Evergrande nuk është i vetmi rrezik që i kanoset sistemit financiar të Kinës. Kapitalizmi “me mik” ka lulëzuar midis bankave të vogla dhe të mesme të vendit, shkruan The Economist
Frika ndaj borxhit toksik është një dukuri gjithnjë e më e pranishme në ekonominë e Kinës. Frika më e fundit lidhet me Evergrande, një kompani tepër problematike që kërcënon të gjymtojë sektorin e pronave.
Kompania ka gjithashtu tentakula që arrijnë në cepat më të errëta të sistemit financiar të Kinës, duke përfshirë banka dhe huadhënës në hije. Por edhe pse kompania Evergrande është ajo që bie në sy, në sistemin financiar kinez po shfaqet një rrezik tjetër i madh: kapitalizmi “me mik” në bankat më të vogla.
Goditja e qeverisë ndaj përhapjes së korrupsionit në sektorin e pronave, e ka shtyrë kompaninë gjigante Evergrande në prag të kolapsit. Ndërkohë, edhe zhvilluesit e tjerë të mëdhenj po rëndohen nga një borxh total prej 5 trilionë dollarësh. Janë përhapur spekulimet se njëra prej kompanive, me emrin Kaisa, është gjithashtu në vështirësi për shlyerjen e borxheve (ajo u ka kërkuar investitorëve “kohë dhe durim”).
Trazirat mund të theksohen më tepër, ndërkohë që barra e borxhit vazhdon të shtohet. Sipas bankës japoneze Nomura, industria e pronave duhet të shlyejë 20 miliardë dollarë në obligacione në tremujorin e parë të vitit 2022, sa dyfishi i nivelit të këtij tremujori.
Investitorët e huaj i kanë vënë re menjëherë këto rreziqe. Yield-i i bonove kineze “junk” në dollarë, ka arritur në nivelin 24%, duke përjashtuar shumicën e emetuesve nga tregu. Disa blerës të shtëpive i kanë pezulluar blerjet, duke qenë të shqetësuar për vënien e depozitave tek firmat e dobëta. Ndërtimi ka ngecur në mbi 1000 projekte të ndërmarra nga kompania Evergrande.
Ende është e paqartë se kush është i ekspozuar ndaj humbjeve dhe deri në çfarë mase. Shumë zhvillues përdorin kompani guaskë, duke maskuar borxhet e tyre, ndërsa rregullatorët e bursës i kanë lejuar ata që t’i mbajnë investitorët në errësirë. Më 8 nëntor, Rezerva Federale paralajmëroi se problemet e Kinës në sektorin e pronave, kërcënojnë ekonominë globale.
Humbjet nga kreditë e pronave do të dëmtojnë pa dyshim sistemin bankar, por deri në çfarë mase, mbetet për t’u parë. Ndërkohë, siç e thamë më sipër, huadhënësit po përballen edhe me një rrezik tjetër. Kapitalizmi “me mik” ka lulëzuar midis bankave të vogla dhe të mesme në vend. Për shkak se huadhënësit më të mëdhenj shtetërorë parapëlqejnë të japin kredi për firmat e tjera shtetërore, kompanitë private dhe sipërmarrësit kanë blerë aksione në banka me shpresën për të përfituar një qasje preferenciale në kredi.
Megjithëse bankat e përfshira në këtë proces zakonisht janë të vogla, ato në total përbëjnë një problem tejet të madh. The Economist llogarit se deri në 20% të sistemit tregtar-bankar kinez, mund të ketë lidhje të ngushta me manjatë apo biznese private. Tashmë ka pasur ekspozime që kanë shkaktuar skandale. Në vitin 2019, kolapsi i një huadhënësi të vogël, shkaktoi rritjen e normave të huamarrjes ndërbankare.
Përveç këtij rasti, ka pasur edhe disa dështime të tjera. Kompania Evergrande, deri vonë ishte pronar i një banke në Kinën Verilindore, e cila është nën hetim për lidhjen e një marrëveshjeje të dyshimtë me vlerë 100 miliardë juanë (15.7 miliardë dollarë) me disa palë të tjera të lidhura.
Për udhëheqësin kinez Xi Jinping, kontrolli shtetëror është përgjigjja e duhur, si ndaj kërcënimeve të pronës, ashtu edhe ndaj kërcënimeve bankare. Për të vazhduar me nismat e nisura, qeveritë vendore po marrin kontrollin e disa projekteve të papërfunduara. Në bankat më të vogla, shumë aksionerë të korporatave po detyrohen të largohen dhe po zëvendësohen nga menaxherët e aseteve të qeverive lokale.
Kjo nxjerr në pah të metat e filozofisë ekonomike të zotit Xi. Rritja e shtrirjes së kontrollit shtetëror mund të parandalojë një panik të plotë, duke treguar se pothuajse të gjitha bankat janë të kontrolluara nga qeveria. Por ajo nuk arrin të pranojë një të vërtetë të rëndësishme për ekonominë.
Shumë nga pengesat që mundojnë tregjet e Kinës u krijuan pikërisht nga kontrolli i ngurtë shtetëror. Për shumë firma private, lidhjet “me mik” me huadhënësit, kanë qenë një mënyrë për të përballuar një sistem bankar, të mbizotëruar nga një shtet që i diskriminon ato. Zoti Xi mund të ketë sukses në shmangien e një krize të papritur të borxhit, duke ritheksuar autoritetin shtetëror.
Por ngurrimi i tij për t’u përmbajtur brenda rregullave, për t’i trajtuar kompanitë shtetërore dhe ato private në mënyrë të barabartë dhe për të ofruar parashikime për investitorët, do të shkaktojë edhe më tepër pengesa në sistemin financiar, duke i rritur edhe më shumë rreziqet në të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.