Fokusi duhet të jetë në zgjerimin e pasurisë. Zgjerimi më i madh mund të arrihet në një mjedis tregu të lirë, duke iu bindur sinjaleve të konsumatorëve. Me më shumë pasuri, mund të realizohen më shumë qëllime. Megjithatë, nëse fokusi zhvendoset nga zgjerimi i fitimit, drejt barazisë së të ardhurave dhe një shoqërie më të drejtë, do të fillojë varfërimi ekonomik. Si rezultat, do të kemi më shumë varfëri dhe më shumë mjerim.
Nga Frank Shostaka
Në shkrimin e tij të publikuar në revistën Investment Monitor, më 18 mars 2021, Klaus Schwab, themeluesi i Forumit Ekonomik Botëror, kërkonte zëvendësimin e sistemit aktual ekonomik. Sipas Schwab, sistemi aktual është i mangët, pasi sjell përfitim vetëm për një pakicë të vogël të popullsisë, duke i lënë të gjithë të tjerët në një disavantazh të dukshëm.
Schwab mendon se një sistem që përpiqet të arrijë fitime maksimale, të cilin ai e etiketon si “kapitalizëm aksioner”, është një lajm i keq për mirëqenien e shumicës së individëve. Ai gjithashtu mendon se një sistem ku drejton qeveria së bashku me sektorin privat, i quajtur “kapitalizëm shtetëror”, është gjithashtu i mangët.
Klaus Schwab rekomandon një sistem tjetër, të cilin ai e quan “kapitalizëm i palëve të interesit”. Sipas Schwab, ky sistem do të sigurojë që drejtësia dhe barazia të mbizotërojnë për të gjithë individët. Ai shprehet se urgjenca për zbatimin e këtij sistemi të ri, është rritur për shkak se ndikimi i papritur dhe gjithëpërfshirës i Covid-19 na bëri të kuptojmë se një sistem ekonomik i drejtuar nga interesa egoiste dhe afatshkurtra, nuk është i qëndrueshëm dhe njerëzit janë shumë më të ndërgjegjshëm për këtë problem, sesa për efektet graduale të ndryshimit klimatik apo pabarazisë në rritje.
Sistemi i tanishëm është i pabalancuar, i brishtë dhe rrit mundësinë e fatkeqësive shoqërore, mjedisore dhe të shëndetit publik. Siç na ka treguar Covid-19, kur godasin fatkeqësitë, ato mbingarkojnë në nivele të rrezikshme sistemet publike.
Ne nuk mund të vazhdojmë me një sistem ekonomik të drejtuar nga vlera egoiste, si maksimalizimi i fitimit afatshkurtër, shmangia e taksave dhe rregulloreve ose shpërfillja e dëmit mjedisor. Sipas Schwab, ne kemi nevojë për një shoqëri, ekonomi dhe komunitet ndërkombëtar, që është krijuar me qëllimin për t’u kujdesur për të gjithë njerëzit dhe për të gjithë planetin.
Konkretisht, nga një sistem “kapitalizmi aksioner”, i cili mbizotëroi në Perëndim në 50 vitet e fundit, dhe një sistem “kapitalizmi shtetëror”, që fitoi terren në Azi i cili përqendrohet në mbizotërimin e shtetit, ne duhet të zhvendosemi drejt një sistemi të “kapitalizmit të palëve të interesit”.
Pavarësisht skepticizmit mbi kapitalizmin aksioner dhe shtetëror, Schwab mendon se këto sisteme arritën të përmirësonin mirëqenien e individëve. Ai e pranon se sot, mirëqenia është më e lartë se kurrë. Ne jetojmë në një kohë paqeje relative dhe pasurie absolute. Në krahasim me brezat e mëparshëm, shumë prej nesh jetojnë më gjatë dhe janë kryesisht më të shëndetshëm.
Fëmijët tanë shkojnë në shkollë, shpesh edhe në universitete, dhe kompjuterët, celularët smartphone dhe pajisje të tjera teknologjike, na lidhin me të gjithë botën. Një ose dy breza më parë, prindërit dhe gjyshërit tanë, vetëm mund ta ëndërronin stilin e jetesës që shumë prej nesh gëzojnë sot dhe luksin që mundëson energjia e mjaftueshme, përparimet në teknologji dhe tregtia globale.
E megjithatë, pavarësisht këtyre përfitimeve, Schwab mendon se bota dhe shoqëria civile janë rrënuar nga pabarazia e shfrenuar dhe paqëndrueshmëria e rrezikshme. Kriza e shëndetit publik nga Covid-19 është një ngjarje që na tregoi se jo të gjithë kanë të njëjtat shanse në jetë.
Personat me më shumë para, lidhje më të mira ose kode postare më “mbresëlënëse”, vuajtën shumë më pak nga Covid-19; ata kishin më shumë gjasa të punonin nga shtëpia, të largoheshin nga zonat me popullsi të dendur dhe të përfitonin kujdes më të mirë mjekësor në rast se infektoheshin. Ky është një model tepër i njohur në shumë shoqëri. Të varfrit preken vazhdimisht nga krizat globale, ndërsa të pasurit mund ta përballojnë më lehtë stuhinë. Duke pasur parasysh anët negative të sistemit tonë ekonomik global, është e qartë se duhet ta reformojmë atë.
Sipas Schwab, duke pasur parasysh mangësitë e të dyja këtyre sistemeve, ne kemi nevojë për një sistem global të ri dhe më të mirë: kapitalizmin e palëve të interesit. Në këtë sistem, merren parasysh interesat e të gjitha palëve të interesuara në ekonomi dhe shoqëri, kompanitë optimizohen për të arritur më shumë se thjesht fitime afatshkurtra, dhe qeveritë janë kujdestarët që ofrojnë barazinë e mundësive, një fushë loje të barabartë në konkurrencë dhe një kontribut dhe shpërndarje të drejtë për të gjitha palët e interesuara, për sa i përket qëndrueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes që ofron sistemi…
“Si në kapitalizmin aksioner, ashtu dhe në atë shtetëror, mbizotërimi i njërës palë mbi tjetrën, është e meta më e madhe e sistemit. Në kapitalizmin aksioner, qëllimet e aksionerëve shpesh janë fokusi i vetëm; ndërsa në kapitalizmin shtetëror, qeveria zotëron shumë pushtet. Prandaj, unë mbështes një sistem të tretë, i cili mund të përkufizohet si kapitalizëm i palëve të interesit.
Ky është kapitalizëm në përkufizimin tradicional të fjalës: individët dhe kompanitë private përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë. Mendoj se ky është një kusht i nevojshëm për një sistem të qëndrueshëm ekonomik: individët dhe kompanitë private duhet të jenë në gjendje të përtërihen dhe të konkurrojnë lirshëm, pasi kjo çliron energjinë krijuese dhe nxit etikën e punës për shumicën e njerëzve në shoqëri”.
Për më tepër, thotë Schwab, “aktivitetet ekonomike të aktorëve të tillë privatë duhet gjithashtu të mbrohen dhe të orientohen, për të siguruar që drejtimi i përgjithshëm i zhvillimit ekonomik të jetë i dobishëm për shoqërinë dhe që asnjë aktor të mos përfitojë në kurriz të të tjerëve. Ky është pikërisht lloji i kapitalizmit që duhet të mbështesim. Por kapitalizmi i palëve të interesit ndryshon rrënjësisht nga format e tjera të kapitalizmit, në një mënyrë që kapërcen shumë nga mangësitë e tyre.
Së pari, të gjithë ata që kanë një aksion apo interes në ekonomi mund të ndikojnë në vendimmarrje, dhe metrikat e optimizuara për aktivitetet ekonomike mbështeten në interesa më të gjera shoqërore. Për më tepër, ekziston një sistem kontrolli dhe baraspeshe, në një mënyrë që asnjë palë e interesuar nuk mund të bëhet ose të mbetet tepër mbizotëruese.
Si qeveria ashtu edhe kompanitë, që janë lojtarët kryesorë në çdo sistem kapitalist, optimizohen për një objektiv më të gjerë sesa fitimet: mirëqenien dhe begatinë e shoqërisë në përgjithësi, si dhe atë të planetit dhe të brezave të ardhshëm. Kjo gjë e bën kapitalizmin e palëve të interesit, sistemin ekonomik të parapëlqyer dhe atë që duhet të zbatojmë në të ardhmen”.
Rëndësia e përpjekjes për një fitim sa më të lartë të mundshëm
Sipas zotit Schwab, fitimi i tepërt nuk është diçka e mirë në krijimin e një shoqërie të drejtë. Ai e sheh fitimin si një mjet shfrytëzimi. Pra, sistemi ekonomik që ai propozon – kapitalizmi i palëve të interesit – është në thelb një ekonomi e kontrolluar në mënyrë të centralizuar. Megjithatë, zoti Schwab nuk merr parasysh faktin se fitimi nuk ka të bëjë fare me shfrytëzimin, ai ka të bëjë me përdorimin më efikas të burimeve.
Si i tillë, fitimi duhet parë si një tregues nëse burimet po përdoren në mënyrën më të mirë të mundshme, për sa i përket përmirësimit të kushteve të jetesës dhe mirëqenies së njerëzve. Nëse përdorimi i burimeve rezulton në rritjen e pasurisë së përgjithshme, kjo mund të shihet si një tregues se burimet janë përdorur në mënyrë fitimprurëse.
Në të kundërt, nëse ka një rënie në nivelin e pasurisë si rezultat i veprimeve të veçanta të individëve, atëherë kjo mund të shihet si tregues i një humbjeje. Këto veprime shkaktojnë shpërdorimin e burimeve.
Natyrisht, zgjerimi i pasurisë, që është zemra e rritjes ekonomike dhe manifestohet nëpërmjet fitimeve, duhet të konsiderohet si faktori kyç për rritjen e standardeve të jetesës së individëve. Në vend që të dënohen, duhen lavdëruar individët që kontribuojnë në zgjerimin e rezervave të pasurisë, e cila manifestohet në fitime, sepse këta individë janë të dobishëm në rritjen e standardeve të jetesës së popullatës në tërësi. Nëse dikush është përgjegjës për uljen e standardeve të jetesës, atëherë ky apo këta individë shpërdoruan burimet e pakta, duke dobësuar procesin e krijimit të pasurisë dhe fitimit.
Fitimi dhe humbja mund të konstatohen vetëm në një ekonomi tregu ku mund të përcaktohen çmimet e mallrave dhe faktorët e ndryshëm të prodhimit. Kuptohet se ekzistenca e parasë është çelësi në përcaktimin e çmimeve të mallrave dhe faktorëve të prodhimit. Tarifat e këmbimit të mallrave dhe faktorëve të ndryshëm shprehen në para; d.m.th., sasia e parave për njësi të një malli ose njësi të një faktori prodhimi.
Fitimi shfaqet kur një sipërmarrës zbulon se çmimet e disa faktorëve janë nënvlerësuar në raport me vlerën e mundshme të produkteve që këta faktorë mund të prodhojnë pasi të përdoren. Duke dalluar këtë mospërputhje dhe duke u hedhur në veprim, një sipërmarrës e eliminon mospërputhjen; d.m.th., eliminon potencialin për fitim të mëtejshëm.
Sipas Murray N. Rothbard, çdo sipërmarrës investon në një proces sepse ai pret që të arrijë një fitim; d.m.th., sepse beson se tregu i ka nënçmuar dhe nënkapitalizuar disa faktorë të caktuar.
Që një sipërmarrës të arrijë fitime, ai duhet të angazhohet në planifikim dhe të parashikojë preferencat e konsumatorëve. Rrjedhimisht, ata sipërmarrës që janë të saktë në parashikimin e preferencave të ardhshme të konsumatorëve, do të arrijnë fitime. Pas kanë formuar një këndvështrim të përgjithshëm në lidhje me kërkesat e mundshme të konsumatorëve në të ardhmen, bizneset shpërndajnë burime për krijimin e infrastrukturës që i lejon ata të plotësojnë kërkesat e ardhshme të konsumatorëve.
Kini parasysh se është shumë më e lehtë të akomodohen kërkesa të ndryshme që lidhen me ndryshimet klimatike ose kujdesin për “të varfrit”, kur rezerva e pasurisë zgjerohet. Prandaj, individëve duhet t’u lejohet liri e plotë për t’u angazhuar në gjenerimin e pasurisë.
Sidoqoftë, planifikimi dhe kërkimi, nuk mund të garantojnë që fitimet do të sigurohen, sepse ngjarje të ndryshme të paparashikuara mund të prishin parashikimet e sipërmarrësve. Gabimet, të cilat çojnë në humbje në ekonominë e tregut, janë një pjesë thelbësore e mjeteve naviguese që drejtojnë procesin e shpërndarjes së burimeve, në përputhje me sinjalet e konsumatorëve në një mjedis të pasigurt ekonomik.
Pasiguria është pjesë e mjedisit njerëzor dhe i detyron individët të marrin role aktive. Përqendrimi në qëllime si gjenerimi i barazisë dhe drejtësisë sociale dhe vendosja e kontrolleve dhe baraspeshave të ndryshme, do të pengonte burimet në gjenerimin e pasurisë. Kjo nga ana tjetër, ka të ngjarë të nxisë procesin e varfërimit ekonomik. Prandaj, versioni i kapitalizmit i Schwab-it, ka shumë të ngjarë t’i bëjë individët njëlloj të varfër.
Përfundimi
Ndryshe nga çfarë pretendon Schwab, fokusi duhet të jetë në zgjerimin e pasurisë. Zgjerimi më i madh mund të arrihet në një mjedis tregu të lirë, duke iu bindur sinjaleve të konsumatorëve. Me më shumë pasuri, mund të realizohen më shumë qëllime.
Megjithatë, nëse fokusi zhvendoset nga zgjerimi i fitimit, drejt barazisë së të ardhurave dhe një shoqërie më të drejtë, do të fillojë varfërimi ekonomik. Si rezultat, do të kemi më shumë varfëri dhe më shumë mjerim.
Sistemi i tanishëm ekonomik, nuk është një sistem i tregut të lirë, por një kuadër i kontrolluar nga qeveria dhe bankat qendrore, çka pengon procesin e gjenerimit të pasurisë. Për më tepër, ekzistenca e bankës qendrore dhe aftësia e saj për të gjeneruar para “nga hiçi”, bën që marrësit e hershëm të parave të saposhtypura, të përfitojnë në kurriz të marrësve më të vonë. Aftësia për të gjeneruar para “nga hiçi” e orienton pasurinë nga gjeneruesit e pasurisë, drejt aktiviteteve joproduktive.