Përdoruesit e FTX kanë përshkruar se ndihen “shpresëplotë”, megjithëse kanë rifilluar të shfaqen shenja se po shtohen tërheqjet e parave në tregjet e shkëmbimit të kriptomonedhave.
Bitcoin arriti nivelin më të ulët të dy viteve pasi Binance u tërhoq nga një marrëveshje për të shpëtuar rivalin e saj më të vogël, FTX.
Platforma e shkëmbimit të kriptomonedhave, e cila përdoret për të blerë dhe shitur monedha dixhitale, ende po i këshillon klientët e saj që të mos bëjnë depozita.
Sipas Coindesk dhe raporteve nga përdoruesit në mediat sociale, platforma problematike i ka lejuar disa klientë që të tërheqin fondet e tyre për herë të parë pas shumë ditësh.
Të enjten, Bitcoin ra nën 16,000 dollarë për herë të parë që nga viti 2020. Besimi i investitorëve u godit nga lajmi se Binance kishte anuluar marrëveshjen e saj për të blerë FTX, duke e justifikuar këtë veprim nëpërmjet disa shqetësimeve për aspektet ligjore të këtij transaksioni, si dhe të rreziqeve që lidhen me to.
Ekziston gjithashtu frika për një paqëndrueshmëri të mëtejshme në tregun e kriptove nëse FTX falimenton.
Shqetësimet lidhur me shëndetin financiar të kësaj kompanie thuhet se shkaktuan tërheqje të parave nga përdoruesit, në një vlerë totale prej 6 miliardë dollarë për vetëm tre ditë.
Binance tha se raportet për “keqpërdorimin e fondeve të klientëve dhe hetimet e supozuara nga agjencitë amerikane” ishin faktorët që ndikuan në vendimin e saj për të mos e blerë FTX.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe i Shkëmbimit të Monedhave (SEC) po hetonte trajtimin e fondeve të klientëve nga FTX dhe aktivitetet e saj të kripto-huadhënies.
Ky komision, i cili shërben si një rregullator për këto tregje, po shqyrton gjithashtu aspektet ligjore për të verifikuar nëse platforma ka shkelur ligjet lidhur me mënyrën se si i ka trajtuar asetet e klientëve.
Binance tha në një deklaratë të postuar në Twitter se problemet me të cilat përballet FTX ishin “përtej kontrollit ose aftësisë sonë për të ofruar ndihmë”.
“Sa herë që një lojtar i rëndësishëm në një industri del nga tregu, konsumatorët do të vuajnë. Ne kemi parë gjatë viteve të fundit që ekosistemi i kriptove po bëhet gjithnjë e më i qëndrueshëm dhe ne besojmë se, me kalimin e kohës, kompanitë që shpërdorojnë fondet e përdoruesve do të eliminohen nga tregu i lirë.”
Themeluesi i FTX, Sam Bankman-Fried dhe shefi ekzekutiv i Binance, Changpeng “CZ” Zhao, janë dy nga njerëzit më të fuqishëm në tregun e kriptomonedhave dhe mbeten rivalë të profilit të lartë me njëri-tjetrin.