Në vitin 2009 kompania Agrotal mori me koncesion shfrytëzimin e 1000 hektarë tokë në Gosë të Kavajës, kryesisht e mbjellur me ullishte për ta shfrytëzuar për 99 vjet.
Kompania e mori sipërfaqen e tokës shumica djerrë për ta pyllëzuar e shfrytëzuar nëpërmjet nismës “1 euro” të shpallur nga qeveria e kohës. Por pas 10 vitesh nga nisja e kontratës, konfliktet e pronësisë mbi tokën dhe ndryshimet klimaterikë po rrezikojnë të dështojnë qëllimin e koncesionit që parashikonte një vlerë invetsimi1.9 miliardë lekë (15 mln euro).
Ministria e Financave raportoi se aktualisht kjo kontratë koncesioni është në fazë hibride, pasi shoqëria koncesionare ka mbjellë një pjesë të sipërfaqes, ndërkohë pjesa tjetër e investimit është ngadalësuar për shkak të problematikave me pronësinë e tokës.
Sipas raportimeve të Autoritetit Kontraktues (Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) është kryer dorëzimi i sipërfaqes sipas parashikimeve të kontratës së nënshkruar midis palëve, por koncensionari pretendon se nuk i është dorëzuar sipërfaqja e parashikuar, duke e penguar kështu në ecurinë e projektit.
Nga ana e shoqërisë koncesionare janë realizuar investime që konsistojnë në hapjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve që të çojnë në parcelë dhe rrugëve të brendshme; janë kryer rrethimet e parcelave; janë kryer investime të rëndësishme në mbjelljen e parcelave me ullinj si dhe janë vendosur në pjesën më të madhe impianti i ujitjes me pika dhe me kanale kulluese. Për vitin 2020, shoqëria koncesionare ka vijuar me mirëmbajtjen e sipërfaqeve që janë të mbjellura me ullinj.
Sipas raportimeve të Autoritetit Kontraktues, risku i ndërtimit, risku operacional, risku i përfundimit para kohe të kontratës i janë alokuar koncesionarit dhe gjithashtu janë vlerësuar me risk të lartë për të ndodhur.
Gjithashtu risku ligjor (fakti që disa parcela janë në proces gjyqësor dhe pretendohen nga palë të treta, mund të vendosin në rrezik aktivitetin e koncesionit dhe arritjen e rezultateve të parashikuara). Kjo situatë përbën problematikë pasi njëra nga këto parcela është pretenduar për tu transformuar në rezervuar uji, dhe nëse kjo ndodh 50% e parcelave të koncesionit do të mbeten pa ujë dhe kjo do kishte impakt negativ në realizimin e objektivit. Një tjetër risk është risku atmosferik, i cili ndikon procesin bujqësor dhe ecurinë e kontratës së koncesionit.
Ky është i vetmi koncesion në sektorin bujqësor dhe rrezikon prej problematikave që vuan e gjithë bujqësia shqiptare, çështjet e pronësisë dhe ndryshimet klimaterike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.