Pasi nuk ka arritur të bëhet funksional për 8 vjet për shkak të problemeve të pronësisë së tokës, qeveria ka vendosur të revokojë një vendim të 2009-s për një koncesion 35 vjeçar për krijimin e një parku industrial në Lezhë…
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit revokimin e vendimit NR.81, datë 27.1.2009, Të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës ekonomike në Lezhë dhe përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien e statusit të zhvilluesit të kësaj zone”.
Vendimi u mor pas propozimit të Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që kishte qenë dhe autoriteti kontraktues. Burime nga kjo ministri pohuan se shkak për këtë revokim ishin problemet e pronësisë, që kishin larguar edhe ata investitorë që kishin shfaqur interes.
Nga sipërfaqja totale 34.6 ha ishte shtetërore dhe 21.3 ha ishte private.
Në relacionin shpjegues pohohet se “Në zbatim të legjislacionit për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, riaktivizimi i zonës së mësipërme për shkak të problematikave të pronësisë së truallit nuk mund të vazhdojë, sepse së pari do të kërkonte një konfiguracion të ri të kësaj sipërfaqeje, ndryshimin e statusit të zonës dhe shpronësime të sipërfaqeve me pronësi private, gjë e cila do të kishte kosto financiare”.
Ku revokim nuk pritet të sjellë probleme, pasi “Zona Ekonomike” me Statusin e “Parkut Industrial” nuk ka zhvillues të përzgjedhur.
Vendimi për shpalljen e zonës ekonomike, me statusin “Park industrial”, të territorit, pjesë e zonës kadastrale nr.2660, në Lezhë u mor në vitin 2009 dhe jepte me koncesion rreth 55 ha për 35 vjet. Llojet e veprimtarisë, që parashikoheshin të zhvilloheshin në këtë zonë ishin: -Veprimtari prodhuese, industriale dhe agropërpunim; Veprimtari tregtare, import-eksport; Shërbime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.