë orientuar drejt kanaleve të papërshtatshme dhe nuk kanë qenë efektive.
Fermerët sot nuk mund të përballojnë interesat e kredive që ofrojnë bankat, jo vetëm prej faktit se këto interesa janë të larta, por edhe sepse të ardhurat e fermerëve janë të ulëta. Një problem ende shumë shqetësues që pengon zhvillimin e sektorit dhe thithjen e kreditimit është kaosi me pronësinë.
“Qeveria duhet të qartësojë përfundimisht punën e pronësisë mbi tokën, e dyta të eliminojë pengesat ligjore, t’i zbardhë pengesa të tilla sot jo më vonë”, thotë specialisti Sabah Sena.
Ai shton se politikat e prezantuara nga qeveria e re për sektorin e bujqësisë janë të mira në teori dhe evidentohet një përqasje për të insistuar tek investimet, duke subvencionuar prodhimin dhe fermerin për të mbjellë. Nisma për të financuar 15% të vlerës së faturave të shitura është pozitive sepse jo vetëm ndihmon fermerët por edhe formalizon sektorin.
Unë kam qenë dhe jam kundër idesë që të subvencionohet fermeri me fidanë, pra direkt, sistem që ka funksionuar deri dje. Kjo rezultoi si ide për të mbështetur disa kompani private ndërtuar posaçërisht për këtë punë, një biznes ndërtuar mbi një qëllim djallëzor s’ka shanse mbijetese. Duhet të vendosen kushte nga qeveria, që nëse fermeri kërkon financim duhet të formalizohet”, thotë z.Sena.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.