Në janar të këtij viti qeveria vendosi të miratonte një vendim “Për miratimin e kritereve për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit” duke ia ngarkuar përgjegjësinë për këtë proces Ministrisë për Turzimin dhe Mjedisin. Së fundmi kjo ministri ka bërë publik një dokument ku saktësohen të gjithë procedurat që duhet të ndiqen, dokumentet që duhet të dorëzohen dhe formularët që duhet të plotësohen nga operatorët e interesuar që operojnë në agroturizëm për të marrë certifikimin.
Dosja e aplikantit merret në shqyrtim brenda 50 ditësh nga data e aplikimit dhe bëhet plotësimi i procesverbalit për marrjen ose jo të certifikimit. Mungesa e njërit prej dokumentave çon në mënyrë autormatike në refuzim të dhënies së certifikatës. Certifikata “Subjekt i certifikuar agroturizmi” është e vlefshme për një periudhë 5 vjeçare.
Pas plotësimit të këtij afati kohor subjektet duhet të aplikojnë përsëri për përfitimin e saj.
Kriteret e nevojshme për aplikim
Janë të paktën pesë kritere që ministria e cilëson sit ë rëndësishëm për të hyrë në procesin e certifikimit si:
- Aplikuesit duhet të jenë shtetas shqiptarë/ të huaj, ose kompani/subjekt me bashkëpronësi, ku njëri nga bashkëpronarët të jetë shqiptar.
- Aplikuesit mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), Organizata të Menaxhmit të Peshkut (OMP)
- Fermerët individualë, duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit.
- SHBB-të, OMP-të dhe personat fizik dhe juridik të jenë të pajisur me NIPT/NUIS;
- Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrikulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si, p.sh., pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.), të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të agroturizmit.Aplikuesi me statusin fermer ose person fizik dhe juridik, që kryen aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, në momentin e aplikimit, duhet të paraqesë formularin e rregjistrit të fermës, sipas formatit në Aneksin 1, bashkëlidhur kësaj rregulloreje.
Pesë grupe dokumentash
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që është edhe institucioni ku depozitohet aplikimi bën me dije se janë të paktën pesë grupe dokumentesh që duhet të dorëzohen në fazën e parë. Këto dokumente nuk janë përsëritje e kushteve që vendos në fakt VKM-ja e janarit e qeverisë. Ato janë shtesë e saj.
- Dokumentat e nevojshme që duhet të plotësojë subjekti për aplikim për fermat bujqësore/blegtorale janë:
- Kartë identiteti e aplikuesit/përfituesit të certifikatës
- Dokument pronësie për fermën/tokën ku zhvillohet veprimtaria që do të certifikohet ose kontratë për marrjen e saj me qera ose kontratë përdorimi për një periudhë 5 vjeçare. (Kopje të njehësuara me origjinalin).
- Deklaratë për kulturat bujqësore të mbjella shoqëruar me fotografi (për fermat bujqësore)
- Kopje të Plan-biznesit sipas formularit të Aneksit 1 (5 vjeçare).
- Kopje të Rregjistrit të Fermës sipas formularit të Aneksit 2, për të gjithë aplikuesit që zhvillojnë aktivitet për prodhim bujqësor e blegtoral, sipas kritereve të parashikuara në Kreun V, pika 2, të kësaj rregulloreje.
- Mandat pagesën për aplikim në shumën 500 lekë.
- Dokumentat e nevojshme që duhet të plotësojë subjekti për aplikim për ofruesit e shërbimit të akomodimit, bujtinat:
- Dokument pronësie/kontratë qiraje/kontratë përdorimi për objektin shoqëruar me planimetrinë e çdo kati.
- Fotografi të jashtme dhe të brendshme të objektit.
- Arredimi duhet të jetë sipas standardeve të përcaktuara në Aneksin 1/a, të VKM nr.730, datë 20.10.2016 “Për miratimin e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese” e cila duhet të bëhet me vetëdeklarim, sipas Aneksit nr.3.
- Kopje të Plan-biznesit sipas formularit të Aneksit 1
- Dokumentat e nevojshme që duhet të plotësojë subjekti për aplikim për ofruesit e shërbimit të akomodimit kamping:
- Dokument pronësie/kontratë qiraje/kontratë përdorimi për sipërfaqen ku do të vendosen makinat e fushimit me sipërfaqe jo më shumë se 1000m2 shoqëruar me planimetrinë/planin e vendosjes së makinave të fushimit.
- Kushtet e kampingut duhet të jetë sipas standardeve të përcaktuara në Aneksin 1/c, të VKM nr.730, datë 20.10.2016 “Për miratimin e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese”, e cila duhet të bëhet me vetëdeklarim, sipas Aneksit nr.4.
- Kopje të Plan-biznesit sipas formularit të Aneksit 1
- Dokumentat e nevojshme që duhet të plotësojë subjekti për aplikim për ofruesit e shërbimit “ushqim dhe pije”:
- Dokument pronësie/kontratë qiraje/kontratë përdorimi për objektin shoqëruar me planimetrinë.
- Fotografi të jashtme dhe të brendshme të restorantit.
- Vetëklaratë që mban përgjegjësi që minimalisht 30% e produkteve ushqimore dhe pijeve të jenë me origjinë nga ferma, ndërsa 30%-70% produkteve ushqimore dhe pijeve të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhuesë lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi, sipas Aneksit nr.5
- Kopje të Plan-biznesit sipas formularit të Aneksit 1
- Dokumentat e nevojshme që duhet të plotësojë subjekti për aplikim për ofruesit e shërbimit “veprimtari argëtuese/çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth”
- Deklaratë për llojin e veprimtarive që do të ofrohen, ku të paraqiten shpjegimet dhe iteneraret për çdo aktivitet, shoqëruar me dokumentin justifikues (si psh.marrëveshjen me udhërrëfyesin turistik, certifikatën e udhërrëfyesit turistik të lëshuar nga Ministria përgjegjëse për turizmin etj) sipas Aneksit nr.6.
- Kopje të Plan-biznesit sipas formularit të Aneksit 1.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.