Nga Dr. Zef PREÇI dhe Prof. Dr. Fatmir MEMAJ
Në Shqipëri, përmirësimi i kushteve për dialogun publik-privat, po zhvillohet duke rritur vetëdijen e sektorit privat, gjë e cila do të çojë në artikulimin me sukses të të gjitha shqetësimeve të biznesit te politikëbërësit, duke trajtuar çështjet ligjore dhe ato rregullative që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin privat. Ndërsa dialogu i nxitur nga qeveria mund të marrë formën e konsultimit, që i shërben nevojave të qeverisë për më tepër informacion dhe hap një dritare për shprehjen e opinionit të biznesit privat. Për t’i adresuar këto çështje, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), përmes një projekti studimor, ka intensifikuar përpjekjet, duke pasur si qëllim kryesor përgatitjen e komunitetit të biznesit në Shqipëri. Cilat janë problemet kryesore që u diskutuan dhe si mund të zgjidhen ato?
1. Rregullimi i legjislacionit të administrimit fiskal
Sipas perceptimit të bizneseve të kontaktuara, legjislacioni dhe aktet e tjera janë shpesh kontradiktore dhe jo transparente. Ndryshimet e shpeshta dhe mungesa e informacionit apo marrja me vonesë e tij ka sjellë jo vetëm problemin e mosrespektimit të legjislacionit nga ana e bizneseve, por edhe probleme në marrëdhëniet jokorrekte midis bizneseve dhe punonjësve të administratës tatimore, duke favorizuar mundësitë për mitmarrje dhe korrupsion. Gjithashtu, apelimet tatimore dhe jotatimore nuk janë trajtuar në kohë, sepse shpesh procedurat shoqërohen me zgjatje të kohës së shqyrtimit, të cilat, shpesh janë të pajustifikuara.
Zgjidhjet
a) Ndryshimet në legjislacionin fiskal nuk duhet të jenë të shpeshta dhe sektorit privat ato duhet t’i bëhen të njohura në kohën e duhur. Çdo ndryshim në legjislacionin fiskal duhet të jetë në axhendën e institucioneve të paktën 1 vit para se të miratohet dhe duhet të ketë konsultime të shpeshta me komunitetin e biznesit.
b) Duhet të ketë një periudhë tranzicioni të paktën një muaj që nga koha e miratimit të një ligji apo rregulloreje të re deri në zbatimin e tyre në praktikë.
c) Zyrat publike duhet të zhvillojnë fushatë sensibilizuese në media, për të informuar palët e interesuara në lidhje me ndryshimet e bëra.
d) Shoqatat e biznesit duhet të jenë më të organizuara dhe të investojnë në përmirësimin e procedurave të zgjedhjeve së përfaqësuesive të biznesit në institucionet publike.
e) Duhet të reduktohet procedura e deklarimit të falimentimit për një biznes.
2. Konsultimi midis biznesit dhe institucioneve fiskale
Sipas bizneseve të kontaktuara, ligjet dhe rregulloret në lidhje me të ardhurat nga taksat dhe detyrimet jotatimore janë shpesh kontradiktore dhe u rekomandua përmirësimi i procesit të konsultimeve, duke marrë në konsideratë mendimin e komunitetit të biznesit. Opinioni i komunitetit të biznesit është i rëndësishëm për ndërtimin e besimit reciprok midis partnerëve. Një faktor tjetër që sjell ndikim negativ në marrëdhëniet mes tyre është profesionalizmi i ulët i disa prej punonjësve të administratës fiskale.
Zgjidhjet
a) Është e nevojshme një konsultim më efektiv dhe më i shpeshtë midis komunitetit të biznesit dhe politikanëve që merren me problemet fiskale, si dhe me punonjësit e administratës tatimore. Urat e komunikimit midis komunitetit të biznesit dhe administratës fiskale duhet të vendosen në një kuadër institucional.
b) Nevojitet përmirësimi i kapaciteteve të punonjësve të administratës tatimore për të shmangur politizimin e tyre.
a) Përfaqësuesit e biznesit duhet të jenë të mirinformuar për çdo rregullore apo ligj që prek interesat e tyre.
3. Inspektimet e kryera nga administrata fiskale
Bizneset përballen me një numër relativisht të madh dhe të shpeshtë të inspektimeve të kryera nga administrata tatimore. Gjithashtu, është theksuar se autoritetet tatimore, në disa raste, nuk respektojnë ligjin në lidhje me njoftimin që duhet t’u bëjnë paraprakisht kompanive private 24 orë para inspektimit madje në të njëjtën kohë, inspektimet në disa raste shkojnë përtej fokusit të tyre, veçanërisht përtej periudhës së inspektimit. Në disa raste, profesionalizmi i ulët i inspektorëve tatimorë shoqërohet me kërkesa për ryshfet dhe korrupsion.
Zgjidhjet
a) Rekomandohet zvogëlimi i numrit të inspektimeve të kryera nga inspektorët tatimorë çdo vit, madje edhe vetë organet tatimore duhet të respektojnë ligjin, duke dërguar njoftimin 24 orë para se kompanitë të inspektohen.
b) Gjatë inspektimeve, inspektorët duhet të kryejnë vetëm operacione që janë objekt i inspektimit të fundit.
c) Të bëhet përcaktimi paraprak i procedurave administrative të nevojshme për inspektim, duke filluar nga programet e vizitave inspektuese, autorizimi, kohëzgjatja dhe ato të organizohen në përputhje me një qasje të bazuar në vlerësimin e riskut.
d) Thjeshtimi i procedurave të apelimit në rast të moskorrektësisë gjatë inspektimit. Përfaqësuesit e biznesit duhet të jenë të pranishëm gjatë procedurave gjyqësore të apelimit.
4. Lidhur me vlerën e TVSH-së
Problemi më kryesor, i cili nuk trajtohet ende, është reduktimi i TVSH-së në industrinë e turizmit, si një sektor prioritar për Shqipërinë. E njëjta vlerë dhe të njëjtat procedura zbatohen edhe për TVSH-në në lidhje me importin e makinerive dhe pajisjeve. Rimbursimi në kohë i detyrimeve për bizneset nga ana e zyrave tatimore, kryesisht për TVSH-në, përbën vërtet një problem sepse ka shumë barriera dhe në qoftë se kompanitë këmbëngulin për kompensim ato do të jenë “viktima” të një inspektimi shtesë.
Zgjidhjet
a) Rekomandohet ulja e TVSH-së nga 20% në 10% për produkte ushqimore të caktuara dhe për aktivitete të tjera që lidhen kryesisht me industrinë e turizmit.
b) Për zbutjen e ndikimit të krizës së viteve të fundit është e rekomanduar heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, masë e cila mund të japë ndikim pozitiv për biznesin vendas duke inkurajuar investimet.
c) Rimbursimi në kohë i detyrimeve për bizneset është shumë i rëndësishëm.
d) Shoqatat e biznesit duhet të përmirësojnë strukturën e tyre organizative, në mënyrë që të adresojnë problemet e TVSH-së.
5. Zgjerimi i përdorimit të komunikimit elektronik dhe të raportimit
Reduktimi dhe eliminimi i kontaktit fizik midis punonjësve të zyrave tatimore dhe administratorëve të bizneseve mund të bëhet duke rritur përdorimin e formave elektronike të komunikimit. Rritja e shkallës së përdorimit të komunikimit dhe të raportimit elektronik do të jetë shumë fitimprurëse për bizneset, jo vetëm në lidhje me konsumin e kohës, por edhe për të shmangur kontaktet e shpeshta të përfaqësuesve të bizneseve me punonjësit e tatimtaksave.
Zgjidhjet
a) Zgjidhja kryesore është që të rritet niveli i përdorimit të komunikimeve. Kjo gjithashtu ndihmon në uljen e konsumit të kohës për shumë procedura.
b) Aty ku është e mundur, të bëhet rritja e numrit të shërbimeve për tatimpaguesit, e cila duhet të jetë e disponueshme në mënyrë elektronike.
c) Për të lehtësuar procedurat, punonjësit tatimorë duhet të përgjigjen online për pyetjet e drejtuesve të bizneseve, dhe përgjigjet e dhëna duhet të njihen si një dokument ligjor.
d) Është pikërisht koha e duhur që procedurat e apelimit duhet të bëhen online.
6. Dogana
Problemi kryesor lidhur me doganat është problemi i vjetër i çmimeve të referencës, të cilat duhet të hiqen për shkak se ato shtrembërojë konkurrencën dhe janë një burim i abuzimit nga punonjësit e doganave. Ekzistenca e çmimeve të referencës gjithashtu ndikon në produktivitetin dhe konkurrencën e prodhimit vendas. Ekzistenca e procedurave të gjata dhe burokratike ndikon në rritjen e kostove të transaksioneve për eksportet. Ka shumë dokumente për t’u përgatitur për eksporte/importe dhe procedurat janë të gjata, dhe që nuk ndikojnë vetëm në kostot e transaksionit, por krijojnë edhe hapësirë për mitmarrje dhe korrupsion.
Zgjidhjet
a) Është i nevojshëm eliminimi i çmimeve të referencës, jo vetëm për uljen e kostove dhe procedurave të transaksioneve, por edhe për mbrojtjen në këtë mënyrë të konkurrencës së produkteve kombëtare në eksportet dhe importet e mallrave dhe të shërbimeve.
b) Thjeshtëzimi i dokumentacionit doganor dhe reduktimi i kohës për ekspertizën e produkteve janë procedurat të cilat do të mbështesin zhvillimin e biznesit në Shqipëri.
c) Sistemi doganor, gjithashtu, ka nevojë për përmirësim në drejtim të detyrimeve dhe procedurave të zbatimit të tyre.
7. Probleme të tjera
Përfaqësuesit e biznesit duhet të jenë të informuar lidhur me çdo rregullore apo ligj që prek interesat e tyre. Në këtë pikë, duhen përmendur masat e marra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për krijimin dhe përdorimin e regjistrit elektronik të Legjislacionit të Biznesit, një web-site ku publiku mund të marrë informacionin që i duhet. Por, tjetër është të kesh akses dhe tjetër ta përdorësh këtë akses.
Nga të gjithë përfaqësuesit e biznesit në diskutimet në fokus grupe, plani për krijimin e gjykatave administrative të apelit në të ardhmen e afërt është pranuar si hap pozitiv. Megjithatë, parashikohen të jenë pak gjykata të apelit administrativ, gjë që do të jetë një problem për bizneset e rretheve të largëta.
Zgjidhjet
a) Për përdorimin efikas të Regjistrit Elektronik për Legjislacionin e Biznesit duhet të promovohet kjo iniciativë, kryesisht te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
b) Është theksuar dhe rekomanduar efekti pozitiv që do të ketë krijimi i gjykatës administrative të apelit.
c) Nevojitet rritja e kapaciteteve të gjykatave administrative të apelit, lidhur me politikat fiskale.
d) Gjatë proceseve të apelimit, në gjykatën administrative të apelit të përfshihen në stafin e saj ekspertë fiskalë dhe ekonomikë.
e) Është e rëndësishme krijimi i gjykatave administrative të apelit në të njëjtat qytete ku gjenden edhe gjykatat e apelit për çështjet civile dhe penale.
Ky studim ka theksuar hendekun aktual të informacionit mbi ndryshimet e fundit legjislative, procedurat administrative, si dhe mungesën e kapaciteteve në aftësitë për advokim, si dhe në përdorimin e platformave të konsultimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.