Probleme me furnizimin me energji në gjysmën e territorit të vendit

25/09/2019 9:57 AM 0 komente

Stuhitë, shkarkesat elektrike dhe shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar defekte në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, të shoqëruara me këputje përcjellsash, thyerje të izolatorëve, dëmtime të kabllove dhe vërshim të ujit në kabina. Pothuajse gjysma e vendit ka patur ndërprerje të energjisë.

Sipas OSHEE-së, rajonet më të prekura nga defektet janë Tirana, Durrësi dhe Burreli, por kompania thotë se në kushtet e një moti me reshje dhe prezencë uji është e vështirë të ndërhyhet, pasi rrezikohet jeta e punonjësve.

Ende po punohet për rikthimin e energjisë në një pjesë të Kombinatit, në Mëzes, Yzberisht, Farkë, Valias, fshatrat e Vorës, Paskuqan, si dhe në një pjesë të ish-bllokut dhe rrugës Myslym Shyri.

Disa fshatra të Kavajës janë ende pa energji e po ashtu zona e Shijakut, Manëzës dhe Fushë-Krujës.

Në rajonin e Elbasanit pa energji ka mbetur Cërriku, Gramshi dhe disa fshatra në Prrenjas, ndërsa në Gjirokastër probleme me energjinë ka në Tepelenë, Kardhiq, Dropull dhe Lazarat.

Disa lagje të qytetit të Vlorës, Dhërmiu dhe Dukati janë pa energji elektrike, e po ashtu disa zona në Tropojë, Zadrimë dhe Torovicë të Lezhës. Në rajonin e Burrelit po punohet për të rikthyer energjinë në Laç, Mamurras dhe Bulqizë.

Reshjet e shiut nuk kanë sjellë probleme me nivelin e ujit në kaskadën e Drinit, madje kanë rritur ndjeshëm prurjet, ku vetëm në Fierzë prurjet mesatare të ujit arrijnë në 120 metra në sekondë. Niveli i ujit në këtë hidrocentral ka arritur 274.8 metra, ndërsa korporata shprehet se kjo situatë ka ndikuar në rritjen e prodhimit të energjisë.

Aktualisht planifikohet që në Tetor prodhimi të rritet 30% më shumë se parashikimi. Moti i keq, sipas të dhënave të autoriteteve shtetërore nuk ka sjellë probleme në porte, ndërsa në aeroportin Nënë Tereza ka patur vonesa në 8 fluturime, 2 të tjera janë anuluar dhe 6 nisje avionësh janë devijuar për një kohë tjetër.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of